Poezi nga Gladiola JORBUS

 
Poezi nga Gladiola JORBUS
 
 
Efekti flutur
 
Mungesa ime e largët.
Filli i Arianës
valëzohet në duart e tua.
Veç ti mund të më nxjerrësh
nga ky labirinit.
A thua je si
efekti flutur?!
Detaji, vogëlsia që shpirtit
I falin të ëmblat trazira.
Edhe distanca ka të sajën magji.
Atë magji që ti shuan
E ndez në sytë e mi.
Edhe pse je larg.
Edhe pse në botën ku jeton,
Dot unë, s’të mbërrij.
 
 
 
Zonjë e fatit tim
 
Përtej errësirës dhe goditjeve të fatit,
Përtej kthetrave të dhembjes,
Përtej grackave të zemrës,
Përtej ëndërritjes dhe zhgjëndrrës,
Unë nuk jam dorëzuar.
E pafajshme, si një ujëvarë lotuese,
Nën kërcënimin e humnerave të thepisura.
Mbetem zonjë e fatit tim.
 
Ai më gjen gjithmonë.
Më pajton,
me të huajën brenda meje.
Dhe kur nata s’ka hënë.
Dhe kur dita s’ka diell.
Dhe kur qielli është gri.
Përtej thëllimit dhe zjarrit.
Përtej frikës kafshuese.
Përtej dëshirave të shpirtit.
Mbetem zonjë e fatit tim.
 
 
 
Si Magelani
 
Botës,
si Magelani i ke rënë përqark,
për të mbërritur te sytë e mi.
Asgjë nuk zgjat më shumë
se një frymëmarrje.
Jam një shkëndijëz që të
gjithin të djeg e të përndez.
Edhe pse s’jam engjëll,
qiellin të bëj të prekësh.
Të vetmuar,
në faltoren e dëshirave të magjepsura,
po të të ëndërrosh…
 
 
 
Kriptografi
 
Disa gjëra teprojnë në jetë.
Në të njëjtën mënyrë,
si shumë të tjera nuk mjaftojnë.
U hutova për një çast…
Dhe pezull mbeta tek ti.
Koraca ime,
e tëra u shkërmoq, e tëra…
Jetë rrengshore!
Të humbas e
të rigjej në fshehtësi.
E vetme, zbehem
në këtë kriptografi.
 
 
 
Llava e shpirtit
 
Ndonjëherë do të vuaje çfarëdolloj ndëshkimi
vetëm që të të falnin,
çmimin ndrydhës të dhembjes pavetore,
për fatet që kryqëzohen në të gjithë globin,
Ante dhe Post meridiem.
 
Një zemër ndryshon nga tjetra…
e kapriçot e dashurisë ëndërriten
në kaosin e fundbotshëm të heshtjes.
Shkel peizazhet virgjërore
që në mijëra ngjyra shpërthejnë
nga zjarri i agimit.
Dhe llava e shpirtit, pandalshëm vrullon
mbi kashelashën e jetës
që vetveten përsërit,
në ciklin rrethor të metempsikozës.
 
 
 
Adagio
 
Mbi gjethet e fundit të vjeshtës
shkruhen vargjet më të bukura
Për dashuritë e pamundura.
Adagio…
Dua të bëhem qiell.
Dhe të të shoh me miliarda sy
Nga pafundësi’ e hapësirës
Që aq shumë…
i ngjan shpirtit njerëzor.
Si një adagio…
Të vij drejt teje
dhe të të gjej
në mes të ëndrrës
që enda për ty, për ne.
Thuamë ç’të duash
Dhe do të të besoj.
Nga kjo agoni e pashpresë,
Si një lumë i marrë të bliroj.
Adagio…
Në tranzicionin e ndjenjave
të shkokëluara,
Hija ime, le të shkruajë
me një kaligrafi të çrregullt
emrin tënd…
Në boshllëkun e një dhome të errët,
Mbi një pasqyrë të pluhurosur,
që kurrë s’u vesh,
me amësimin tonë.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s