Poezi nga Xhemile Adili

xhemile adili - 1

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

TË FALEM, O VARG!

 

Të falem, o varg, ti qiell i botës së tërë!
Vetëm ti s’më ndalove të nxjerr flakët e shpirtit
Dhe vetëm ti s’ma lidhe fjalën nyjë në grykë
E bota e blerimit njerëzor të përfundojë për mua, jo!
Edhe pse s’ke shpirt, por shpirt për të gjithë ti je.
Edhe pse s’ke rrahje zemre, Por i jep kahje errësirës së netëve të pagjumë të gjithëve.
Edhe pse s’ke ndjenjë, por shpirti yt është lumë drite.
Më fal ngrohtësi besimi të çdo gjëje, si ushqim perëndie
E më jep liri sa bota e çdo mendimi të mbarë.
Lirshëm rrjedh lumenjve të sëmbimeve të çdo zemre
E unë me ty ndaj dhembjen e netëve,
Hirin e secilës bukuri, ëndrre, ideje e ndjenje
Dhe nuk ngreh hendek, nuk këput shikime me thikë.
As atëherë kur të ngarkova me peshën e malit
As atëherë kur lumejt e syve shkrumb Po ktheheshin në detra përmbytës të mallit.
Kaq mirë më zure duart flakë, më kuptove, më nxite!
Ah, sa shum të ngarkova, “Më gjej Atlantidën time”, të thash.
Sa lotë më shtuan zjarrin! Kush pa dhimbje të tillë?
Sa herë jam njomur e sytë për ty më janë tharë!
Ti sërish zyre horizontin… Dua këtë hapësirë, dua!
Të kërkoj, pra! Në ty gjej veten, humbjet e plagët e mia.
Jemi tok në udhëtim. Si lumë e det, tokë e qiell.
E vetëm në një pikë do takohemi përherë:
Rruga jote do të shpjerr zemrën time atje tej kodrash të liga
E unë do vazhdoj të pushoj, e qetë, e bujshme zemrës tënde.
Të kërkoj: O, rrugëto hapsirave të gjëra të jetës që dua,
Dhe atëherë kur unë do jem, se gjithherë – më e gjallë.

 

 

 

DUA UNË TË TË KEM PRUSH

 

Sa herë mbetem vetë
Në dritë të syrit pikturoj imazhin tënd
Ndalesha shikoja e përhumbur, e menduar
Ato momente kujtoj
Fytyrën tënde lare me shkëlqim
Por dallga e lotëve e mbulonte
E fshinte pikturën në retinë

Derisa pikturoja dallga fshinte imazhin tënd
E mora me të mirë por edhe me të keq e mora
Ajo s’u ndalë zemëruar nga ajo që ndodhte
Pëshpërita o zot nga dhembja zemra ndryshoi ritmin

Dallgët e lotëve s’ më lanë të të pikturoja
Për një moment ndryshova mendimin
Thash më mirë të të pikturoj ndjenjës
Aty ku s’ka dallgë lotësh as pluhur harrimi
Ta fshijë as ta mbulojë imazhin tënd të bukur
Dhe iu luta valëve të ngrohta mos të të marrin
Dua unë të të djeg dhe të të bëj prush.

 

 

 

MOS SHKEL MBI DHEMBJE

 

Të gjithë jetojmë ashtu siç jeta vjen
Dikush më mirë e dikush më keq
Dikush ngre dolli një gotë gëzimi
Dikujt një gotë me vrer ia mbushin që në agim
Dikush gëzon dhe lumturon
Dikush nga dhimbja rënkon tmerruar
Mbush pellgje lotësh vetmuar noton mbi dhimbje

Të gjithë lëmë pas vite, dekada stinë dhembjesh
Dikush më shumë e dikush më pak vite
Për fat të keq disa nga ato mbaruan shpejt
Ngjanin në pranverë të brishtë të sapo lulëzuar
U shuan si meteor pas dhimbjesh në vend të viteve

Vitet kanë shënuar ditëlindjet mbi mermer
Shpesh me padurim presim ikjen e dimrit të tërbuar
Për të pritur stinën e bukur të luleve
Së paku plagët e dhembjeve për t’i hijeshuar
Pa menduar që na iku një stinë e mërzitshme
Eh, sa lule do t’i mungojnë kësaj stine lulesh
Ecim pa ndalë drejt rrugës së quajtur jetë
Pa ditur ku na çon dhe kur mbaron dhembja

Ecim si në një maratone të gjatë
Jeta nëse të shkelë këpucën gara përfundon
Ai që mbetet i fundit fiton garën e humbur
Jeta nuk matet me vite, dekada as shekuj
Jetove pak apo jetove shumë është hiq
Nëse nuk arrin ta mundësh dhembjen
Apo t’ia shërosh plagët lumturisë

Në jetë duhet të lësh një emër drite
Duhet të ecësh vertikalisht edhe oqeaneve
Nëse do të arrish për t’u bërë kujtim
Të të kujtojnë siç kujtohen perlat

Në jetë bëj dhe lëre më të mirën
Shkel në çdo shteg që ke ëndërruar
Vetëm mbi dhembje mos shkel kurrë
Se bëhesh përjetësisht varr i saj i hapur…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s