KËNGA E MINUSHIT / Esse nga Resmi Osmani

Resmi Osmani - 1

Esse nga Resmi Osmani

 

 

KËNGA E MINUSHIT

 

      Kujtimit të Fatos Mero Rrapajt,

       mbledhës i folklorit  çam.

 

 

Në të ritë e mi, kur shkoja  për vizitë te një i afërm, rastiste që ai mbrëmanet pinte një gotë raki, me pak gjizë dhe ca thelpinj hudhre. Aq  i lejonte ekonomia.

Ndryshe nga natyra e tij, serioze dhe e heshtur, ndodhte që bëhej i përmalluar dhe i hipte dëshira për të kënduar. Thërriste të shoqen dhe i thoshte të këndonin tok Minushin. Ajo nuk ja prishte. Këndonin qetë, zëulët varg pas vargu, deri në fund. Kur e mbaronin, ndjeheshin të mallëngjyer.

E pyeta për këngën dhe ai më tha gjithë sa dinte. Shumë vite më vonë, kur më lindi interesi për letërsinë dhe folklorin çam, që më shërbeu për të shkruar katër tregime, që  i përfshivava në vëllimin “Edhe yjet vdesin”[1], m’u kujtua edhe kënga e Minushit, por ime shoqe, më tha se boll tregime të dhimbshme me fund tragjik kisha shkruar dhe se jeta, ka edhe ngjarje të gëzuara. E dëgjova. Në vend të atij tregimi që s’u shkrua, po hartoj këtë ese për këngën e Minushit e cila, në Çamëri dhe jugë të vendit, por edhe në Greqinë e Veriut, bashkë me këngët dhe vallet e tjera ”Çamiko” është shumë popullore, këndohet dhe melodia e saj kërcehet në dasma.

Përmbajtja e  shkurtër : në kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona: Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë. Resuli, në pije e sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij!

      Vendi  dhe koha e ngjarjes. Nuk dihet me siguri, por mund të jetë Parga, Gumenica, nuk përjashtohet edhe Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane, por edhe pakica shqiptare ortodokse. Kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslymanëve nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk. Shpjegime për këtë do të japim  më pas, kur të trajtojmë personazhet e ngjarjes.     

     Personazhet. Janë nga paria e qytetit. Ata thirren agallarë, pra nga shtresa e kamur, e fisme, me ofiqe dhe prona. Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qënë i rënë nga vakti.  E them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin kopilet, ndërsa gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë. Birbili është bashkqytetar i tij shqiptar e kjo kuptohet nga emri. I treti, Resuli mund të ketë qenë kajmekami turk  i vendit. Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej i sigurtë, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia lejonte pushtllëqet. Të tre kanë qënë burra në moshë të pjekur. Zonja e Minushit, e quajmë kështu se emri i saj nuk përmendet, herë quhet grua, herë zonjë,  por edhe nuse.  Pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme.  Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë. Për këtë dëshmon  e thëna në këngë se ajo kishte disa fëmijë.

    Intriga. Para se të rrëfejmë sesi thuret rrjeta e merimangës dhe si derdhet helmi i intrigës në kupën e xhelozisë, dua të bëj disa përqasje, që janë jo vetëm shqiptaro-ballkanike, por edhe mesdhetare. Një është shtysa  intriguese: nakari, cmira, zilia, dashakeqësia e kajmekamit në dëm të shokut të tij të pijes,Minush Agait. Kushedi se për ç’arsye, ose thjesht nga ligësia dhe vese të tjera të karakterit turkoshak që, lakmonte gjënë e tjetrit dhe  pamundësia për ta bërë të vetën atë. Mjeti i realizimit të intrigës është fjala, ngaqë fjala vret njësoj si plumbi.  E thënë ndryshe, gjuha nuk ka eshtra, por eshtra thyen. Fjala  thuhet, kur avujt e alkolit kishin turbulluar gjykimin dhe për ta bërë të besueshme të thënën,  sillet si dëshmi vendi i ndodhjes së takimit,  kroi, një vend i vërtetë e i besueshëm   dhe shamia, si shenjë materiale intime, ndofta një mashtrim, por që shfaqet si një e vërtetë intriguese e pranimit dhe pëlqimit të saj(zonjës së Minushit) për bandillin që i vardisej. Burimi i ujit(kroi), është një element thjesht shqiptar. Te burimi e takon Milosao Rinën në poemën e De Radës. Ne kroi takohen e shihen vashazt me trimat e këngëve lirike dashurore çame. Shamia na kujton përngjasimin me Otellon e Shekspirit, ngjarjet e të cilit ndodhin në një ishull mesdhetar. Por “Desdemonës”çame, nuk i vjedhin shaminë, por gjoja i japin një shami xhepi të zotrisë sqimqtar, për ta larë në ujin e kroit, e shoqëruar kjo  gjoja edhe me disa fjalë, kuptohet që ato ishin dashurore, bukurilavdëruese dhe që gjasme asaj i pëlqyen! Është  ky binom shami-fjalë, në sfondin intim të kroit, ku të dy askush s’i pa, askush s’i dëgjoi, që e zemërojnë tmerrësisht, i grryejnë zemrën dhe i errësojnë arsyen “Otellos” çam që e bëjnë të besojë në tradhëtinë dhe fajësinë e të shoqes dhe nderin e përdhosur prej saj. Arsye e mjaftueshme e nderit të dhunuar, për një burrë sedërqar, që në pamundësi të ndëshkimit të kajmekamit pretendues, e prijnë  atë drejt krimit, për të vrarë zonjën e tij, që është vetë pafajësia.

    Krimi. Krimi në famile është i vjetër sa njerëzimi. Le të kujtojmë Kainin,djalin e Adamit, që vrau vëllanë Abelin, apo perënditë e panteonit olimpik që etërit vrasin bijtë dhe bijtë etërit, kanë ndodhur qëmoti dhe ndodhin sot e kësaj dite, mjafton të dëgjohet kronika e zezë në  lajmet. “Minush aga qe i pirë vajti në shtëpi/Mori thikën dhe e theri,o gruan e tij.” Fjalën “ qe i pirë” , mund të merret edhe si fajësim, por edhe si justifikim. Dehja është njeri shkak,por nxitja për krimin ishte fyerja intriguese që i lavdroi bukurinë e së shoqes dhe flirti, gjoja me Resul Agën, pohuar nga vetë ky.

Bëhet natyrshëm pyetja: pse pikërisht rasti i Minushit u përjetësua nga poeti popullor në këngë, e cila ka të paktën nja njëqind e ca vjet  që i qëndron kohës? Besoj, se për qytetin e vogël e të qetë, ku të gjithë e njihnin njeri-tjetrin, kur  ndodhi krimi, ishte tronditje e llahtarshme, rrënqethëse, e papritur dhe e pangjarë më pare. Ishte , siç thonë çamët, një thiamë. Na lejohet ta mendojmë, se  zonja e Minushit, përveçse e bukur, e hirshme dhe e nurshme,(një bukuri çame), ka qenë e respektuar dhe e nderuar nga bashkqytetarët e saj, si zonjë e virtytshme, me sjellje shembullore,  e pëlqyer, e shkuar dhe e gjindshme. Mbarimi i saj tragjik ka qenë i papritur, i papërligjur, i pa motivuar dhe pafajësia e saj ka qenë e pranuar nga të gjithë. La pas fëmijët jetimë që do të rriteshin pa nënë. Vetë ngjarja, nga mënyra si ndodhi, është një thirrje për të mos i besuar intrigat dhe se pija e tepërt, e marros dhe e  shpie burrin deri në krim . Ky është mesazhi i këngës.

Teksti i këngës. Kënga e Minushit,me rrjedhjen e kohës dhe nga ata që e kanë kënduar, ka disa motërzime, besoj të rrjedhura nga variant i parë, ai çam. Mesa duket këngëtarët, kanë bërë ndryshime dhe spostime të vargjeve, por pa sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm në përmbajtjen e saj. Më i besueshëm, si burim i pare, më duket varianti  çam,që e këndon Idajet Ibrahimi. Pothuajse po ai tekst  këndohet edhe nga Ilir Hysi dhe Pëllmb Zotaj. Teksti ka katërmbëdhjetë vargje dymbëdhjetë rrokësh. Në teknikën e thurjes, ka vargje të bardha, por edhe të rimuara me rimë të puthur. Gjuha është e thjeshtë dhe mungojnë stilizimet dhe figurat. Teksti është si një njoftim, si një komunikatë për llauzin, e hartuar menjëherë pas ngjarjes, si kronikë e ditës që kumton për një ndodhi tronditëse. Në të katërmbëdhjetë vargjet, ka katër kulminacione: Vargu i parë, është kushtrimi që me një fjalë të vetme, paralajmëron gjëmën, që ne akoma nuk e dimë. Në gjashtë vargje të tjera, thuret intriga, që ka për bazë të pavërtetën.Në dy vargje të vetme rrëfehet krimi. Për ta bërë të lemerisshëm, nuk thuhet “E vrau gruan e tij” por:”Theri” gruan e tij!

Pendesa.  Në pjesën e fundit është pendesa. Minush aga, të nesërmen, kur i del rakia dhe ndërgjegjësohet se ç’hata ka bërë, dhe kur nusen e tij e kanë varrosur të tjerët, ndjehet thellësisht fajtor dhe i penduar. Ai  vete  te varri. Ja fjalët që i thotë së shoqes: ”Çohu grua, çohu vishu, se un bëra faj/  Çohu vishu e stolisu, dil në shoqëri/ të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri”. Në një motërzim tjetër është edhe vargu:”Çou moj grua, çou moj zonjë, se kemi fëmijë!” Minush aga i penduar kërkon të panatyrshmen, që zonja e tij, si në baladat, të ngrihet nga varri dhe të kthehet në jetë! Por tashmë është vonë. Pendesa është e padobishme.  Të vdekurit nuk ringjallen.  Ajo mbetet nën dhe, por thuret dhe këndohet kënga, që e bën të paharrueshme.

Teksti i plotë i këngës jepet në fund të kësaj eseje.

       Kënga. Ka karakter elegjik, këndohet nga një solist. Është e thjeshtë, me shtrirje horizontale, gati të njëtrajtshme nga vargu në varg, me ulje ngritje në çdo fjalë, por që kanë të njëjtën ritmikë e lartësi tingëllore.Nuk ka refren, por çdo varg përsëritet dy herë dhe fjalët shqiptohen qartë e të theksuara e për të dhënë përjetimin ideo-emocional, ato janë po aq të rëndësishme sa edhe melodia. Në orkestër mbizotëron klarineta, e cila nxjer tinguj drithërues e rrënqerhës për të vënë më mirë në dukje ngjarjen  tragjike, që i kushtohet  kënga. Llauta dhe dajrja mbajnë ritmin, por pa zbehur zërin e solistit. Në ditët tona, vihet re prirja për t’i dhënë ritëm më të shpejtë, por kjo nuk i shton vlerat dhe nuk i shkon përshtat toneve elegjike. Përkundrazi.

Melodia e Minushit, në jug të vendit dhe aty ku jetojnë bashkësitë çame, kërcehet në dasma si valle, por edhe si valle e kënduar. Edhe vallja është e thjeshtë, tre hapa para, dy në vend, tre prapa,dy në vend e përsëri përpara. Në valle, melodia është diçka me ritëm më të shpejtuar.

Prill 2013

 

 

KËNGA E MINUSHIT

 

Zgjo Minushin, zgjo Birbilin, zgjo Resul aga!

Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.

-Të bukur grua(nuse) që paske, bre Minush aga!

-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?

-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,

I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,

I thashë nja dy-tri fjalë,ajo m’i pranoi!

Minush aga qe i pirë,vajti në shtëpi

Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!

Të nesërmen që i del rakia vajti te varri:

Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,

Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,

Çohu vishu e stolisu,dil në shoqëri,

Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!

 

Prill 2013.

 

[1] Edhe yjet vdesin!,tregime, Tiranë 2011

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s