Me Çamërinë në zemër – Rrëfime në tre kohë për Nurenjtë e Çamërisë / Nga Namik Selmani

Me Çamërinë në zemër

 

Rrëfime në tre kohë për Nurenjtë e Çamërisë

 

 

namik

Nga Namik Selmani

 

 

Ç’ditë ishte ajo?????? e hënë ?…..e xhuma ? O, mos më pyet! Moos ! As mua ! As ata ! As ata që kanë lindur në Paramithinë tonë të dashur e që ende jetojnë akoma dhe janë në numër sa kokrrat e tespiheve të gjyshërve tanë . As ata që u ndanë nga ne me ëndrën e pambaruar ! As këtë burrë që ka një fytyrë kaq të qeshur e që quhet Fadil Nuri !
Me plot gojë mund ta quajmë “Mbret i dashurisë njerëzore . Mbret i punës .“ Aq sa miqtë e tij turq, që kur e njohën për herë të parë para 15 vjetësh, kur ende nuk ia dinin gjuhën njëri-tjetrit e quajtën dhe vazhdojnë edhe sot ta quajnë “ Fadil Baba”
Le ta quajmë thjesht DITË ZOTI. Atëherë Fadili ishte vetëm 6 vjeç. Kishte parë vetëm rrugët e shkrepat e Paramithisë . Nuk kishte lexuar e nuk ka lexuar ndoshta edhe tani se të huajt që e kanë parë këtë vend e kanë quajtur një mrekulli të vërtetë. I kishin treguar se Çamëria ishte edhe më e bukur . Shumë e bukur . .Shumë më madhe.
Në atë ditë terrori të qershorit të vitit 1944 , ai nuk bëhej dot doktor që t’i shëronte plagët e panumërta të burrave të vrarë , të therur , të gjysheve e nanave që i nxirrnin edhe fëmijët nga barku. Nuk bëhej dot njeri i fesë islame , edhe pse Zotin e përmendëte sa herë që hante bukë , sa herë që niste një rrugë , që t’ia bënte një lutje të fundit për të pushuar me rahmet në botën tjetër . ..
Oh, nuk bëhej dot gazetar që , me laps, me magnetofon, të shënonte , të regjistronte egërsinë e grekëve , të qarat e fëmijëve e mallkimet e nanave ,pse jo edhe të ullinjve e të deleve jetime , kokëprera që kërkonin më kot barinjtë e vrarë: Hamitin, Ramiun,Tahirin,Sulejmanin…
Po kishte Dritën e Syrit për të mos harruar Ditët e Krimit dhe Udhën e Kthimit..

 

Rrëfimi i Fadil Nurit

 

…..sa hyri greku në qytet, vrau të gjithë burrat.Jo pak, po 800 burra.Pastaj mblodhi gratë e nanat tona e i vuri në një shtëpi t’i vriste edhe ato T’i……Morën edhe nanën time Sanijë Nuri ( Bollati).ishte 30 vjeç. Lehonë me fëmijën 6-muajsh në gji. Unë me vëllain Agakon katërvjeçar, e ndiqnim pas . Ç’kërkonin me nanën tonë?! I vunë në një shtëpi me dy kate . Ne rrinim në katin e dytë, ata rrinin në qur( bodrum)
Më vonë i vunë benzinë e i dogjën.Doli edhe ajo….O , Zot !!!Edhe dhëmbët i ishin djegur ! S’kisha parë dhëmbë të djegur kurrë.Nga gjiri i saj kullonte gjak.Flokët e saj të bukur nuk ishin më….Qamë fort. Fort.
Një grek më hodhi në tokë me inat greku, si i themi ne, sa balli m’u gjakos shumë.( me duar më tregon plagën e ballit që është ende e freskët edhe tani , pas 61 vjetësh.) Ca gra shkuan te shtëpia e Tasim Muhedinit.Me gjyshe Asijen e dërguam nanën tonë te shtëpia e Sali Nafuzit.U bëmë burra 6-vjeçarë..Ajo e shkreta e dinte se ç’hiqte.
-Ç’do moj Sano?-i thoshte gjyshja Asije .
Ajo s’fliste ,por me duar te buza tregonte se donte ujë, ujë.Det me ujë ishte Paramithia ,por aty s’kishte ujë.O , Zot!E vumë në disa dega vidhi dhe e tërhoqëm zvarrë deri në shtëpinë tonë.E mbyllëm në shtëpi.Çudi , thoja me vete . Si do vdesë nana ime pa rroba në trup.. E xhveshur .Dy ditë më vonë zuri krimba . Një natë e dërguam në një istikam dhe e lamë aty…..Ai ishte varri i saj….

 

Rrëfimi i Besim Nurit

 

Besim Nuri është me të vërtetë një burrë i bukur me ca mustaqe e me një të folur të shtruar e të mençur . Një njeri i zoti, i dashur , mikpritës. Të gjithë ata që e njohin, që në takimin e parë, thonë se “nglan ka fisi”Edhe ai ka rrëfimin e vet për Nurenjtë . Se edhe ai është një filiz i fortë i këtij fisi të nderuar.

…Gjyshe Faikaja ( një emër shqiponje e ardhur nga Paramithia), ose nana jonë si i thonim ne , rriti 9 nipër e 7 stërnipër. Dinte të bënte djathë e gjizë si një baxheshë që ua kalonte edhe më zanatçinjve që janë sot në të gjitha fshatrat e vendit . Nuk i kujtojmë gjellët e bakllavatë e saj që ua kalonin edhe kosit të mirë.Adilja ia lante faqolet ( shamitë e bardha të kokës që mbajnë gratë çame) që i kishte të bardha si shpirti i saj.
Kur dikur uji ishte i pakët në lagjen tonë ( ka jetuar te Tregu i Çamëve) që në orën katër të mëngjezit ngrinte nuset e fëmijët . “Ngrihuni, moj ju pastë nana !Mbushni ujë se duan njerëzit që vijnë në pazar. Hë , hajdhjaret e nanës !”Kur vinte ora e shkollës , prapë si një orë e pagabueshme, iu thoshte atyre që do të shkonin në shkollë:”Hë , të keqen nana, greu se u bë shkoho për në shkollë!”
Kur kafja ishte me pakicë, në shtëpinë e saj , do të gjendej gjithmonë një filxhan kafeje për të gjithë tregtarët që vinin këtu , të njohur e të panjohur.Vetëm dy fjalë nuk tha ajo në jetë “NUK KAM! NUK JAP!”Kadriu , Adilja e Fatlinda e panë këtë respekt në formën e një mirënjohjeje kur ajo ndërroi jetë .
Disa tregtarë shkodranë u nisën direkt nga qyteti i tyre për të pirë me respekt kafen e fundit të rahmetit për “plakën që nuk i linte asnjëherë pa bukë e ujë e kafe”
Dikush tha se ‘plaka të tilla lindin një herë në 100 vjet”….Dera e Nurenjve mbetet e hapur për kulakë e komunistë ,për të pasur e të varfër, për jetimë e familjarë.. E në pragun e kësaj shtëpie përherë ishte e është ajo, e papërsëritshmja nënë Faikaja .
Vetëm një herë u zemërua nënë Faikaja . Keq u zemërua. Kur shteti donte që t’iu hiqte djemve delet , bagëtitë. Mos iu duket çudi që edhe pse janë tregtarë qytetarë që prej 60 vjetësh dhe janë pionierët e Tregut të Çamëve , nuk e harrojnë traditën e bagëtive . Njëlloj si në Çamëri. Si në Paramithi.Sot ata kanë 800 dele , 10 qen, 3 kuaj e 30 dhi.
“Para disa viteve ,për herë të parë ,- thotë Besimi,-edhe unë shkova në Paramithi, tek vendi i gjyshërve të mi.Te vendlindja e babait tim.Isha me 7 djem mundës të Tiranës . Hoqëm shumë për ta gjetur shtëpinë
Nuk na e tregonin. Nuk donin që të na e tregonin. Disa gra të moshuara dilnin nga dritaret e futeshin si në përralla, si gra memece.”Ku janë shtëpitë e Nurenjve ?” -pyesnim pa pushim.Më në fund e gjetëm. Na ndihmuan dy plaka. Edhe ato me frikë.”Ja , shtëpitë e Nurenjve , -na thanë, janë shtëpitë e agallarëve të Paramithisë”Na kujtuan se ishin marrë me blektori,gjë që ne e dinim që më parë .”
Rrugës pamë edhe bustin e famëkeqit Napoleon Zerva.Na u shfaq fytyra e djegur e gjyshe Sanije Nurit.Emrin e kriminelit e pamë edhe në një rrugë të Janinës ku hëngrëm drekë. Na ngeci në fyt buka e uji që pimë në rrugën me emrin e Napoleon Zervës…..

 

Rrëfimi i tretë….

 

Në rrëfimin e tretë duan të flasin të gjithë . Për një ore aty , nën hijen e një vreshte ,ku kokrrat e rrushit ishin gatinë të pjekur , nisi një bisedë krejt familjare . Sikur të ishim njohur prej kohësh . Kryetari i SHPA “ Çamëria “ Servet Mehmeti , miku im sekretari i degës së Tiranës Nexhat Mergjyshi , ma plotësuan edhe më shumë portretin e kësaj familjeje kaq të nderuar me nipërit e mbesat e tyre. Nip Ramiu dëgjonte e lexonte. Mbesa sybukur Sanije tregon se ky prag , ashtu si vetë Çamëria ndjen gjithmonë përtëritjen, mbijetesën .Emrat e të rënëve e të atyre që janë larguar nga kjo jetë , janë vënë në fëmijët që kanë lindur e do të lindin më vonë .Nënat e nderuara Zekije Nuri e Behije Memko tregojnë se palca çame asnjë herë nuk dobësohet.
Do të donim që në këtë bisedë vëllezëish të kishim 130 burrat e fëmijët e këtij fisi të nderuar dhe aq të sakrifikuar për Çamërinë.Dikush na sjell fotot e vitit 1949 , kur çamët porsa kishin ardhur në Shqipëri.Dikush na sjell fotot e Nënë Faikasë. Në respektin për këtë familje futet edhe inxhinier Bashkim Habilo, mik i familjes që është i lumtur se ka miq të tillë.
Pas pak Adileja do të martojë vajzën e saj që ishte pengu i nënë Faikasë e padyshim edhe emri i nderuar i kësaj nëne do të përtërihet sërish.
Në rrënjët e reja të jetës është puna që bëjnë Fadili, Besimi, Ramazani që u bënë iniciatorët e parë të atij tregu që më vonë do të merrte emrin “Tregu i Çamëve” e do të njihej në tërë Shqipërinë.Djemtë e Nurenjve “pushtuan” fushat e futbollit , pistat e atletikës , tapetet e mundjes ….duke nderuar veten , Çamërinë dhe mbarë Shqipërinë në Ballkan e Evropë.
Në gjoksin e Kadri Nurit ,ish mundës i talentuar , rreshtohen sa e sa medalje kombëtare e ndërkombëtare sa të gjithë sportistët e rinj të këtij sporti do ta kishin vërtet zili.Denisi , djali i tij , është një tjetër kampion i ri në këtë fushë.Lutfi Nuri, është një dashamirës e patriot i vërtetë kur i qëndron besnik sponsorizimit të ekipit të Tiranës në futboll.Me punën e tyre të ndershme ata sponsorizojnë herë pas here veprimtari të ndryshme që bën Shoqëria “Çamëria” e, sa herë iu kërkohet ndihma e japin atë me bujari siç ndodh me disa numra të gazetës ‘Çamëria “,ose për libra që kanë temën e Çamërisë. Falenderimet nuk kanë fund për ta . Në këtë grup njerëzish të nderuar duhet kujtuar edhe Namik Nuri që nuk jeton më . Ky gojëëmbël që gjithashtu sponsorizonte sportin .
..Sërish më erdhi në mendje Paramithia . Shumë qytete , fshatra, kështjella e treva të tjera çame vizitoi udhëtari e studiuesi anglez Eduard Lear. Dhe i pikturoi.Kur shkoi në Paramithi, ai tha i mrekulluar :”Ky qenka qyteti më i bukur i Shqipërisë “
Më erdhi në mendje Monumenti i këngës që mund të ishte kaq i lartë sa ajo për Sanije Nurin.Një këngë e përzier me dhimbjen popullore . E përzier me detyrimin për të gdhendur kujtesën te brezat.Sa të thjeshta vargjet e këngëtarit popullor nga Karbunari i Paramithisë.Po edhe sa tragjikë!
Shkruaj penë , shkruaj / për Paramithinë /ç’holqi kjo e gjora /të gjithë e dinë /
Dhe më tej shfaqet sërish Ajo kufomë e djegur që ecën e kërkon ujë ku s’ka. Simboli i tragjedisë çame :Sanije Bollatin /me benxinë e dogjën / se desh mbrojë nderin / nga grekët e poshtëm…
Në vargun e pafund të rrëfimeve për Nurenjtë e Çamërisë , unë the me plot gojë : “Çamëria rron! Çamëria e ka të nesërmen në sy! Çamëria e ka ëndrrën e Kthimit e të Përtëritjes!
Është Përtëritja me e bukur e më e fuqishme që mund të ketë një fis një komunitet, një komb.”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s