Poezi nga Vera Istrefaj
Fole shpirti
Fijet e shpirtit vargëzuar
i mblodha në dorë një buqetë,
në vazo ashtu gumëzhuar
zhurmonin plot dhimbje e jetë
Si ta ndaj dhimbjen
nga dridhmat e shpirtit të shkretë
ato bashkë ndërthuren
siç zogjtë kur ngrenë foletë
Me fijet e shpirtit trazuar
thur bartëset e jetës,
ndjenjat e mia mbulur
me pelerinën e shqyer të shpresës
Po ç’ti premtoj unë vetes
në këtë prag dimri të qetë,
acari patjetër do të vijë,
akulli siç di ai vetë
Ah pelerinë e shqyer
drejt vetes më tërheq,
në thirrje zemër thyer
thotë “ka dhe më keq!”
Në fole të shpirtit
flenë bashkë dhimbje e shpresë,
nën pelerinë të grisur
ndjesia do të mbesë.