FE DHE ATDHE ( sonete) / Cikël poetik nga Hamdi Meça

FE DHE ATDHE

( sonete)

 

 

Hamdi Meça

Cikël poetik nga Hamdi Meça

 

 

SADAKAJA

 

Jepe,jepe sadakanë,njeri-mik,

Siç të udhëzon Allahu në Kuran.

Zoti këtë ta kujton dhe te një fik,

Nga duart që ke,formë gjethet kanë.

Fiku bën plot,i shtohen,se dhe jep plot.

Kur s’ka ç’të japë rri në stres,fillikat.

Gjethet duar nuk i do për shtojca kot,

I këput,ndjehet më qetë si sakat.

Jepe,jepe,sadakanë,njeri-mik,

Plotësoje ti antropologjinë.

Dhe kur të vdesësh mbill më parë një fik.

Fikut lërja amanet pasurinë.

Prit Ditën e Kjametit kur ky fisnik,

Të dëshmojë dhe këtë për njerinë.

 

 

 AMBASADORË TË SHENJTË

 

Për ju engjëj plot,nga Nuri Yt,Allah,

Xhibril,Azrail,Mikail,Israfil.

Dhe për ju dy engjëj,nga një në çdo krah,

Në mes tuaj jam i gjithi një kandil.

Nga ky kandil-lëndë,shpirti im thellë,

Dritë të ngohtë lëshon si zjarr me dru.

Shpjermëni,melekë,qiell më qiell,

Dritën e bëj shtoje në sexhde për Ju.

Hyjin falenderoj.Një,vetëm Ai.

Për ju engjëj,shërbyes të së mirës.

Ambasadorë të shenjtë.Mrekulli.

Ju jeni rregulli fiks i natyrës,

Dhe të dy botët bashkë-një dashuri.

Engjëj, jam agjërues i mëshirës.

 

 

NË DY BOTËT PËRQAFOJ PROFETIN

 

Në qytetin e Krujës po bie shi,

molekulat në atome dhe më plot.

Për Ty,Profet i Fundit,në gjithësi,

jam te ky pjesëtim dhe shumëzim sot.

Jam duke u lutur,duke u lutur,

i kërrusur me stilolaps në dorë.

Në çdo grimcë tok me lutjen jam futur,

“-Selam Alekum”,them çdo çast,çdo orë.

”-Eshhedu en La ilahe il-lallah.-

Nga çdo tingull marr zë për shehadetin,-

Muhamet Resulullah”,Resulullah.

Gëzoj shpirtin,kombin,pse jo dhe shtetin.

Kuranin hap,kuptoj pse kam dy krahë.

Në dy botët përqafoj fort Profetin.

 

 

MUHAMED ALI,VËLLA MYSLIMAN.

 

Në Francë, Kampionat Evropian.

Në ShBA, Muhamed Ali, në varr.

Qofsh i Xhenetit, o vëlla mysliman!

Pyjet e lutjeve s’i djeg asnjë zjarr.

E Premte Ramazani.Dhjetë Qershor.

Viti Dymijë e gjashtëmbëdhjetë.

Po shkon të matesh dhe në ring qiellor.

Të të shoh ty,me thonj i çjerrë retë.

Muhamed Ali.Nuk je kurrë një shirk.

Besimtar me shpirt.Frymëzim pegasi,

Nga Uitman i madh në Amerikë.

Muhamend Ali.Lot i fjalës plasi.

Grushto meteorin e dhimbjes.Mos ik…

E botës hartë.Të mbulon atlasi.

 

 

JETIMI

 

Në këtë Natë të Mirë,jetimit,

Gjithë lutjen në Zot,ia kam dhënë.

Dhe plak kur bëhesh s’ke babë dhe nënë,

Prapë ai është himn i flijimit.

Mama u bëre.Jetimi nënë s’ka.

Baba u bëre.Jetimi pa babë.

S’gjen rrugë të ecë ngadalë a vrap,

I vetëm në kurriz mban këtë dynja.

Shko në jetimore,imam në xhami.

Shko në jetimore,ti prift në kishë.

Jetimi e bën bashkë çdo gisht-njeri.

Jepni jetimit përherë,shumëfish.

Atë kush e prek,s’ka vend në gjithësi.

Pasthirma e tij shtatë qiejt,i gris.

 

 

IMAMI

 

Imami vesh një membranë të bardhë.

I ri a plak.Kurban i fjalës,në gji.

Kapiten anije.Deti- dashuri,

Dallgë-besmitarët në reshta,rradhë.

Te kjo membranë e brishtë si borë.

Dhe hija e askujt gjurmën e vet lë.

“-Elhamdulilah,”-del shpirti,flet me zë.

Qiellin për mollë e mban në dorë.

Iblisi e ysht mollën ky ta hajë.

Dhëmbët t’ia ngulë fort.Goja-mendje.

Duke kafshuar dhe me lot të qajë.

Allahu e shpëton nga ajo gjëndje.

Imami-dorë,me gishtat- kalamaj.

Njihe Zotin.Fol në familjen tënde.

 

 

KOMBËTARJA SHQIPTARE

 

Boll ju,mosbesues politikë,boll,

Ti,Gjëagjëzë e Sfinksit.Gastare.

Erëra : “ Vu-Vu “,ata djem në futboll.

Shqiptarët kudo të veshur me zjarre.

Zjarri ka dalë nga gjak i atdheut,

Para erës së re,mbas erës së re.

Ky flamur,jo mëlçi e Prometheut,

Shpendi që e çpon,jo shqiponja atje.

Moj urrejtje në gjendje hibnotike,

Të Xhehenemit s’janë ata zjarre,

Ata thirrje jo,të djallit instikte.

Kuq e Zi te ky vend ndjenjat fetare.

Albania-Alb,nga Hyji prej drite.

Kombëtarja Shqiptare, Kombëtare.

 

 

PROFETËT

 

Profetët në Kuran, Njëzet e Pesë,

Nga mijërat.Që vetëm Zoti i di.

S’i zgjodhi në qiej.Po në dhe,njerëz,

Nga mori dhe baltën.E bëri Njeri.

Nga i pari gjer te i fundit Profet:

”-Adhuro,veç një Zot”-mezazhi hyjnor.

Globi-vapor sillet orbitës së vet,

Udhëtarët në të-trupa kohorë.

Nuhu,i pari në tokë mesazher .

Kurmi-hologramë,paska për ujë,

Derte pa fund te secili pejgamber.

Profetët jo,anjëherë të huaj,

E hapin,e mbyllin të botës derë.

“Alejhi Selam”, për secilin thuaj.

 

 

FEMRA MYSLIMANE

 

Shpendi më i komentuar ti,pëllumb.

Kod fluturues.Dhe afër,dhe larg,ti.

Në tokë kur dukesh.Në qiell kur humb,

Femrën myslimane tregon me shami.

Ç’gjuhë t’i jep ato “Gu-gu,”,që thua?

Çdo bebe para se flet.I përcjellë.

A mos dhe toka myslimane grua,

Krejt e mbuluar me shaminë qiell?

Urtë e butë vjen e shkon si valë.

Kur ik krejt,lë hije pas,në fshehtësi.

Një sozie dot prej teje s’ka dalë.

O pëllumb,fund-fillim,siç thonë,je gji.

Arkitip.Që s’shkruhet.S’thuhet me fjalë.

As me ngërç fotografik bardhë e zi.

 

 

SHENJË E KRUJËS

 

I gurit. I dheut. I frymës pa fund,

Shenjë e Krujës. Nga krijim i botës.

I gjallë rroj në thellësi të tokës,

I vdekur mbi të. Dukje,zhdukje.Ku mund.

I gjallë. I vdekur. Qënkam përditë.

Jam besimtar dhe në gulsh të afshamës.

Jam zë në univers.Kulm i piskamës.

Të takoj Zotin. Ec në çdo orbitë.

Atdheu duhet,thonë,dhe kur të vret.

Fort e ka provuar Mitrush Kuteli,

Shkrimtar,që hante ditë netët e vet.

Krujë,këndon në terr i pari gjeli.

Dhe bebi kur del nga ëndrra në jetë.

“KRUJË” bëhet kur perëndon dielli.

 

 

ALBANOPOLI” I ALBANËVE

 

I veshur jam me re të murme shiu.

Këtë kostum ma qepi ky muaj Maj.

Kodra e Albanopol,gjoks njeriu,

Ja një nga vertebrat.Ai shkëmb në skaj.

Gjendem te kërcuri i një ulliri.

O Zot,shtanga dhe mbeta i brengosur.

Kocka e kërcirit të kujt iliri?

Në trung kthyer.Për të mos u varrosur.

Deri në gju kullota e paprekur.

Nyje,nyje përsëritja e gjallë.

Albanopoli,truall i patretur.

Ateist vdes nga moskuptim i rrallë.

Albanopoli,një bukë e thekur.

Në qiell a në tokë,për kë,vallë?

 

 

NË MEKË “GURI I XHENETIT”

 

Në Mekë Qabja,trajtë kuboidi.

Në murin lindor prekës Guri i Zi.

Nga ajo botë.Te kjo botë.Zbriti.

Te Gur i Xhenetit vër shpirtin,Njeri.

Nga ky ç’trupëzim.Kur ti shpirtin e vë,

Kurmi dy botët,i lidh.Bëhet urë.

Jeta,Vdekja,Ringjallja.Tre,bëhen një.

Drejtimi,kah Qabja e Xhenetit Gur.

Mbështetu tek ky Gur,shpirt i poetit.

“-S’ka tjetër Zot përveç Allahut”-Dëshmo.

Fol dhe në shqip te Varri i Profetit.

Ujë te ”Burim i Zemzemit”,shijo.

Qabja e haxhit,start i gravitetit.

Shpirt i njeriut.Nga kjo pikë.Vrapo.

 

 

REFUGJATËT MYSLIMANË

 

Kodër lundruese.Nga dimri zabel.

Xixa sysh mbi shkarpa fjalësh.Tym atje.

Shpirtrat pa zë:-Jetë,brigjet,ku i ke?

Deti Mesdhe pa fund porta mbyll e çel.

Hapu,mbullu,ato porta të fatit.

Nuk janë shkëmbinj nga Mal i Susamit.

Cohë të flakës me tym prej akshamit.

Në dy varre trupi i refugjatit.

Njëri varr dallga,tjetri lart,ajo re.

Specjet në zhdukje,njerëz sirianë.

I mbysin.Fajin ta lënë ty,Mesdhe.

S’i duan refugjatët myslimanë.

Dhe pse më shumë tempuj kanë në fe.

Adam-Adem.Pajtoji bijtë. Aman!

 

 

LUTJE E SË PREMTES

 

O Zot, ndihmë dhe mbrojtje të gjithanshme,

Kudo,për secilën krijesë prej nesh.

Sot peshorja e jetës e njëanshme.

Globi obez përditë shton në peshë.

Ha e ha dheu njerëz-sanduiçë.

Kasapët e luftës bëjnë kërdinë.

Njeriun e therin si shpend,qengj a viç,

Bëjnë “Bismilah”.Në re thikat fshijnë.

Shpirtra gërryen erozioni sot.

Reforma mbi popullin bën ky pushtet.

Rruga e të sotmes të çon kot më kot.

Allah,zbrit kësaj radhe dhe shtet më shtet.

Kur të zbresësh të dalsha para,o Zot.

Me dorën time ta jap këtë sonet.

 

 

XHAMIA “AL-AKSA” NË JERUZALEM

 

Xhamia “AL-Aksa” në Jeruzalem.

Jam me fat.E kam vizituar dikur.

Çdo bulëz ajri me plot ujë “Zemzem”,

Do ta shijoj prapë.Kur jam dhe e gur.

Dhe surja “El-Isra”: “-Al-Aksa…”,- përmend,

“Al-Aksa”,nga ku Profeti,në Xhenet.

Besimi Islam.Jo sfinks që ha mentë.

Njeriun s’e lë veç poshtë të jetë.

Fe monoteiste.Në qiej të ngjit.

Mban dhe vuajtje të Profetit Isa.

Te Kurora e Zotit e vë çdo shpirt.

Kush përbuz.Bëhet një përemër “disa”.

Nga Meka,Medina,ndalu ti dhe prit,

Stacion hyjnor Xhamia “Al-Aksa”.

 

 

SELAM ALEKUM,SELAM…

 

Vështrimi në ballë,dëgjimi në vend,

Jam spelolog thellë vehtes në shpellë.

Kur lodhem i mërzitur gjej shkak dhe rend,

Përjashta dal duke u bërë qiell.

Qiell me plot re të shfytyruara,

Gra re, në burra, plak re, në kalama.

Iroglife të padëshifruara,

Nxjerrin dhe zhdukin shkreptimat e mëdha.

Pastaj kur koha qetësohet shumë,

Kur retë as dhe njëra më nuk janë,

Pyes:”-Kush në këtë botë jam unë?”.

Lahem,shpëlahem me blu të panë,

Syri i Meduzës u shkri në shkumë.

Hap krahët në glob:”-Selam Alekum,Selam..”

 

 

PËR ATDHEUN TIM

 

Ndihmë,o Zot,mbrojtje,për atdheun tim,

Që nga bark i nënës në bark të tokës.

Vrima,vrima hapur si sy në mjerim,

Këtë s’e bën as dhe një krimb i botës.

E vjedhin,e shajnë.Betohen për të,

E hajnë,e pijnë.Pështyjnë ku mund.

Kupën e qiellit përmbys mos e lë,

Allah,në të fshihen të ligjtë pa fund.

“Qytetar Nderi”,pa qytet,pa nderë,

“Nderi i Kombit”,pa komb,veç interes.

Këta krijojnë dhe zota të tjerë.

Njerëz instiktesh,besë e pabesë.

Mbroje, o Zot,  këtë vend ku kam lerë,

Mos të ndotet më as një pikë vesë.

 

 

I ZOTIT UKSHIN HOTI

 

Vite dhe vite pa ty,Ukshin Hoti.

Te gjuha e folur hapur një vrimë.

S’e mbush dot koha.Atë e mbush Zoti,

Goja të fliste veç për drejtësinë.

Te e dukshmja je a te e padukshmja?

Njëra:Monument. Tjetra: Ç’mund të jetë?

Ukshin,ti te njëra. Je e këtushmja,

Te tjetra, vëlla. Je e ardhmja vetë.

Nëpër burgjet serbe dhe për të tjerët,

Natë u bëre.Nata s’ka kufijë.

Ylli Afërdita zgjohet mjaft herët.

Ai yll Ukshin Hoti vepron sikur ti.

Krah myslimanët,krah dhe të krishterët.

Trupi i dy krahëve, ky shqiptar, Ai.

 

 

U DESHËM SI VËLLEZËR TE KJO BOTË

 

Nuk mund ta besoj,ta besoj,ta besoj,

Se Vasil Dede Poeti nuk rron më.

Njerëz ngado shikoj,numëroj,veçoj,

Kap renë lart dhe mikun tim bëj me të.

Re e bardhë në qiell del përherë,

Ku jam,nuk rri dot me sy pa e parë.

Shkon në Postenan dhe në botë mbarë,

Në Tufinë zbret.Mbi varr ngrin në mermer.

Unë mysliman dhe ai ortodoks,

U deshëm si vëllezër te kjo botë,

Ishim dhe jemi dy vertebra në gjoks.

Ritualet,distancë prej yjesh plot,

Përndryshe globi një kokërr qymyr koks.

Me emrin e tij thirr një engjëll,o Zot.

 

 

FE DHE ATDHE

 

Në të njejtën gjëndje,në fe.Mysliman,

Në të njetën gjëndje,në atdhe.Shqiptar.

Fe,atdhe.Njëri sy me tjetrin pranë,

Atdhe,fe.Venat.Zemra e pandarë.

Në të njejtën kohë,koha dje dhe sot.

Gazi karbonik dhe ajri oksigjen.

Glob i leckosur me arna shtetesh plot,

Në Irak,Siri.Një arnë tjetër gjen.

Me rrobë imami zbret çdo ujvarë,

Në të njejtën kohë.Shqiptar-mysliman,

Në të njejtën kohë.Mysliman-shqiptar.

Në antroponimi sigurisht s’janë.

Në mes dy degësh një maçe e vrarë,

Në dru nyje e kthyer nga një zanë.

 

 

LIBRAT E SHENJTË

 

Lexo Teuratin,lexo Zeburin,

Lexo Inxhilin,lexo Kuranin,ti.

Mendje e shpirtit,shpirt i mendjes-Njeri.

Në shtrojen-dhe,pa shih në sexhde gurin.

Në të katër Librat e Shenjtë,beso,

Dhe Mesazhet e Shpallura të Zotit.

Në të gjitha kartolinat e motit,

Qiellin në tokë,në sexhde,vështro.

Gruaja me barrë.Në trup e futur.

Bebi i vogël para se të zbresë,

I merr format, rritet duke u lutur.

Rruga e hënës. Nga mbrëmja në mëngjez,

Myslimanin formon në sexhde ulur.

Librat e Shenjtë tok. E Zotit Besë.

 

 

PRINDËRIT

 

Jam plak jetim.S’i kam prindërit e mi,

Nadiren Nënë,Ismailin Babë.

Dheun borxh që morën nga dheu i zi,

Po me të njejtin dhe e kthyen prapë.

Të dy në ekujlibër prehen në varr,

M’u në Krastë të Krujës gëlqerore.

Sa qenë të gjallë.Bënin një kandar,

Edhe të vdekur.Bëjnë një peshore.

Në atë kandar dhe atë peshore,

Dje,jeta në çift.Pranverore bashkë,

Dhe sot,të ndarë.Vdekja dimërore.

Nën këmbë të nënës Xhenetin pashë,

Im atë aty.Një portë qendrore.

Nëntëdhjetë e nëntë Emrat, thashë.

 

 

AKTUALE

 

Bashkimi europjan.Pa Anglinë,

Anglia.Pa Bashkimim Europjan.

Bashkimi nuk e bën më sot fuqinë,

Kur popujt në të një prekje s’e kanë.

Shekspiri prapë i huton shqiptarët:

”Të rrosh a të mos rrosh.Kjo është çështja”.

Grekët.Importojnë kocka për varret.

Rusët. Me amalgamë buzëqeshja.

Gjermanët.Për rekrutë refugjatët.

Francezët.Kalë Troje Kullën Ejfel.

Amerikanët.Fletë librash -flakët.

Papa.Me indulgjencë në dorë ngel.

Europa.Amebë. Ndahet,plaket.

Kaini prapë vret vëllanë Abel.

 

 

KREDO

 

Zot i Madh,më fal!Jam gabimtar në skaj.

Ndryshoj,kush të përmend.Fllad,menjëherë.

Çdo kush atë e thith.Ndaj dhe shenja mbaj,

Flladit i fryjnë.Brava qan në derë.

Ju desha.Ju dua.Sinekizëm? “Po”.

Ku kam gabuar?Prapë,ku po gaboj?

”E pur si muove “. Por Galile,jo.

Me kombin në fyt dhe agun në bojë.

Dyzet vjet e sa,për fëmijët,tuaj,

Poezi,prozë,pothuajse çdo lloj.

Nga kjo me fatin “Kukafshehti” luaj.

Vitet.Kompas këmbësh,krahësh.Jo gojë.

E njejësit në shumës më ysht “Kuaj”.

Në Kopështin e Edenit,s’jam,por rroj.

 

 

NATA E KADRIT

 

Më e mirë se tok njëmijë muaj,

”-Lejletul Kadr… ”,- Zoti atë e thirri.

Qielli me dheun.Jo dy të huaj.

Në zjarr e liga.Në Had,i saj hiri.

Këtë Natë zbesin pa fund melaqe,

Xhibrili mes nesh.Për secilën çështje.

Krejt bota ngjeshet.Trupat bëhen harqe,

Zërat me ballë në tapetet heshtje.

Kush e pandeh stolisje diturore?

Apostazia,liri nga shejtani.

“-Allah..”-lutet.Çdo qelizë trupore.

Në këtë Natë.Agjërim ju mbani.

Fytyra.Arkitekturë hyjnore,

Dy faqe përmban.Kur hapet Kurani.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s