Roli dhe rëndësia e gjuhës ESPERANTO .

 

 

Bardhyl Selimi

Intervistë nga Bardhyl Selimi 

 

 

Historiku i Esperantos në Shqipëri.

 

Libri i parë metodik plus fjalori minimum i Esperantos doli më 26 korrik 1887 në Varshavë. Autori, dr.Ludovik Lazar Zamenhof shfrytëzoi leksikun e 20 gjuhëve evropiane dhe sajoi një sistem gramatikor shumë të saktë dhe shumë të thjeshtë. Prandaj Esperanto gjeti menjëherë përkrahës të shumtë edhe në mesin e elitës evropiane, por sidomos në radhët e punëtorëve, sepse për ta përvetësuar atë nevojitej të paktën dhjetë herë më pak kohë se sa për gjuhët e tjera kombëtare.

Në Shqipëri Esperanton e sollën studentët tanë të Vjenës, Parisit, Romës e gjetkë. Ndër ta i pari konsiderohet Lazër Shantoja, prift katolik, në vitin 1907, dmth 109 vjet më parë!

Atij iu bashkuan priftërinj të tjerë si Mikel Koliqi me të vëllanë Wilhelmin, më pas Cuk Simoni, publicist e përkthyes i “Pinokut” nga italishtja, Janko Pali nga Piqerasi, ing. Ҫefo Rauf Fico nga Gjirokastra, dr. Hamdi Sulçebe nga Korça, e të tjerë. Pas Luftës së Dytë Botërore, kemi një lëvizje në fund të viteve 50 kur pranë Ministrisë së Ndërtimit u krijua një “klub” esperantist me në krye z. Fico, pasuar nga Ing Vasil Pistoli, Gafur Muço, prof Emil Lafe, Astrit Leka, Zef Mjeda etj. Të kësaj periudhe (1961) i përkas edhe unë, Bardhyli, ing Shaban Hasani, Agim Peraj dhe Bahri Peraj, Luan Jaupi, Rita Përmeti, Gjergji Gusho, Tonin Ҫobani, e më pas Engjëll Gusho,, Enkela Xhamaj, Sajmir Beqiraj, Nehat Sokoli, Klea Luli e disa qindra të tjerë.

 

  1. Ҫfarë vlere ka përkthimi i librit për Skëndërbeun i Cuk Simonit nga Esperanto në shqip, sot?

 

Së pari, sepse tregon që Esperanto ka pasë një traditë të pasur në Shqipëri, aq sa janë shkruar edhe vepra në origjinal në të.

Së dyti, vetë libri atë kohë ka qarkulluar në Evropë dhe e ka bërë të njohur heroin tonë kombëtar në rrethet e esperantistëve në mbarë kontinentin dhe jashtë tij.

Së treti, libri është shkruar mbi bazën e materialeve që z. Cuk Simoni ka shfletuar në bibliotekat françeskane në Shqipëri, Itali e gjetkë, në një stil të këndëshëm, plot skena interesante dhe i përshtatshëm sidomos për rininë.

Përkthimi në shqip është shoqëruar me shumë ilustrime.

 

  1. Kush ishte Lazër Shantoja dhe lidhjet me botën esperantiste?

 

Lazër Shantoja ishte edhe poet shumë i dashur nga rinia. Si klerik vizionar, ai pa te Esperanto një mjet për ndriçimin, bashkimin, përparimin e shoqërisë shqiptare. Mjerisht, komunistët e vranë në maj 1945. Ai është vlerësuar që në kohën e vet nga bota esperantiste, që e shihte atë të merrte pjesë në kongreset e shumta ndërkombëtare dhe është shënuar në listën e pionjerëve të Esperantos.

Në kohën e sotme kur është formuar një supershtet si Bashkimi Evropian, nevoja për një gjuhë të përbashkët ndihmëse komunikimi brenda tij është tepër e ndjeshme. Me daljen e Britanisë nga BE tashmë anglishtja e ka humbur disi prestigjin e vet brenda BE ndonëse si çdo gjuhë tjetër e kulturës botërore ajo do mbetet një mjet i fuqishëm lidhës. Por Esperanto mund të pranohet nga që plotëson disa kushte të mrekullueshme:

është asnjanëse ndaj kombëve

është e lehtë në përvetësim

është e prejardhur si leksik nga gjuhët evropiane

 

  1. Buletinet e Shoqatës Esperantiste Shqiptare

 

Shoqata esperantiste shqiptare nxjerr, që nga viti 1993, një buletin tashmë dy mujor në trajtë elektronike, disa dhjetëra faqesh, ku një pjesë e rëndësishme zihet nga letërsia shqipe e përkthyer. Sigurisht lexuesit e saj nëpër botë kanë mundësi të njihen edhe përmes këtij buletini me poezi, prozë, folklor shqiptar. Revista të tjera esperantiste kanë botuar fragmente nga letërsia jonë edhe duke i marrë nga Buletini në fjalë.

 

  1. Organizata botërore e Esperantos

 

e ka ndenjen në Roterdam të Hollandës. Atje është Biblioteka, Muzeu, Shëpia Botuese, zyra e Drejtorit të Përgjithshëm. Ajo ka si anëtare të saj disa dhjetëra organizata kombëtare, ku përfshihet edhe Shqipëria, por edhe organizata rinore, arsimore, artistike, shkencore, tregtare, fetare, sportive, etnokulturore etj.

Revista ESPERANTO e përmuajshme, organ i saj, shkon në 120 vende të botës. Ҫdo vit mbahet Kongresi i saj, këtë herë në Sllovaki, (kongresi i 101, i pari është mbajtur në Francë më 1905), vitin e ardhëshëm në Korenë e Jugut. Organizata Botërore ka lidhje të ngushta me UNESCO-n pasi kjo e fundit ka konstatuar përputhje të qëllimeve edukative dhe paqësore me të, duke e dëshmuar këtë të paktën në dy rezoluta të saj.

Organizatat kombëtare zhvillojnë veprimtari të ndryshme edhe në bashkëpunim njëra me tjetrën, po kështu organizatatat e tjera. Psh Lidhja Ndërkombëtare e Mësuesve Esperantiste mban çdo vit Konferencën e saj dhe zhvillon veprimtari të larmishme, si, kurse kualifikimi, komisione provimi, botime, konkurse etj.

Nëpërmjet një Libri Vjetor bëhen të njohur çdo vit adresat e anëtarëve të Organizatës botërore (rreth pesë mijë), të shoqatave kombëtare dhe shoqatave të tjera, të instituteve, revistave, klubeve etj.

Shoqata esperantiste shqiptare është njohur si organizatë jo qeveritare, jo fitimprurëse që në maj 1991 ndërsa para disa vjetësh është regjistruar edhe në Gjykatën e Tiranës.

 

Kurset e gjuhës në Shqipëri

 

Pas vitit 1991, nisën edhe kurset e gjuhës esperanto në Shqipëri, ndonëse mësuesit ishin të pakët. Kështu, gjatë viteve 1993-2000 në këto kurse kaluan rreth 450 nxënës dhe studentë. Por vetëm një pjesë e tyre vazhduan thellimin e njohurive në gjuhë pas përfundimit të cikleve shkollore përkatës. Nga viti 1997-2007 disa dhjetëra maturantë shqiptarë ndoqën një kurs të lartë trevjeçar për turizëm e kulturë ndërkombëtare në Poloni ku Esperanto ishte gjuhë pune. Tre prej tyre vazhduan edhe studimet për MASTER. Shumica nuk janë kthyer në atdhe, dukuri kjo e njohur tashmë për shqiptarët pas 1990.

Tekstet e para të Zef Mjedës, Vasil Pistolit, Agim Perës dhe Bardhyl Selimit ndihmuan për këtë qëllim por natyrisht nuk mjaftonin, pasi lipsej edhe letërsi ndihmëse dhe ushtrimore. Në fakt për këtë kemi pasur mbështetje nga organizata botërore e cila ka pranuar për kualifikim disa të rinj tanët, po ashtu profesorë të huaj kanë vizituar vendin tonë.

Shoqata është ndjerë ngushtë nga mospërfillja e esperantos nga organet shtetërore të edukimit, që nuk mundësonin as lejimin e auditorëve për mësim. Pas liberlizimit të vizave në dhjetor 2010, shqiptarët e humbën ndjeshëm interesimin për esperanton, që e përdornin më parë edhe si një mundësi shtesë për të dalë jashtë vendit duke siguruar ftesa nga miqtë esperantitë në Evropë.

 

  1. Rezolutat e UNESCO-s

 

Janë dy rezoluta të Unesco-s në mbështetje të Esperantos

Ajo e Montevideos, Konferenca e Katërt e Përgjithshme, viti 1954

Ajo e Sofies, Konferenca e 23 e Përgjithshme, viti 1985

Të dyja rezzolutat vlerësojnë rezultatet e arritura përmes Esperantos në fushën e shkëmbimeve intelektuale ndërkombëtare dhe të afrimit të popujve të botës. Pranojnë që këto rezultate u përgjigjen qëllimeve dhe idealeve të UNESCO-s, mbajnë shënim se shumë shtete anëtare janë zotuar ta fusin esperanton në planet mësimore në shkolla, ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm të ndjekë përdorimin e esperantos në shkencë, arsim dhe kulturë dhe me këtë qëllim të bashkëpunojë më Organizatën Botërore të Esperantos në fushat përkatëse.

 

8 . Esperanto dhe gjuhët e tjera kombëtare

 

Esperanto e formon leksikun e vet me rrënjë nga gjuhët evropiane. Psh fjalët pano, tago, danko, urbo, domo, strato tingëllojnë të njohura për çdo folës evropian të tri familjeve gjuhësore (latine, gjermanike dhe sllave).

Me këto fjalë, përmes parashtesash dhe prapashtesash formohen dhjetëra fjalë të reja.

Psh panujo- bukëmbajtëse (sepse ujo është prapashtesë që tregon vendin ku rri diçka, sikurse pom-uj-o mollishte, Alban-uj-o- vendi i shqiptarëve)

tagiĝo- agim (sepse iĝ tregon pësimin e veprimit të dikujt, si beliĝi – me u zbukurue nga dikush, proksimiĝi- me u afrue nga dikush)

dankon- falemnderit (sepse n tregon rasën kallëzore, si panon- bukën, domon- shtëpinë)

interurbana- ndër qytetas (sepse inter do të thotë ndërmjet, a tregon mbiemrin, an tregon anëtar, pra ndërqytetës, po kështu urba- n- o- banor i qytetit,)

strateto- rrugicë (sepse et e zvoglon kuptimin e diçkaje, si pord-et-o deriçkë)

Gramatika e esperantos ka vetëm 16 rregulla që nuk pranojnë përjashtime lidhur me emrat, mbiemrat, foljet, ndajfoljet, gjininë, etj dhe mund të mësohen brenda dy orësh. Ka edhe një sistem parafjalësh, gjithnjë të huazuar nga gjuhët evropiane. Po ashtu një sistem origjinal lidhëzash.

Psh të gjitha fjalët që në vetën e parë mbarojnë me o janë emra: horo, muziko, sporto, mano.

Kur mbarojnë me a janë mbiemra: bela, bona, forta, alta, kapabla, genia.

Kur mbarojnë me n janë në rasën kallëzore: horon, muzikon, sporton, manon, belan, bonan.

Kur mbarojnë me j janë në shumës: urboj, sportoj, homoj, hospitaloj.

Foljet në paskajore mbarojnë me i: labori, skribi, kanti, ludi.

Në kohën e tashme, pavarësisht nga koha nga numri me as: laboras, skribas, kantas, ludas.

Në kohën e shkuar me is: laboris, skribis, kantis, ludis.

Në kohën e ardhshme me os: laboros, skribos, kantos, ludos.

Kohët e përbëra kërkojnë përdorimin e foljes ndihmëse esti – me qenë.

Gjinia e emrave ka të bëjë vetëm me frymorët. Psh hundo- qen mashkull ose femër, por virhundo- qen mashkull dhe hundino- qen femër; njëjtë ndodh me frato- vëlla- fratino -motër; virĉevalo- kalë mashkull, ĉevalino- pelë.

Thjeshtësia e gjuhës përcaktohet edhe nga pakësimi i ndjeshëm i numrit të fjalëve që duhen mbajtur mend. Për këtë sjell shembullin e fjalëve me kuptim të kundërt që formohen me parashtesën mal. Kështu forta- malforta, bela- malbela, bona- malbona.

Esperanto është një gjuhë logjike, në kuptimin që nuk mund të formosh fjalë që nuk do kishin ndonjë domethënie. Psh fero- feristo, hekur, hekraxhi por nga lerni- me mësues nuk mund të thuash lernisto- sepse nuk është profesion të nxënit, por mund të thuash lernanto- nxënës. Nga ana tjetër nga muziko-nund të thuash muzikisto- muzikant si profesion dhe muzikanto- muzikant si hobi. etj etj

 

Ku u bazua Zamenhofi?

 

E thashë edhe më sipër, që Zamenhofi, i rritur në një familje të kulturuar, në një mjedis shumëgjuhësh (Bjalistoku-  banohej atëhere nga polakë, gjermanë, rusë dhe çifutë) shfrytëzoi si bazë gjuhët evropiane. Natyrisht ai mund të kishte dijeni edhe për projekte të tjera të gjuhës artificiale, duke nisur nga Leibnitz. Ai u tregua i kujdesshëm që gjuha e re të ishte fonetike, e pasur, e aftë për t’u përdorur në çdo lami të jetës, gjithashtu me mundësisht sa më pak përjashtime, kundërthënie, dykuptime.

 

Përkthimet nga esperanto në shqip dhe anasjellas

 

Pas vitit 1991 shoqata dhe esperantistë të veçantë kanë ndërmarrë jo vetëm hartimin e kurseve të gjuhës për shqiptarët, por edhe kanë përkthyer në dy drejtime: nga esperanto në shqip dhe anasjellas.

Në shqip është përkthyer dhe botuar nga z. Vasil Pistoli libri i sociologut gjerman Bruno Vogelman “Ralizmi i ri” (Nova Realismo); nga z. Bardhyl Selimi vepra sociopolitike e z. Zheliu Zhelev, president i Bullgarisë (1992-1997) ‘Fashizmi dhe shteti totatlitar” (La Faŝismo), vepra “Ludovik Lazar Zamenhof dhe disa probleme të zgjedhura gjuhësore” i profesorit polak Walter Zhelazni; novela “La Polino- Polakja” e z. Bajram Karabolli; etj.

Nga shqipja në esperanto janë përkthyer dhe botuar deri tani:

Romani “Hunda Haŭto” ( “Lëkura e Qenit”) e z. Fatos Kongoli”, vëllimi me poezi  “Lundo en sep tagoj” ( E shtuna në shtatë ditë) i Luljeta Lleshanakut; novelat “Sloganoj sur ŝtonoj” (Parrullat mbi gurë) të Ylljet Aliçkës; vëllimi me poezi ” La mondo estas pejzaĝo kun brilaj koloroj” (Bota është një pejsazh me ngjyra të shndrritshme) i Eqrem Bashës (Kosovë); vëllimi me poezi “Kanzono por vi” (Një këngë për ju) i Bedri Alimehmetit, “Skanderbeg- heroo de Albanujo” (Skëndërbeu- heroi i Shqipërisë) i Cuk Simonit; poezi të Asdrenit, Migjenit etj .

Janë përkthyer dhe presin dritën e botimit romanet e Fatos Kongolit: “La Perdinto” (I humburi), “La Ebura Drako” (Dragoi i fildishtë). “La kadavro” (Kufoma).

Romanet e Ismail kadaresë: “La Palaco de la sonĝoj” (Pallati i ëndrrave); “Blinda Fermeno” (Qorrfermani); “La festeno de la repaciĝo” (Gostia e paqtimit); ” La generalo de la mortinta armeo” (Gjenerali i ushtrisë së vdekur); “La generacioj de Hankonatoj” (Breznitë e Hankonatëve); “La posteulo” (Pasardhësi); ” La filino de Agamemnono” (Bija e Agamemnonit); disa artikuj dhe intervista të shkrimtarit.

Romanet “La senfina funebra procesio” (Funerali i pafund) i Visar Zhitit; “La sangovenĝaj serpentoj” (Gjarprinjtë e gjakut) dhe “La patrino Shega kaj kvin junulinoj” (Nëna Shegë e pesë gocat) të Adem Demaçit (Kosovë); vëllimi me poezi i Ali Podrimjes (Kosovë); vëllimi me poezi i Sali Bashotës (Kosovë), vëllimi “Mezuru- malmezuru (Mat Ҫmat) i Flora Brovinës (Kosovë), vëllimi me poezi i Mimoza Ahmetit, romani “Rakonto pri internaciuloj” (Rrëfenjë me ndërkombëtarë) i Ylljet Aliçkës; romani “La tempo de la kaprinoj” (Koha e dhive) i Luan Starovës (Maqedoni) etj.

 

  1. Botimi për Adem Gllavicën

 

Bëhet fjalë për tim atë, i cili gjatë viteve 1941- 1945 ka luftuar për lirinë e Kosovës kundër sllavokomunistëve serbë. Ajo periudhë ka qenë disi tabu në Kosovë dhe Shqipëri, prandaj shumë ngjarje meritojnë vëmëndje më të madhe. Unë sjell nëpërmjet letrave të Ademit si i ka përjetuar dhe ka marrë pjesë aktive ai vetë në këto ngjarje. Libri do shpërndaahet kryesisht në Kosovë ku edhe është zhvilluar veprimtaria e Ademit.

 

George Orwell dhe esperanto

 

Në librin- monografi të z. Walter Zhelaznit “Ludovik Lazar Zamenhof dhe probleme të zgjedhura gjuhësore” botuar nga UET Press, një zë të veçantë i kushtohet George Orwell-it. Ky, ka banuar ca vjet në Paris midis dy luftrave botërore te një kushërirë e cila familjarisht e fliste esperanton. Kështu ai është njohur me atë gjuhë. Në atë familje anarkiste flitej për përmbysje shteti, për socializëm etj, ndonëse burri i kushërirës, pasi vizitoi Bashkimin Sovjetik u zhgënjyer përfundimisht nga socializmi real.

Në vitin 1944 kur Orwell shkroi “Vitin 1984” për të përshkruar shtetin totalitar i cili ndër të tjera u shpëlante trurin njerëzve, vë në gojën e tyre një gjuhë tw re Newspeak (Fjala e Re).

Orwell-i e paraqiti krijesën e tij si vijon: “Gramatikën e fjalës së re e dallojnë veçanërisht dy cilësi. Njëra ishte mundësia për t’i ndërruar krejt pjesët e gjuhës”. […] “Nuk ekziston fjala “mendim”- atë e zëvëndësonte fjala “me mendue”, që funksiononte njëkohësisht si folje dhe si emër”. [Orwell 1979: 295-296]

“Përdalluesja tjetër interesante e gramatikës së fjalës së re ishte rregullsia e saj. Përveç disa përjashtimeve, foljet zgjedhoheshin njësoj dhe mbaronin me is– pensis, ŝtelis (mendoi, vodhi), etj.” Njësoj formohen kohët në Esperanto, duke u shtuar rrënjëve mbaresa, gjithnjë të njëllojta për çdo kohë dhe të gjitha vetët, që i tregon përemri- mi pensis, li pensas, ni pensos (unë mendova, ai mendon, ne do mendojmë). Pikërisht këto dy kritere kryesore të fjalës së re, sikurse shkruante Orwell-i, e karakterizonin gramatikën e saj

Ka shumë më tepër ngjashmëri ndërmjet Fjalës së re dhe Esperantos. Për ta bërë të qartë këtë, do paraqes edhe disa shembuj. “ Në shumës ishte shtuar mbaresa a- hom- homa, bov- bova (njeri – njerëz, ka- qe), dhe në Esperanto mbaresa j; në njëjës mbaresës së njëjësit o- homo- homoj, bovo- bovoj. Krahasimi ishte i rregullt si në Esperanto: në krahasimin relativ- para mbiemrit shtojnë pli– pli bona dhe në superlative- plej- plej bona.

Çdo fjalë në Fjalën e re merrte domethënie negative duke shtuar parashtesën ne. Në Esperanto këtë funksion e përmbush parashtesa mal: bona- malbona, alta- malalta, bela- malbela.

Nga pikëpamja interlinguistike nuk ka gjuhë të tjera nga të cilat Orwell-i t’i ketë nxjerrë idetë e veta gramatikore.

 

 

Bardhyl Selimi 28 korrik 2016

 

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

August 2016
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

ARCHIVE

Terms List