Poezi nga Iliaz Bobaj

Iliaz Bobaj                       

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

 

PËRSE MË SHKROVE SËRISH LETËR ?

 

Përse më shkrove sërish letër,

kur koha jonë flinte në hi ?

E di ç’më bëre ? Më ke ndezur,

për të më djegur përgjithnjë.

 

E mbaj në duar, më djeg dorën,

e hedh matanë, shpirtin më djeg,

në zjarrin që më ke dërguar,

më thuaj, ku ta gjej një shteg !

 

Përse s’më le në punën time,

të flija lirshëm në harresë,

ç’t’u desh t’i dilje kohës kundër,

të fshije pluhur në kujtesë ?

 

Nëse tek ti lashë disa borxhe,

mos m’i përmend, të lutem, kot,

më thuaj, pra, kush dashurisë,

iu dha dhe nuk i mbeti borxh ?

 

Përse më shkrove sërish letër,

kur koha jonë flinte në hi ?

E di ç’më bëre ? Me ke ndezur,

për të më djegur përgjithnjë.

 

 

 

EMRI

 

E mbaroi Farin e famshëm të Aleksandrisë.

Mbi gurët e tij, gdhendi emrin e vet:

”Sostrati, i biri i Deksifanit nga Knida”.

Gurët i veshi me pelerinën e suvasë.

Mbi suva, shkroi me shkronja të mëdha,

emrin e mbretit.

Erdhi dita,

suvaja ra,

si lëvozhga prej frutit të pjekur.

Bashkë me të,

ra edhe emri i mbretit.

 

Në Far mbeti emri i arkitektit.

 

 

 

TI MOS U BËJ KAQ E BUKUR

 

Po ti mos u bëj kaq e bukur,

gjithë yjet mos i hidh mbi vete,

në qiellin tënd të hijeshisë,

nuk di nga vij e ku të vete.

 

Më ler qoftë dhe një yll të vetëm,

të lozë me mua si fëmijë,

që ta lë të lirë marrëzinë,

të më gjejë rrugën për tek ti.

 

Ti rri e ftohtë si një ikonë,

në qetësinë tënde të qetë,

nuk di se si të të vij pranë,

të gjej një kod a një sekret.

 

Diçka magjike si një ëndërr,

diçka të lehtë si një fllad,

diçka të ndezur si vështrimi,

diçka të zjarrtë si një mall.

 

Dhe pse e mbyt një ankth i trishtë,

prapë shpresa ime pret pas porte,

por, ah, tek derë e bukurisë,

si roje rri shpërfillja jote !

 

Po ti mos u bëj kaq e bukur,

mos i merr gjithë yjet e artë,

se mua më çmendet vështrimi,

kur të kundroj me mall nga larg.

 

 

 

VENDI BOSH

 

Tek unë ka mbetur një vend bosh,

një vend që vetëm unë e di,

i fshehur, strukur në një qoshk,

ka mbetur siç e ke lënë ti.

 

Aty s’ka hyrje, ndenjie, dalje,

as ikje s’ka, se s’mund të ketë,

është bosh, si gjithë boshësitë,

po kurrsesi një vend i shkretë.

 

E mbush me ndjesinë e saj,

mungesa jote cak më cak,

rrugicave të tij, i lodhur,

gulçon ky malli im idhnak.

 

Ca fjalë, që rrinë përherë të ngrohta,

sikur i puth vala e zjarrit,

drithmojnë si një këngë zogu,

që pret në mes pushkë e gjahtarit.

 

Gjithçka s’është tjetër, veç mungesë

dhe rron si një mosqenësi,

qenka e thënë, aty ku s’je,

të mbetesh në përjetësi.

 

Tek unë përherë një vend rri bosh,

një vend që vetëm unë e di,

i fshehur, strukur në një qoshk,

s’e zë kush tjetër, se je ti.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s