Sadete Zhitia: – ELSA… ( Një jetë në kërkim ) / Nga Xheladin A. Çitaku

Sadete Zhitia:

ELSA…( Një jetë në kërkim )

 

 

Xheladin -2

Nga Xheladin A. Çitaku

 

 

Dramatika e jetës rrjedh nëpër shtigjet e kohëve, duke bartur në vete kompleksitetin e ndërthurjeve dhe të ndërlidhjeve bilaterale e multilaterale të raporteve shoqërore e ndërnjerëzore në tragën e vrragës së thelluar, në botën lëndore dhe atë shpirtërore. Konstruktimi i një kohe, sa dramatike dhe heroike poashtu, ngërthen në vete aspektet dhe tërësinë që e karakterizon këtë kohë; dramacitetin personal, familjarë dhe atë kombëtarë, duke shtrirë përjetimin, ndijimin, shkaqet dhe pasojat. Realiteti faktik, si shtytës motivues, ofron kohën e hapësirën, në vorbullën e të cilave zhvillohet ngjarja, bartet në gjerësitë e thellësitë e artit letrar, përmes rrëfimit të sistemuar, ku spikatë tabloja e ngjyruar e elementeve të jetës, në përgjithësi, të rrethanave shoqërore të kohës, të përballjeve, të aspiratave kombëtare e njerëzore, por edhe të vlimeve shpirtërore – emocionale brenda botës individuale. Sadete Zhitia, duke qenë brenda këtyre zhvillimeve, duke i përjetuar ato ia del ta sajojë identitetin e plotë të këtyre vlimeve në ato vite, arrinë ta pasqyrojë autenticitetin e ngjarjeve me sukses, sepse është në rreshtin e parë të ballafaqimit me konsekuencat, ndodhet në konkretësinë e drejtpërdrejtë të vuajtjes së pasojave. Bazuar në këtë, romani “ELSA…( Një jetë në kërkim )”, përfaqëson veprimet, synimet, ambiciet e një brezi; përfaqëson idealin në vazhdimësinë e tij, të shumë brezave për liri e bashkim. Duke përshkruar aktivitetin dhe rënien e një heroi, vijëzohet e tërë sakrifica sublime bërë për lartësinë e këtyre qëllimeve. Duke ravijëzuar dramën e familjes së tij, gruas e fëmijëve, ndërtohet fotografia e secilës familje, secilës grua dhe gjithë fëmijëve që fati jetësor i vuri në sprovat e rënda që kaloi ingranazhi i veprimtarisë patriotike, këtu tek ne. Autorja e ndjeu këtë realitet, e preku atë, e jetoi atë, u përball me të gjitha rrjedhimet e një jete të tillë. Prandaj, duke aktivizuar talentin dhe ndjenjën sublime, ajo bëri transponimin e përjetimit në një realitet letrar-artistik, duke i ofruar opinionit lexues informacionin për tiparet e asaj kohe, për njeriun e saj, për karakteret dhe llojshmërinë e tyre, për acarimin në rritje të antagonizmave historike pushtues – i pushtuar, për rënien e postulateve të ngulitura të mendësive të shablonizuara, për thyerjen e njëtrajtshmërisë, për defasadimin e një sistemi mizor. Përpunimi dhe rafinimi artistik i materies nuk e zbehë përndritjen e heroizmit, por e ngritë atë në piedestalin e përjetësisë edhe përmes kësaj rruge, përmes ligjërimit në këtë formë, duke ngritur si monument i kujtimit për të në formën e kultivuar të shprehshmërisë. Mënyra e tillë mundëson shpërfaqjen, jo vetëm të bëmave të dukshme, por edhe të brendësisë shpirtërore, rropatjeve, dilemave ndjenjore, efekteve emocionale, pozicionimit të qëndrimeve të personazheve.

– Krakteret (personazhet) që defilojnë në roman, janë pothuajse të njohura, njerëz konkret që lanë gjurmë me veprimet e tyre, që vendosën emrat e tyre në obelisqe dhe në faqet e historisë. Emërtimet letrare që u jep autorja e romanit sajojnë efektin identifikues të letrarizimit, evitimin e cilësimit si përshkrim kronologjik dhe theksimin e karakterit romanesk të kompozicionit. Megjithkëtë, zhvillimi i ngjarjeve pozicionohet në ambient konkret, aty edhe ku kanë ndodhur ato; në Prishtinë, në lagje të veçanta të saj, Mynih apo gjetiu, aty ku janë gjurmët e kohës, aty ku është përqëndruar objektivi i fotografisë së romanit. Në galerinë e personazheve, drita përthyhet në figurat e heronjëve, në atë të Shkëlzenit, të Ramizit a ndonjë tjetri duke reflektuar karakterin e njeriut që kërkonte momenti historik, që duhej të vendosej në epiqendër të lëkundjeve të mëdha që po vinin. Por, ata s`janë vetëm misionarë të idealit, janë edhe njerëz të rëndomtë, janë familjarë të devotshëm, janë prindër të dashur; jetojnë, luftojnë, urrejnë e dashurojnë. Në portretizimin e tyre në roman, Sadete Zhitia ka inkorporuar të gjitha këto veti e cilësi, të cilat e kompletojnë personalitetin e një individi, por edhe personazhin që përfaqëson një karakter të caktuar. Ndërkaq, Elsa është botë më vete, jo e shkëputur nga konteksti, as e mënjanuar nga realiteti veprues, por brënda tyre portretizohet si përfaqësuese e denjë e femrës shqiptare në kohë e hapësirë të caktuar, në rrethana specifike; portretizohet si vajzë e dashuruar, si grua e përkushtuar, si nënë e gatshme për sakrificë. Jo vetëm kaq. Ajo bartë rëndesën e përfaqësimit të vlerës universale njerëzore në raport me llojshmërinë në të cilat sfidohet karakteri. Veç kësaj, ajo ka unin e saj, individualitetin karakteristik, dallues, i cili shprehë pikëvështrimin autentik për çdogjë; për skemat, për mentalitetin, për paragjykimet, për kodizimet e shablonizuara, për nomet e ngulitura anakronike. Një front i gjërë përballë Elsës; kujtimet e hidhura, dashuria e shtresëzuar brënda shpirtit, ndjenja sfilitëse për gjendjen e atëdheut, përgjegjësia për formimin e drejtë e të qëndrueshëm të pasardhësve (fëmijëve), raportet specifike me Jim-in dhe ato me rrethin ku jeton, kujdesi ndaj vetes. Një kompleksitet i tërë i vënë në supe të këtij personazhi. Në këto kushte Elsa ecën, jeton, vepron, ndjen, synon; brënda saj gërshetohet e kaluara e tanishmja dhe vizioni, parakalon ëndërra dhe shfaqet imazhi real i jetës. Qëllimi i jetës – Liria, realizimi i idealit të Shkëlzenit; vazhdimësia e saj, – Gresa dhe Endriti, përplotësim i kërkesës njerëzore. S`ka asgjë më sublime, më elementare.

– Skema konvencionale e të shkruarit të romanit, e shtruarjes së ngjarjes, e zhvillimit të ideotematikës, e gjuhës së thjeshtë e konkrete, përbën lehtësinë e kapshmërisë dhe absorbimit nga secili lexues, thellimin dhe të jetuarit bashkë me personazhet, ndijimin shpirtëror të situatave, të cilat jo rrallë krijojnë efekte emocional të theksuara në maksimumin e reflektimit të tyre te një lexues. Pastaj dinamika e përshkallëzuar e ngjarjes tërheqë vëmendjen veçanërisht, duke bërë ngritjen e temperamentit absorbues, për ta aplikuar mosshkëputjen nga vazhdimësia, përderisa kurreshtja e lexuesit të mos arrij kuotën e aspiruat. Sadetja ka skicuar jetën, përditshmërinë në ambientin tonë, ndjenjën e njeriut tonë, por edhe prapshtitë që janë paraqitur shpeshherë në rrugën tonë. Romani nuk përshkohet vetëm nga njerëzorja e kuptimit pozitiv, virtyti, patriotizmi, dashuria, sakrifica, por edhe nga negacioni i tyre si, intriga, hipokrizia, demagogjia, primitivizmi, deri te tradhëtia. Sepse, kjo është jeta, me këtë kompletohet romanizimi i tërësisë së përkufizuar brënda temës që trajtohet. Ndryshimet e mëdha me rrjedhime tragjike e heroike ndërtohen letrarisht, pikërisht mbi këtë sfond, në zbërthimin e konfliktit permanent të përmasave historike e shoqërore aktuale për kohën e veprës. Autorja ka konsumuar linjat tradicionale letrare, në të cilat është sheshuar tërë tematika, në bazamentin e tëbanit patriotik dhe social, njëkohësisht, duke mos lënë anash as komponentat tjera, që përplotësojnë konceptimin e veprës dhe konkretizimin e idesë.

– Romani “ELSA…( Një jetë në kërkim )” është përkushtim ndaj një plejade, e cila përfaqësohet nga heroi i romanit; është përkushtim ndaj krajatave të një populli, luftës së tij për liri, është përkushtim për familjen e përvuajtur e të përndjekur, është përkushtim për gruan, nënën, fëmijën që përjetuan këtë kohë. Prandaj, si i tillë, ky roman mund të cilësohet si monument i patriotizmit dhe vuajtjes. Tregimi i tij, i përqëndruar në të kaluarën e afërt, orienton vështrimin nga vigjilenca e përhershme për ta vlerësuar dhe ruajtur gjithnjë qëllimin e sakrifices, derivatin e flijimit të brezave që quhet – Liri. Sadete Zhitia ka traseizuar një udhërrëfim artistik të këtij vlerësimi… Suksese shkrimtares në të ardhmen.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s