Lasgush Poradeci
Kalendari poetik: Lasgush Poradeci (1899-1987)
Më 27 dhjetor 1899 u lind në Pogradec, Llazar Sotir Gusho, poeti më i madh i lirikës shqiptare. Është shkruar shumë pas viteve ’90 për Lasgushin, poetin që u harrua dhe u vetëharrua në vitet e realizmit socialist; i rrinin ngushtë të madhit Lasgush kominoshet sovjetike të Zhdanovit, kështu që u mor vetëm me përkthime dhe solli në shqip perla të letërsisë botërore si p.sh., Pushkinin, lirikat e Lermontovit, Bllokut, poemat e Hajnes, Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, Emineskut etj.
Ishte koha e “shtojzavalleve të partisë”, si i quante me shpotì Poeti shkronjësit bythëlëpirës të regjimit komunist…Lexoni sa më shumë poezi prej të madhit Lasgush!
(Shënim: Kur ndrroi jetë Poeti, më 12 nëntor 1987 në Pogradec, komunisti D.Agolli, kryetar i lidhjes së sh-krimtarëve, deputet dhe antar i komitetit qëndror të ppsh, nuk lejoi t’i bëheshin homazhe Poetit në shtëpinë e kulturës së qytetit.)
DËGJIMI I ZEMRËS
Kur të më kujtosh,
Kur të vish të shkosh,
Kur të shkosh këtejza pranë
Që të çmallërosh
Ç’po dëgjon kur shkon?
Kur vjen e përgjon?
Ç’përgjon zemra në kët’anë
Fund në këtë hon?
Zemra jote sot,
Zemra jote mot,
sot e mot në ç’mallërime
Zemra që s’fle dot
Seç të ndjen këtaj,
Seç të ndjen pastaj,
Seç dëgjon ndaj vetes s’ime
(Si ndaj vet’e saj):
Mall e vrer që mbaj
Qaj, moj zemër, qaj.
Vrer e mall që flas
Plas, moj zemër, plas.
Përgatiti materialin Maksim Rakipaj