Gjurmë mesazhesh (pjesa e fundit….lexim të këndshëm) / Nga Alma Zenellari

Gjurmë mesazhesh

(pjesa e fundit….lexim të këndshëm)

 

 

Alma Zenellari

Nga Alma Zenellari

 

 

Ti gjelbëron brenda shqisave të mia. Ke depërtuar ditë pas dite poreve të lekurës sime, je ngjitur dhe më ke dehur nga një valë e ngrohtë, në fytyrë, duar, gjymtyrë dhe unë ndjej se si dëshiron ende të depërtosh më përtej për të eksploruar të panjohurat e botës time të mbledhur, të ngurtë të errët. Ndjej kujdesin dhe frikën tënde se mos më lëndon, mos lëndon botën time të lodhur nga erërat therrëse të së shkuarës.

Shpesh shikimi yt më vjen mes gërmash i kthjellët, i kaltër për të kaltëruar qiellin e ëndrrave të mia, për të ngjizur brenda meje dëshira të reja, për t’i parfumuar me aromë lumturie.

Depërtoj mes gërmash, i copëzoj, i ribashkoj, i gërmëzoj me zë(që vetëm unë arrij ta dëgjoj). Kërkoj të kap atë ndjesi të cilën ti e nis tek unë nga ajo distancë marramëndëse.

Dhe ndjej prekje, prekje mollëzash, lëvizje gishtash sa të beftë e të çuditshëm, por gjithësesi njerëzorë. Ndjej prekjen e ngutshme, rrëshqitjen e tyre mbi gishtat, mbi duart e mia si në një përqafim të fshehtë dhe unë përpiqem ta ndal këtë prekje e cila duket se bën çmos të ndez një flakë, të nxjerr me ngut llavën e përgjumur që fle thellë trupit tim nga nuk e di se ku.

Mjafton një lëkundje, një lëvizje, një shkundje për të shpërthyer vullkanin e fshehtë, për ta nxjerr jashtë në eter.

Ndaj në heshtje unë i lutem gishtave të tu të mos e prekin kaq shpejt tokën time.

Dhe pse ka etje…

Nuk më mjaftojnë vetëm gërma për të ngritur dhe përqafuar portretin tënd, për të mbërritur në stacionin tënd, për të të thënë, “ po, unë ty të njoh”.

Ndoshta kjo ishte një arsye që ti erdhe sot në një formë tjetër. Erdhe me zërin tënd i bindur se kisha nevojë të ndihesha e mikluar, ledhatare, e mbushur dhe e gatshme për të plotësuar portretin tënd të panjohur.

Ti, erdhe. Vibrove tek unë përmes zërit tënd, godite lehtë receptorët e mi, që unë të kap ngjyrat e tij, dritën e kadifenjtë që rreket të më mbështjellë.

E di, më duhet kohë për t’u ngopur me këtë zë, sepse më duhet kohë ta ndjejë energjinë që përcjell, ta ndjejë si përthyhet brenda meje, ai zë.

Më duhet kohë vërtet. Më duhesh ti.

Ndaj portreti yt mbetet ende i paplotë, mbetesh ende i panjohur ashtu si një tokë e re, që pret të lulëzojë mbi të çdo spor, si një qiell i ri që pret të shkreptijë një dritë e re.

Mbetesh ende një mister provokues, drithërues, mister i largët, i afërt që e bën qënien time të të kërkoj dhe po aq t’i trembem këtij misteri….

Je ende një përzierje erërash të forta që fryjnë papushim velave të anijes sime, që ende kërkon një breg të vetin të ankorohet e sigurt, të pushoj e paqtë….

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s