Poezi nga Sahit F. Osmani
GJUHA SHQIPE
Në palcën e gjuhës tingujt ngjizen
Kthehen në kumbim zërash të përtërirë
Ashtit të moçëm i mëkojnë sythat
Ndër dej të gjakut çarkullojnë papërlyer
Fjalë lëshon e perëndishmja
Shpërthen me vrullin e zemrës
Në trungun me rrezatim të shkëlqyer
Fytyrën që s’mund t’ia fshihnin shekujt
Në shpirt i zbërthen gjymtyrët
Tingujt pikojnë mjaltë dashurie
E stolisur me kurorë ilirie
E rrënjë të lashta pellazgjike.
E KANË GJETUR KËTË VEND
Në herbarium dashurinë e kanë shndërruar
Misterin e saj e kërkojnë nëpër kohë e stinë
Florë u kullojnë sythat e gjethet e zhuritura
Rrënjëve vërshojnë lëngje trungun gërryejnë
Emrin zemrës ia përmendin kur dashurojnë
Në petalet e saj të purpurta gjak shpërthen
Ngjyrat si ylber i dridhshëm qiellit harkojnë
Forcë që tërheq me rreze dielli e bashkon
E kanë gjetur këtë vend nga kundërshtitë
E burimeve që në rrjedhë kanë pastërtinë
E dashurive që fytyrat ju shpërthejnë dritë
Me pjesëzat e natyrës të shkrira në shpirt.
NJË FIJE SHPRESË
Në beben e syrit tënd shoh shpresën
E pakapshne, besuese, shikimi përfill
Më derdhet nëpër fytyrë dhimbja-mall
Si shiu që bie e vetëtima më shkrep
Zëri i stuhisë më ngulit te syri yt
Më thrret të t’ndjek pas mos të ndalem
Asnjë çast nga të papriturat e jetës
Ashtu siç kam ardhur e të kam gjetur
Dashuri kam shfaqur dhimbje kam ndier
Kështu qenka jeta e ndarë më dysh
E pakapur prej meje në buzët e dashurisë
Mësova shkrepjen e afshit që godet
E të lidhë nyjë në shpirt e s’të shqitet
Edhe i vdekur po të jesh ajo të thërret
Me rrezet përndezëse nga një fije shpresë
Në beben e syrit tënd që mua më feks.
U NIS UDHËS PER TEK TI
U nis udhës për tek ti vargu i fjalës
Me përzierjen e ndjenjës dhe të stinës
Me mendimet e mbushura fruta vjeshte
Që kullojnë buzëmbël lëngun e tyre
Germat te lagura nga vesa e bryma
Kërkojnë rrugën të humbur në mjegull
Disa rrokje kërcasin si gjethet e grisura
Kur i shkel këmba e të paditurëve
U nis udhës për tek ti vargu i fjalës
Për të gjetur lumturinë që ti e dhuron
Që i shëron e i zbut nervat e trurit
T’i përballojë çmendurisë së kohës sonë.
LAMTUMIRË!
“Lamtumirë” gjethe vjeshtore
Trishtimin tënd në shpirt e ndjej
Fektonin frutat e kohës nën ty
Në trupin e pemës ku qëndroje
Të këputi stina a brymë e kohës
Ndoshta erë e fillimit të dimrit
Ti e purpurta e tharë e grisur
Dikur trupin plot jetë e kishe
Zemërimi të rrëmben e të hedhë
Andej kah ti s’mund ta presësh
Kujto blerimin sot je e shkretë
Nën brymë e borë do të dergjesh
“Lamtumirë” gjethe vjeshtore
Faleminderit pēr aq sa na dhe’
Urojmë të kthehesh me pranverën
Të mugullosh ashtu siç ishe e re.