Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me novela ” Garderoba e ofiqarit gri ” të autorit Shefki Karadaku.

 

12495154_10207456141594406_701542316444909971_n

 

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me novela ” Garderoba e ofiqarit gri ” të autorit Shefki Karadaku.

 

 

Titulli : Garderoba e ofiqarit gri

Autor : Shefki Karadaku

Redaktor letrar: Aleks GJINAJ

 

Botimi i parë, 2016

ISBN: 978-9928-204 72-1

Formati : 14x20cm

©: Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Tirazhi 250 kopje

 

 

Roland-Lushi

 

Përgatiti për botim: Roland LUSHI

 

Botimet ADA

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, mars 2016

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

 

Karadaku, Shefki

Garderoba e ofiqarit gri : 20 novela / Shefki

Karadaku ; red. Aleks Gjinaj. – Tiranë : Ada, 2016

200 f. ; 20.5 cm.

 

ISBN 978-9928-204-72-1

 

1.Letërsia shqipe 2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

 

BASHKEBISEDIM ME SHKRIMTARIN SHEFKI KARADAKU

 

 

KONAREL – Ku jeni lindur dhe në ç’vit ?

 

SH.K – Unë jam lindur në Elbasan , më 9 qershor të vitit 1941, në një lagje tradicionale të quajtur Spahikorre. Babai im ishte mësues, ndërsa ime më, ashtu si shumica e grave të asaj kohe, ishte një shtëpiake e përkushtuar ndaj familjes sonë numeroze. Nëse ju shpie sot në Spahikorren e fëmijërisë dhe rinisë sime, do të zhgënjeheni menjëherë dhe do të pikëlloheni kur të shihni sesi është dëmtuar ajo lagje, që për fat të keq , nuk e ka pësuar e vetme as në Elbasan dhe, as në Shqipëri.

Banesat e traditës , të mbetura ende tashmë, janë një dëshmi që dënon dhe akuzon, por, kë? Zyrtarisht nuk bëhet asgjë, shkatërrimet vazhdojnë, teksa ajo që ndërtohet është e shëmtuar, inponohet dhunshëm tek e dëmton lëvizjen e lirë urbane dhe, i merr frymën qytetit dhe banorëve të tij. Shoqëritë civile janë të ngathta , nuk veprojnë dhe nuk japin rezultat, kështu që spekulantët vazhdojnë të pashqetësuar të fitojnë e të fitojnë , duke ndërtuar pa kriter. Ne, në Spahikorre i adhuronim pemët, veçanërisht ullinjtë ; unë si poet ,ca më shumë dhe, si të isha një druid i vërtetë.I kam kushtuar edhe një vjershë të veçantë njerit prej ullinjve të Spahikorres. Pale pastaj , shelgjeve dhe karakfteve hijerënda, apo shtegtimet magjepsëse të shpendëve ! Megjithëse jam një familjar i rregullt dhe përgjithmonë i obliguar, shpirtin e kam prej bohemi të çliruar dhe të papërmbajtshëm…

 

 

KNR – Ç’vend zë te ju Elbasani edhe sot e kësaj dite ? A shkoni shpesh atje dhe, a e konsideroni një vend pelegrinazhi ? Apo thjesht hidheni gjer atje sa për të shuar mallin , për të takuar ndonjë mik me të cilin të ktheni një gotë ?

 

 

SH.K – Elbasani , vendlindja ime pra , edhe sot e kësaj dite është adn- ja ime e pandryshuar . Le t’i referohemi cilësorit tënd të parë : unë shkoj shpesh si pelegrin dhe ,të mos harrojmë ; pelegrini, veç tempullit , falet edhe te varret dhe unë kam varret e të parëve të mi, gjer edhe të prindërve të mi. Le të prishet sa të dojë Spahikorrja dhe Elbasani në tërësi; unë di ta gjej dhe ta shoh dekorin e tij të hershëm krejt instinktivisht dhe fare lehtësisht .Unë nuk jam kurrë kundër së resë dhe zhvillimit, por po vihet dorë aq keq , në ato çka po ndërtohet , sa ato pak shtëpi tradicionale që kanë mbetur , duken si disa vjetërsira që të zënë rrugën …

Por unë poeti i shqetësuar e ku nuk jam e ku nuk vete si një pelegrin!

KNR – Është e vërtetë ; shkatërrimi në një lagje tradicionale , ndihet lehtësisht , edhe në atë rast , kur ti nuk e njeh historinë e saj dhe , nuk e ke vizituar në ato vite, kur ajo ka qenë e paprekur. Por një pyetje – klishe, por e pashmngshme njëherësh është edhe ajo që do t’ju drejtoj tani : kur keni filluar të shkruani , çfarë ju ka nxitur, apo çfarë ju kushtëzoi, nëse fillimet e shkrimtarisë suaj , ngërthejnë ndonjë element të pyetjes sime.

 

  1. K – O, nuk di ta them se cila ka qenë përnjëmend fillesa e shkrimtarisë sime. Diku një vjershë e paruajtur, diku një ditar me ca fletë të grisura, apo të munguara, pra s’di ta them, por pastaj letërsia u bë vetë jeta ime, nisën botimet e vjershave të para nëpër gazeta dhe revista letrare dhe , kaq. Por po qëndroj ca më gjatë në pyetjen tuaj , duke ju ofruar edhe disa eksperienca të këndshme dhe të lezetshme të njërit prej kolegëve të mi. Ja, t’ju rrëfej : në shtatëvjeçare, të cilën e kemi kryer së bashku , ai filloi të shkruajë letra dashurie ( kështu po i quajmë !) për llogari të shokëve të tij, të cilat ata më pas, ua jepnin të vluarave të tyre në dorë me një gjest kalorsiak arkaik dhe qesharak. Ah, ç’situata të mrekullueshme ktrijoheshin në atë kohë !

 

Por pas këtyre letrave , ky birboja , siç edhe vetëkuptohet, filloi të shkruajë letra dashurie për hesap të tij , si të thuash. Epo ja, përmes këtyre aventurave platonike, një ditë e pamë veten të tërë në rrethin letrar , te Pallati i Kulturës.Kështu që më tej, gjithçka i përkiste letërsisë…

Brezat e parë të pasluftës, Luftës së Dytë Botërore, të mos harrojmë që e filluan jetën me entuziazëm të madh. Shqipëria rindërtohej ngado, komunizmi ishte një aspiratë mbarëbotërore dhe, qeveria shqiptare , ashtu si edhe e të gjithë vendeve të tjera të ashtuquajtura demokraci popullore, hartonin plane me programe të gjera zhvillimi dhe shtim të vrullshëm të popullsisë të përgjysmuar dhe të gjymtuar nga lufta . Programi baby boom i atëhershëm e dyfishoi menjëherë popullsinë në Shqipëri, por emancipimi i shoqërisë dhe , veçanërisht i gruas, solli një vetpërmbajtje të lindjeve. Jo, sepse nisi planifikimi familjar, sepse ky planifikim , siç e dini, nisi shumë më vonë, por ngaqë femrat shqiptare , jo vetëm që nuk ishin më shtëpiake të mvarura dhe pronë e gjallë e bashkëshortëve , por përkundrazi, ato arritën të ishin më të arsimuarat në krejt rajonin e Ballkanit. Për pasojë, ato dëshironin të kishin më pak fëmijë ( numëri u fiksua në dy ) që t’i ushqenin , t’i edukonin dhe t’i shkollonin siç duhet dhe, ato vetë të zhvillonin një jetë të vërtetë prej qytetareje, që të bëheshin pedagoge, inxhiniere, por edhe shkencëtare…

 

 

KNR – Dhe erdhi libri i parë. Atëherë ky botim , do të thoshte shumë; bëhej një gur kilometrik , në rrugën e gjatë të krijimtarisë dhe, të impenjonte seriozisht për më tej. Libri i parë shpesh të anëtarësonte në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve , të hapte rrugën e botimeve të mëtejshme , të siguronte madje , edhe leje krijimtarie me shpërblim të veçantë. Çfarë do të dëgjonim nga ju për librin tuaj të parë; sa do të ndaleshit ju tek ai ?

 

 

SH.K – Libri im i parë titullohet Këngët e Karrove të Drithit. U botua në një kohë shumë të artë për poezinë, tek e cila atëherë kishte mjaft vëmendje. Ky libër, së bashku me disa vëllime të tjerë si Ne Njëzetvjeçarët, i Musa Vyshkës, Lirikat e Majit, i Koçi Petritit ndenjën për një kohë goxha të gjatë në vitrinat e kursyera të librarive kryesore si, te Rruga e Dibrës, Rruga e Barrikadave, Rruga e Durrësit etj.Veç kësaj , këto vëllime u botuan me një tirazh krejt të paarritshëm për sot. Mendo aktualisht, libraritë nuk i pranojnë kurrsesi vëllimet me poezi; nuk na shiten thonë. Sot librat i zhdukin nga stendat dhe vitrinat veçse pas pak ditësh, si të ishin këmisha me mëngë të shkurtra , që i heqin sapo ikën vera . E shkreta poezi si e ka pësuar ! E kanë bërë lanet ! Po përdor këtë fjalë nga orienti, sepse asnjë fjalë tjetër nuk e shpreh me aq densitet shqetësimin dhe dertin sa kjo, e përdorur shpesh te formulat e mallkimit. A mund të vazhdoj ? E pra, libri i parë në ato vite, konsiderohej nga disa si haraç ( prapë me një fjalë nga orienti ) që duhej të paguhej ndaj Partisë dhe, për pasojë , nxitojnë t’i mohojnë këto libra, këta fëmijë të parë të dhimbshëm , duke i sharë me poza donkishoteske , çka i bën të pavërtetë dhe të pështirë . Unë, nga ana ime e kam të shtrenjtë librin tim të parë ,me karrot plot drithë dhe motive vendlindjeje…

 

 

KNR – Në jetën tënde , tërë vitet e punës gjithsej njëzet , në kuptimin zyrtar , pra dhe juridik të kësaj fjale, i përkasin angazhimit tënd në revistën e mirënjohur Ylli, që për koicidencë , e kishte redaksinë te Rruga e Elbasanit. Ç’kujton më së pari ti nga veprimtaria jote në atë zyrë, dritaret e së cilës binin në një rrugë të hijeshuar me gështenja të egra ? Degët e këtyre pemëve përkëdhelnin edhe xhamat e dritareve , apo jo ?

 

 

SH.K – Eh, ajo shfaqja e stinëve aty në dritaren e punës , ishte vërtet e bukur dhe prekëse. Dhe , sa romantike ! Në dimër degët gri të gështenjave t’egra, ishin në sfondin e bardhë të reve ca shkrime me kumte të pakuptueshëm. Në pranverë këto degë mbuloheshin nga një gjelbërim shpërthyes ngjyrëlehtë që e shkëlqenin perlat e shirave tekanjozë, ndërsa në qershor , në mes gjetheve dilnin kurorat konike përplot lule…

Vjeshta te këto drurë praron për një kohë të gjatë, ngaqë gjethet e tyre këputen me vonesë, dhe atëherë një pikëllim i ëmbël të përfshinte të gjithin …

Por më lejoni të vazhdoj.

Atyre njëzet viteve të paharueshme që kalova te revista Ylli , te kjo revistë e dashur për të gjithë lexusit në atë kohë të varfëruar , le t’i shtojmë edhe ca muaj, gjithashtu të paharueshëm që i kalova në një fshat të humbur të rrethit të Elbasanit.Jepja mësim në një shkollë fillore dhe për të mbërritur gjer atje, kaloja mes për mes një pylli të errët dhe të lartë malor, heshtjen pllakosëse të të cilit e shprishte befasisht veçse kënga e vetmuar me tingull metalik e një zogu që unë s’arrita ta shoh asnjëherë.Por pas kësaj kënge të vajtueshme që ma shponte kraharorin, gjendesha në klasë përballë nxënësve të mi të vegjël, të varfër dhe të urritur aqsa s’tregohet dot , por njëherësh, lavdi Zotit, edhe të etur për të mësuar.Atëherë , prototipi i mësuesit të fshatit paraqitej në artet figurative me një shall në qafë, zakonisht të kuq, dhe me një radio Iliria ndër duar , tek çante dëborën, duke dëgjuar me krenari false lajmet e Partisë dhe këngët revolucionare.Por sa ndryshe ishte në të vërtetë mësuesi prej mishi dhe kocke në terren…

Të mos harrojmë ; po flasim për vitet që i përkasin plotësisht komunizmit. Nostalgjia zbukuron dhe retushon gjithmonë vuajtjet e së kaluarës , sidomos kur nostalgjia vetë kthehet në retorikë dhe, për më tepër, edhe në patologji.

Gjatë viteve të vrullshme , kur unë punoja në revistën Ylli , gjeta shoqen time të jetës, Nadon, shkrova dhe botova disa libra, gjithashtu shkrova në fshehtësi të plotë dhe gjithë shqetësim e frikë edhe librin tim me poezi, më përfaqësuesin madje ,të kësaj gjinie dhe më të arririn nga ana ime, të titulluar metaforikisht Feniks…

Këto poezi unë i kam quajtur vjersha të sirtarit, për faktin se, pasi i shkruaja, i fshihja mes ca letrave të tjera të parëndësishme, në një sirtar të mobiljeve të zyrës, i cili s’para hapej .

 

 

KNR – Pas ndërprerjes së botimit të revistës Ylli më 1991, ju patët në vazhdimësi eksperienca të tjera me nxjerrjen e disa gazetave dhe më pas themeluat , në bashkëpunim me një kolegun tuaj, shtëpinë botuese GLOB; duhet theksuar ,nga të parat shtëpi botuese në Shqipërinë postkomuniste.

 

 

SH.K – Në fillim kjo eksperiencë e re më jepte kënaqësi tek e ushtroja; mendo nga censura e rreptë komuniste arritëm deri aty sa të botojmë absolutisht çfarë dëshironim, por më pas , kur librat që nxirrnim , filluan të mos shiteshin aqsa ç’na nevojitej për të rikuperuar shumat e parave , të domosdoshme për vazhdimësinë e mëtejshme të aktivitetit , u largova prej kësaj shtëpie botuese, teksa kolegu im vazhdoi , duke e modifikuar logon e editorit.

 

 

KNR – Dhe….

 

 

SH.K – Fillova të punoj me kohë të plotë për krijimtarinë time letrare. Shkruaja shumë , iu kthehesha herë pas here sinopseve të mia të pafundme , ngjarjeve më të rëndësishme gjithashtu dhe, nuk reshtja së përmbylluri roman pas romani e tregim pas tregimi. Në gjininë e romanit, vepra më e rëndësishme, dallueshmërisht më e rëndësishme , është romani – epope , trilogjia e titulluar Saga Mbretërore .

 

 

KNR – Po sot ?

 

SH.K – Ah, sot, domethënë tashmë, kam nisur një proces, që zgjat vetvetiu në kohë; po rinovoj të gjithë korpusim tim letrar , të përbërë nga mëse tridhjetë tituj, ku përfshihen , poezitë, tregimet dhe novelat dhe, romani. Sapo ka dalë nga shtypi edhe libri me tregime Garderoba e Ofiqarit Gri, i cili shpresoj t’i përmbushë pritshmëritë e mia për sukses…

 

 

KNR – Falemiderit dhe, urime edhe nga ana ime ! 

 

 

Bashkëbisedoi

KONAREL

Tiranë 201

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s