Dr. Sc. Bedri Bahtiri: Fjala me rastin e promovimit të Librit “Hartimi i legjislacionit në Republikën e Kosovës” të Mr. Sc. Besim Kajtazi, botuar nga GIZ, Prishtinë 2016

 

Kopertina (1)

 

Dr. Sc. Bedri Bahtiri: Fjala me rastin e promovimit të Librit “Hartimi i legjislacionit në Republikën e Kosovës”  të Mr. Sc. Besim Kajtazi, botuar nga GIZ, Prishtinë 2016

 

 

Zonja dhe zotërinj të respektuar,

 

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në cilësinë e recensentit, të them disa fjalë në lidhje me librin e Z. Besim Kajtazit, me titull “Hartimi i legjislacionit në Republikën e Kosovës”, që po e promovojmë sot.

 

Fillimisht edhe e përgëzojë autorin – shokun dhe mikun tim të respektuar Besim Kajtazi si dhe Botuesin, përkatësisht GIZ-in.

 

Të jesh recensent i një libri të këtillë, të Mr. sc. Besim Kajtazi, ndërkohë që Botues është GIZ, është padyshim nder dhe respekt, mbase përgjegjësia është apsolvuar që në nismën e punës së këtij projekti studimor. Prandaj me këtë rast, duke e deklaruar respektin dhe admirimin tim të plotë ndaj Autorit dhe Botuesit, nuk mund ta fshehë dot as entuziazmin tim për këtë eveniment të mendimit juridik por edhe nacional përgjithësisht lidhur me hartimin e legjislacionit.

 

Njëkohësisht nuk mund të fshehë dot as faktin që me kureshtje më të madhe, i kam pritur krijimet e këtilla të Mr. Sc. Besim Kajtazi, si jurist por edhe si ithtar i devotshëm i pikëpamjeve të tij, veçmas në fushën e hartimit të legjislacionit. Kjo edhe për arsye se autoriteti i autorit, jo vetëm që është imponues për shkak të pikëpamjeve të rëndësishme juridike rreth hartimit të legjislacionit të këtij autori, por është edhe tejet respektabil në aplikimin e metodologjisë komplekse dhe teknikave bashkëkohore të hartimit të legjislacionit.

 

Kësaj radhe autori po na prezantohet me një libwr tejet specifik si në pikëpamje të vrojtimit dhe prezantimit praktik dhe shkencor, ashtu edhe në pikëpamje të qasjes metodologjike. Në të vërtetë, Libri që kemi në duar, është për shumë arsye ndryshe nga tekstet dhe manualet tjera të kësaj natyre të hartuara pas luftës në Kosovë. Librin  e bëjnë të ndryshëm aspektet metodologjike e veçanërisht angazhimet e autorit që përfundimisht të promovohet si autor në hartimin e librave në sferën e hartimit të legjislacionit dhe normo-teknikës në veçanti, pse jo edhe fushës juridike në përgjithësi. Librin e bëjnë të ndryshëm mendimet dhe pikëpamjet e kryqëzuara të më shumë autorëve, kryesisht të huaj, që lexuesit mund t’i ndihmojnë të përzgjedh mendimet dhe pikëpamjet më racionale, ato që i qëndrojnë më gjatë si kohës ashtu edhe hapësirës.

 

 

Ndër cilësitë e veçanta të librit do të veçoja angazhimin dhe përkushtimin e autorit që të përmbledhë, me një vend, gjithë atë që mund të thuhet për procedurat e hartimit të legjislacionit dhe teknikave juridike. Vetë ideja e tij që të hartohet një libwr gjithëpërfshirës dhe që në hartimin e tij të ndihmojnë me vërejtje dhe sugjerime më shumë njohës të fushës, paraqet një nismë që duhet përshëndetur dhe mbështetur nga botuesit universitar dhe shkencorë për studime interdisciplinore nga fushat juridike.

 

Vështruar strukturën tematike të librit, të gjithë kapitujt e tij nga i pari deri tek i njëmbëdhjeti tw ndara nw 101 tema, padyshim se paraqesin materie me interes të veçantë për praktikuesit ligjor dhe shkencor. Mirëpo, me këtë rast promovimi, për arsye të kohës së limituar, dua të veçojë kapitullin e parë, të dytin, të tretin, të shtatin dhe të tetin në pika të shkurtra.

 

 

received_10157163400780093

 

Në kapitullin e parë autori jo vetëm që i riafirmon nocionet teoriko-juridike, aq komplekse që ndërlidhen me shtetin dhe së drejtën në veçanti sa i përket hartimit të ligjeve, që nga viti 1999-2015 nëpër të gjitha fazat duke filluar nga legjislacioni i hartuar në periudhën e UNMIK-ut (1999-2001), hartimi i legjislacionit në periudhën e bashkëqeverisjes 2001-2008, hartimi i legjislacionit në periudhën kohore të pavarësisë së mbikëqyrur (2008-2012), si dhe hartimi i legjislacionit pas pavarësisë së mbikëqyrur (2012 e tutje), por autori gjithnjë orvatet që edhe t’i avancojë këto koncepte, duke bërë, njëkohësisht, edhe sistemimin e njohurive themelore për këto koncepte. Kjo padyshim paraqet kontribut të madh për literaturën juridike në përgjithësi dhe normoteknikën në veçanti.

 

Ndërkaq, ajo që e bënë akoma më të veçantë këtë libër është, padyshim, përmbajtja e Kapitullit të dytë, ku autori në kërkim të një vepre gjithëpërfshirëse mbi hartimin e legjislacionit, prezanton parimet e përgjithshme të hartimit të legjislacionit, duke ju referuar edhe autorëve të huaj të kësaj fushe, duke nxjerrë ekstrakte nga botimet origjinale të tyre.

 

Në Kapitullin e tretë, autori Besim Kajtazi, në stilin tejet origjinal të tij, i referohet të drejtës së nismës për të propozuar ligje në Republikën e Kosovës duke e studiuar këtë fenomen me përkushtim, dhe me një kompetencë të theksuar profesionale dhe shkencore.

Një qasje komparative për hartimin e legjislacionit dhe nevojën e harmonizimit me të Drejtën ndërkombëtare dhe të Drejtën Evropiane, autori si nektar shkencor e ka prezantuar në kapitullin e pestë dhe të gjashtë të Librit. Ky prezantim krahasimor paraqet një kontribut të theksuar shkencor për fushën e së drejtës komparative legjislative, aq të nevojshëm në rrethanat e tendencave për globalizimin e së drejtës në synimet për arritjen e proceseve të integrimit, sundimin e ligjit dhe rritjen e demokracisë.

 

Në kapitullin e shtatë, autori mbarështon standardet për hartimin e akteve normative në Republikën e Kosovës, duke shtjelluar me kujdes strukturën sipas dispozitave të aktit normativ, strukturën sipas ndarjes formale të aktit normativ, e gjithashtu edhe strukturën e ndërtimit të fjalive të aktit ligjor, duke i kushtuar kujdes të veçantë edhe rregullave gramatikore.

 

Në kapitullin e tetë, autori shtjellon gjithë procesin e hartimit të legjislacionit në nivel qeveritar, nga përfshirja e projektligjit në Programin Legjislativ të Qeverisë, hartimin e draftit fillestar, fazën e konsultimeve publike, finalizimin e draftit dhe procedurat deri te aprovimi në Qeveri.

 

Dihet mirëfilli se Rendi Juridik paraqet unitetin e normave juridike (në kuptimin formal) dhe sjelljen faktike të njerëzve sipas atyre normave (në kuptimin material). Me këtë rast është interesant të thuhet se autori duke qenë shumë racional nuk është deskriptiv për t’i shpjeguar këto tendenca të hartimit të legjislacionit në nivele të ndryshme, por mbetet konsekuent për univerzalitetin e këtyre tendencave pavarësisht nga vendi se ku zhvillohen.

 

Krejtësisht në fund të librit Autori Besim Kajtazi e  entuziazmon lexuesin me kapitullin që i referohet interpretimit dhe zbatimit të dispozitave ligjore, proces ky për të cilat aq shumë kemi nevojë në vendin tonë. Kjo gjithashtu vërteton cilësinë e autorit si prakticien dhe krijues i veçantë.

 

Përndryshe ky është një ndër disa nga publikimet e Autorit nga kjo fushë e interesimit praktik dhe shkencor dhe urojmë që të mos jetë i fundit. Fusha e hartimit të legjislacionit dhe teknika juridike e hartimit të legjislacionit janë shumë të gjëra për studime dhe literaturës juridike shqiptare i mungojnë tekste të këtilla për të përmbushur një zbrazëtirë relativisht të ndjeshme të kësaj natyre.

 

Më në fund, dëshirojë që ta përgëzojë edhe njëherë autorin e librit për gjuhën dhe stilin e përdorur në të që i ndihmojnë lexuesit të tij që ta lexojnë lehtë dhe ta kuptojnë drejtë.

(Ju faleminderit)

Prishtinë, 21.6.2016

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s