Mos bir / Nga: Teuta Sadiku

Mos bir

 

 

teuta Sadiku

Nga : Teuta Sadiku

 

Të solla në jetë pa të pyetur në se dëshiron të jesh fëmija im dhe mbi të gjitha në se a  dëshiron apo jo të jetosh në jetën e kësaj bote.Erdhe mes ujrash e gjakrash , pa frymë në botën e ndërtuar prej nesh, njeiut. E shtrirë siç isha nuk kisha  hapësirë shikimi,por veshët e mia ngritur pizgë dëgjonin gjithshka,deri frymëmarjen e shpejtuar të mjekut, lëvizjen nxitimthi të infermiereve,gjithshka edhe  ajrin që pipëtinte.Gjithë instiktet e mia ishin zgjuar.Jo vetëm dëgjoja por edhe diçka nuhata,diçka po ndodhte me ty ,bir.E mbaj mend si tani si të shtrëngonte mes gishtave   mjeku ,si të kthehu kokëposhtë e të qëllonte pas shpinës , si gërshëra kirurgjikale hyri në mishin tënd e një bulëzë gjakë të mbuloi .Mua m`u ngrit gjaku në kokë por u qetësova disi kur ajrin pezull e çau klithma jote .Një klithmë që nuk arrij ta kuptoj as sot, në ishte klithmë habie,hareje  apo frike për botën ku erdhe .Shikoja shenjën e hapur në trupin tënd dhe e mpirë  duar e këmbë nga  dhimbjet e lindjes,mes ujrash e gjaku, brofa për të të rrëmbyer me dhëmbë,si ujkonja këlyshin e vet buzë humnerës.Më mbajtën me forcë të shtrirë në shtratin e lindjes dhe për të më qetësuar të lanë ty një copë mish nga trupi im , mbi gjoksin tim. Klithma jote  çau ajrin ,u ktheve  në jetë,bir.Mirse erdhe  edhe pse me shenjë prerje në trup.Mos ki frikë , jam unë këtu dhe me  buzët e mija gjak  prekja trupin tënd të njomë.Ndjeja tik-tak-un e zemrës tënde kur  ti kërkoje me buzët e vijëzuara gjoksin tim. Rashë e qetë në kllapitë e lindjes.

Është një histori 25 vjeçare aq sa edhe unë vetë e humbas fillin ,jo vetëm të historisë tënde, por edhe  të jetës time e  fillin e mbarë  botës .

Ja si tani që e kam humbur fare toruan, pas një  dyorësh debati  me ty.Si mund të arsyetoj e gjykoj situatën e krijuar,moskuptimin e dy botëve tona krejt të ndryshme.Cilat janë argumentat për të justifikuar disfatën dhe përligjur suksesin e zhvillimit e civilizimit  në jetën e botës ku të solla.

Sa shumë u shqetësova dhe kam akoma shumë frikë.Pse po vonohesh , ç`farë të ka ndodhur? Ku ndodhesh këtë moment?Më frikësove shumë ,kur më ngule sytë ashtu për një moment .Ju nuk jeni prindër, unë skam prindër,më the dhe ike duke përplasur derën. Hyj orë e minutë në internet dhe lexoj gazetat , ndonjë lajm apo lajmërim.Ta kam shumë frikën.Jam vërtet në gjendje  tmerri që nga momenti që u largove nga shtëpia.

Një adoleshent i vonuar ,për moshën që ke, je vërtet një djalë i mrekullueshëm,po qe se përjashtojmë rastet kur nxehesh dhe hedh poshtë e shkatërron gjithë mirësinë tënde e hedh poshtë dashurinë e nënës.

Për asnjë moment  nuk jam penduar për ardhjen tënde në jetë edhe pse me lindjen tënde  erdhën ndryshime të paimagjinuara në jetën time. Mbaj mend daljen e dhëmbëve të para të tua, isha pranë teje kur hodhe hapat e para ,u lumturova me belbëzimet e para mama-baba. Oh ajo fytyra jote ëngjëllore,ata sy që më ndjekin akoma nëpër shtëpi, ajo buzëqeshja jote fëminore nuk më hiqet nga mendja edhe këtë moment edhe pse përplase derën me aq tërsëllimë e diçka shave nëpër dhëmbë. Jo , nuk je ti biri im.Diçka ka ndodhur me ty,ashtu si edhe në botë ndodhin kaq shumë .Erdhe në jetë pikërisht kur ndodhI eksodi kosovar rrugëve të botës.Nga ekrani shihja karvanin e gjatë që çante dëborën.Përpara prinin të moshuarit, pleqtë dhe njerzit e sëmurë që mezi zvarritnin këmbët.Mbas tyre vinin nënat e gratë kosovare me foshnjat në kurriz e në gjokset e tyrë që ndiqeshin nga të rinjtë e të rejat .Karvani mbyllej me meshkujt më të fuqishëm që vëzhgonin gjithë ecurinë e karvanit përpara.Shihja ekranin dhe të shtrëngoja në gjoks.

Nuk e mbaj mend mirë ditën ,muajin kur ti hyre në adoleshencë,por mbaj mend që u grindëm keq atë ditë teksa   ekrani jepte  karvanin e gjatë pa fund të refugjatëve sirianë. Shihja se si  nën dritën e zbehtë të  një hëne dimri të lagësht trupi i një foshnje u çorr nga telat me gjëmba,teksa e jëma i thante teshat e lagura në zjarr.E sollën prindrit në botën e ëndërruar edhe pse me shenja plagësh që do mbeten  në trupin e foshnjës gjithë jetën.Mendja më shkoi tek ardhja tënde në jetë, në këtë botë plot çudira e mistere dhe e shastisur pas lajmeve tronditëse të eksodit lindor , nuk  e di si u largove nga shtëpia pa më përshëndetur, ashtu i nxehur siç ishe nga debati dhe zënia jonë që ishte bërë e përditshme kohët e fundit.

Nga kuleta ime mungojnë shpesh të holla e lekë, por kurrsesi nuk më shkon mendja tek ty bir. Me siguri do më kenë rënë në rrugë, mendoj , sepse gjithmonë  nxitoj për në punë, nëpër dyqane, drejt shtëpisë  për të gatuar drekën sa më shpejt e të kemi kohë të bisedojmë të dy. Në darkë më duhet të jem përsëri në punë deri në orët e para të mëngjezit.

Duke zbritur shkallët e pallatit, komshija më pyeti  njëherë mos ishte im bir  ai me dy shokë të tjerë, që pinin alkool e duhan deri vonë  para dritares së saj.Tunda kokën në shenjë mohimi.Jo , jo, në asnjë mënyrë i thashë, djali im jo vetëm që është akoma i vogël, por nuk pi alkool dhe duhan.E pamundur të bëjë diçka  të tillë, aq më tepër ai s`ka  as lekë për të blerë alkool dhe duhan.

Në mbrëmje para se të ikja për në punën e natës të fola për çka u ankua  komshija dhe bëre si i habitur duke ngritur supet.U zure ngushtë  në fillim por pastaj më këshillove të mos e çoja mendjen në gjëra të liga se ti di se çfarë bën.Tani  ishe i rritur, burrë, dhe cigarja e alkooli për burrat janë. M`u drodh shpirti dhe mendja më shkoi menjëherë tek lekët që mungonin nga  portofoli im.Që nga ai moment i fshihja lekët  e kuletën nuk e lashë më sheshit , e mbaja në trup ditë e natë.Nuk ka gjë më të keqe të vjedhësh.Edhe nënën tënde bir!Jemi kthyer në kafshë,por nuk e di kush është vrasësi e kush është preja,përgjojmë njeri tjetrin, secili për hesap të vet..

Një ditë prej ditësh pasi shtrova drekën , gjellën që të pëlqente shumë u ula dhe po të prisja me ankth. Erdhe nga shkolla  dhe sapo u ule  fillove të haje, sikur nuk kishe njeri fare përballë. Të pyeta se si kaloi dita në shkollë dhe çfarë mësuat ndonjë gjë të re.Duke më hedhur ndonjë vështrim tek –tuk  më tregove për një eskursion  jashtë qytetit që kishit bërë me klasën, për kafshët e shumuara që i kishe parë të gjalla me sytë e tu ,për rrënojat e një bote të përmbysur e të zhdukur nga faqja e dheut, për njerzit që ishin kthyer në drurë të  thatë e qeramika të vjetra që thërmoheshin po ti prekje me dorë. Më the  të të lija  rehat  të çlodheshe  se ishe lodhur nga ajo pamje  mjeruese gjatë  eskursionit.Të  besova kur  pashë sytë e tu aq të lodhur,të vrarë shpirtërisht nga ajo çka kishe parë dhe u largova duke të lënë të qetë. Të nesërmen më erdhi një lajmërim nga shkolla ku më kërkohej të jepja lejen për pjesmarrjen  tënde në një eskursion jashtë qytetit.U zhgënjeva aq shumë.Kaq shumë gënjeshtra, po përse vallë të më gënjesh ,mua, nënën tënde bir? Përse nuk më tregon e të më flasësh hapur bir.

Pasuan edhe ngjarje të tjera,edhe bërtima edhe zënie me fjalë.Nuk arrita ta kuptoja as ta shpjegoja mosdëshirën  tënde për të vajtur në shkollë.Kjo ishte një arsye e zënieve dhe britmave, e acarimit tonë.Një mëngjes duke të ngritur nga gjumi se ora po kalonte e do bëheshe vonë  për në shkollë u  ngrite pak nga mbulesat dhe më kërcënove se do më qëlloje po qe se të  shqetësoja përsëri.I kishe bërë naftën,shkollës, mësimeve e mësuesve.Shtanga,  im bir të jetë ky e më e keqja ,të ngrejë dorën e të më qëllojë …. Nënën e tij!

Kur  u ktheva nga puna  të gjeta në kuzhinë .Po shtroje tavolinën.Ishe i qetë dhe fytyra të shkëlqente nga ajo buzëqeshja fëminore.U befasova dhe nuk e dija në duhej të gëzohesha apo të shqetësohesha me atë çfarë po shihja me sytë e mi. U ule në tavolinë përballë meje dhe  fillove të më pyesje në se isha e lodhur e si kisha kaluar në punë.

Mësova prej teje se më kërkonin në shkollë,  drejtori i shkollës të kishte paralajmëruar me përjashtim nga shkolla  po qe se nuk  paraqitesha në shkollë bashkë me ty.U bëra bishë, nuk e doja veten nga gjithshka që dëgjova atje.Nuk e bëre rrugën e kthimin nga shkolla bashkë me mua. Ike si i marrosur rrugëve pa e kthyer kokën pas.

Sapo hyra në shtëpi e kuptova që ishe larguar ,nuk të arrita dot në shtëpi.Mbi krevat ishin hedhur pantallonat dhe pulovra që sapo kishe ndërruar.I mblodha bashkë me rroba të tjerë dhe para se ti vendosja në makinën larëse, kontrollova xhepat. Në cep të xhepit të pantallonave dora më kapi diçka të vogël si sferë , të butë.Mbante një erë karakteristike,po nuk e dija se çfarë mund të ishte,po  ndjeva se ndiçka nuk shkonte mirë me ty.Nuk e flaka, e lashë mbi tavolinë për të pyetur kur të ktheheshe.Kur u hap dera dhe hyre brënda nuk arrita as të pyesja  sepse nga dhoma tënde pyete me bërtimë  ku ishin pantallonat.Me sytë e egërsuara m`u hakërreve se  nuk do i kishim mirë punët bashkë po qe se kontrolloja herën tjetër rrobat e tua.U stepa për një moment dhe pashë se si e more dhe e fute në xhep atë gjënë e vogël si sferë.E kuptova dhe zemra më luajti nga vendi me dhimbje.Drogë , thashë.Pse kaq poshtë ke rënë bir, belbëzova.Ku kam gabuar ,bir. U ktheve dhe më kape nga jaka e bluzës. Ja thuaje dhe një herë, më ulërite mu para fytyrës e sytë të  lëshuan xixa. Vetëm kjo do më mbajë larg botës tuaj , më the dhe mua më nxorrën sytë shkëndija atë moment.Gjaku më hipi në kokë.

Im bir, ajo foshnjë një pëllëmbë që e kisha nxjerrë nga trupi im,ai mish që u shkul nga mishi im  të ma rrëmbente jeta  aq pabesisht dhe në atë mënyrë tinxare duke e joshur me drogë,mu para syve të mi.Shihja humnerën që po thellohej e zmadhohej mes nesh dhe si po e thëthiste brenda  Vetëm të vdekur do të mund të të  merrnin nga duart e mija.A do të mundja unë nëna jote të të shpëtoja nga humnera ku kishe rënë.

Më doli para syve momenti i lindjes tënde, hekurat e krevatit që i kisha ngrënë me dhëmbë nga dhimbjet e lindjes.Gjithë trupi filloi të më therte e të dridhesha e gjitha.Askush nuk mund të të merrte ,bir,  nga mua. As jeta e jo më vdekja.Vdekja ishte akoma kilometra larg. Vetëm një vijë e hollë na ndante , po pas asaj ishte  greminë e thellë ku foshnja im po binte duke rrëshqitur pak e nga pak.Instikti i ulkonjës u zgjua brenda meje.Iu hodha me vërtik dhe ia ngula dhëmbët fort, aq sa  sa ndjenja frymëmarrjen e tij të nxehtë,rrahjen e zemrës së tij dhe ai timen.Pa i hequr sytë nga humnera , pashë se si ngriti kokën  e sytë e tij kërkonin ndihmë. Sytë e tij të friksuar tashmë kërkonin sytë e mi.Humnera brenda syve të mi thellohej  dhe ai e shihte si rrëshqisnin e binin buzët e greminës me lëvizjen më të vogël të tij.Cila kafshë nuk do e shpëtonte këlyshin e vet nga buza e greminës? Atë moment duar e këmbë  i kisha të mpira ,vetëm me dhëmbë mund ta kapja foshnjën time dhe ta ngrija nga buza e humnerës ku po rrëshqiste.Një bishë e zbutur isha dhe unë ….Mos bir, më ke mua këtu , i pëshpërita në vesh dhe ia ngula dhëmbët  më fort  në zverg  për ta lëshuar ngadalë në prehrin tim . Pas klithmës së tij  klitha dhe unë me sa fuqi kisha .Bashkë me mua klithën si në këngët polifonike nënat  kosovare me foshnjat  që  thithnin gjoksin pa qumësht maleve.Klithmës sonë iu bashkuan edhe klithmat  e refugjates së vogël që telat me gjëmba i hynin thellë në mish duke i  lënë tatuazhin e kohës moderne. Fillova t`ia lëpija plagën plot bulëza të freskëta  gjaku me gjuhë e me buzët që  më dridheshin bashkë me mjekrën  .Një shenjë më tepër në trupin tënd bir, kësaj here nga nëna jote.

Tani u rrite bir,por e ndjej se jam akoma nëna jote e kam të drejtë të të shpëtoj nga çdo  humnerë, tel me gjëmba apo rrezik që do të kanoset.Fale nënën bir, për shenjat e dhëmbëve që do të mbeten një jetë mbi zverkun tënd.Po ta dish se ajo plagë do më dhëmbë më shumë mua se sa botës moderne që do më akuzojë për të çmendur, duke përligjur  lajthitjen e vet.Është e vështirë për një nënë sot të rrisë fëmijën e vet,po akoma më e vështirë kur është e vetme mes xhunglës moderne  e lajthitjes së botës .Mos më urre për sjelljen time, mos bir… Rrojmë në kohën e krizës  çmendore. Nuk the asnjë fjalë vetëm u struke akoma më shumë në prehrin tim si këlysh për tu mbrojtur nga  kush …. nga shtazëria e botës.Vashdoje të më shihje drejt e në sy me ata sy që më ndjekin edhe dita sot  e me atë buzëqeshjen e ëmbël  fëminore .Nuk dua të shoh shenjat e trupit tënd,ato mbajnë  vulën e shekullit tonë.

 

  8 mars 2016, Greqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s