Cikël poetik nga Sadik Krasniqi

 

sadik Krsniqi

  Sadik Krasniqi

 

 

Sadik Krasniqi u lind më 24 maj të vitit 1961 në Llukar afër Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa fakultetin, Letërsinë dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Sadil Krasniqi që në moshë të re është marrë me shkrime, kryesisht me poezi.Poeti Krasniqi ka formim filologjik të mirëfilltë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani (LSHKAGJ) si dhe Lishjes se Krijuesve  Shqiptarë në Mërgim(LKSHM). Sadik Krasniqi deri më tash ka botuar 3 libra me poezi; „Ofshamë në urnë“, Prishtinë, 2008, dhe është lauruar me çmimi “Azem Shkreli“ për letërsinë në mërgim „Oazë palmash të djegura“, Prishtinë, 2011. „Ag muzgu“, Prishtinë, 2014 Ndërsa libri me poezi , Lacrima vietii (“Loti i jetës“), është botuar në vitin 2010, në Bukuresht, përkthyer në gjuhën rumune nga Baki Ymeri. Sadik Krasniqi deri më tash është përfaqësuar në 5 antologji. Ky krijues është vlerësuar nga njohësit e letërsisë, për talentin e tij në poezi, dhe konsiderohet njëri nga poetët më të suksesshëm. Sadik Krasniqi deri më tash ka marr  disa çmime të para, të dyta, dhe të treta për poezi, në konkurset letrare brenda dhe jashtë shtetit.Disa poezi  te tija janë përkthyer në rumunisht,gjermanisht , frengjisht  si dhe  italisht . Sadik Krasniqi, prej vitesh jeton dhe krijon në Gjermani.

 

 

Cikël poetik nga Sadik Krasniqi :

 

 

KLLAPI E BLERTË

 

Te ky i shenjti krua

Me etjen e plasur

ujin  e  treqind pranverave pi

Plagët më gjelbërohen

 

Vorbullës fluskat ia heq

Ia gjej damarët e lagur

Hijes plot vesë të shelgut blu

 

Rrjedhen e tjerr me sy

Në rrjetën ujore

Bëhem merimangë e njelmët

 

Me pikla në buzë

Më zënë ethet e Zanës

Treqind vjet e pres një vetëtimë

Të ma heq nga bebëza kllapinë e blertë.

 

 

MIRËMËNGJESI

 

Nga një  mijë e  një net

të  një  mijë  e një fushe  të zezë

një  lule  hëne

për  mëngjesin e syve tu blu.

 

 

 SHI DHE TROK KALI

 

Në këtë natë me shi dhe trok kali

Shaloj hingëllimën e trembur

Mbërrij tek babai dhe  varri i çelë

Zë çastin e ndarjes

E puthë si të gjallë

Me urnën e pikëllimit

Ia marr lotin e mallit

Në thimbje më bie drita e kometës

E në qiell shndërrit nuri i tij.

 

 

U(R)NË  PRANË  LUMIT

 

Jam u(r)në  gjetur pranë lumit

plot dhembje me erë ashti

Ofshamë që dridhë

një gjeth të blertë mbi valë

 

Në zgavrat e syve

qiell i pafund

me një pikë të zezë me flatra

e dalë nga bebëzat e pëmallta

 

Edhe pas dymijë vjete

hirit m´i bën hije

krahu i dallëndyshes

me fluturimin gri drejt pranvere.

 

 

KURBETÇARËT

 

Shkojnë

dallëndyshe me pranverë në sy

 

nga oaza

me palma të djegura

 

kthehen

qyqe prej mërzisë

 

e vdesin nga pikëllimi

se as nëna s´është më.

 

 

KORALE TË PËRJERMËTA

 

Ecim mbi bar me këmbë të marra

mbi flokun tonë të llamarintë bie shi i imtë

shikojmë ylberin me sy të qelqtë

 

miklojmë zogjtë me gishtërinjtë e vdekur

vallëzojmë pa muzikë vallen e krahëve të këputur

në plagë me gjak të kaltër bie brymë

 

qeshim deri në kupë të qiellit

e pa pikëllim hyjmë në ujin e vdekur

bëhemi krejt korale të përjermëta.

 

 

 

ALKIMIA E NËNËS

 

Nëna nga gjiri i shkretë

nxori korën e thatë

shpirti mori udhën e bukës

deri te vera plot xixëllonja me erë kalliri

 

gërvishti gurin e pikëllimit

në plasën e etjes bulëza ranë

udha e ujit u blerua

deri te liqeri bebëzëhënë

 

nënës i shkoi buza në gaz

e u hapën portat e dritës

sytë i pikuan lot mallëngjimi

për qiellin e çelë

 

ende malli më çon te guri me shenjë gishtërinjsh

shoh kalli gruri mbi  varrin palmë të nënës

në atë fushë të blertë

që me fije bari qep liqenin me qiell.

 

 

 

MUZGU

 

Nënë

pse këto pemë

të vrugëta

në lumë ujë i zi

udhët e mugëta

 

ky qiell i dergjur

pa zogj të blertë

 

kjo perde e verbët

në sy

 

muzg

nënës

muzg është

 

a s´ka pasur diell

kjo ditë

 

ah sa shpejt

nata

mbi ëndrrën time

po bie….

 

 

 

FRYMA  JONË

 

Është diku

një dritë e një ditë

përtej verbërisë e zisë

 

përtej shkretisë e mërzisë

është një krua  e  një  grua

 

është

një bukë e një verë

përtej ligësisë e zymtësisë

 

përtej kohe  e yllësisë

është një frymë e   hyjisë.

 

 

VETMI   FLUTURE

 

Në valë

gjethi i Noes

me vetminë time  prej fluture

 

u marr erë katër stinëve  të dritës

 

deri  te stina e pestë

e natës së zezë

në oqanin e vdekur

 

bie  perdja  e frymës

 

bebëzat m´i merr  hëna

diell as qiell më

në sytë e mi.

 

 

PSALM  DËSHMIE

 

Madhëri

s´kam dorë

të vë mbi  librin e shenjtë

e të dëshmoj vetëm të vërtetën

se këta  më kanë gjymtuar

sytë m´i nxorrën

e gjakun e zi nga veshët

ma kanë plasur zemrën

e çmendur më kanë

sa s´po më bie ndërmend

se edhe  gjuhën ma kanë prerë

e vetë me vete po flas

i mjeri unë.

 

 

KAFKA IME

 

Nga shtëpia e vdekjes

marr me vete

kafkën time

 

pa sytë dikur  si lumi

pa flokët që janë bërë erë

pa rrudhat e ballit të bërë mendime

pa buzët plot lutje

 

s´mund ta varros

pa lotët e nënës

e pa hijen e qiparisit

 

si librin e moçëm me hieroglife

të  nxjerrë  nga  dora e vdekur

e lexuesit  të mbramë

e vë në raftin e pluhurosur

 

që pas mijëra vite drite

ta mbajë  engjëlli në pëllëmbë

duke i hequr pluhur yjesh

lules së ëndrrës.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s