Poezi nga Festim Liti
IKJE PA KTHIM
Thjeshtë një zënkë ishte midis nesh,
E butë, pa zhurmë, si det pa dallgë,
Duke veçuar ca pasthirma,
dhe mallkime që godisnin në plagë….
Papritmas, lart, u grumbulluan,
fragmente të errëta resh,
Qielli u stolis,
Me shigjeta gjarpërueshe vetëtimash,
Me mantelin e zi të shtrengates u vesh…..
Thjeshtë, një zënkë e zakonshme ishte,
Si drita e shpejtë e shkrepëtimave,
Por, ti ike në mes të shiut,
Si Gorgone krenare drejt oqeanit të dhimbjes
Pa kujë, pa lutje, pa lotët e psherëtimave…
ZEMRA
Pse s’ po gjen qetësi zemra ime?,
Mbete e pandreqeshme, organ kapriçioz,
Pushoje brenda kraharorit stuhinë,
që shkund kocka,vena e damarë,
Përpiqet ta djegi këtë ngrehinë….
Ç’ është kjo dhimbje, lëngatë në suferinë,
pasthirma e ofshama nëpër zhgjendrra,
A ka ndonjë ilaç a balsam kjo çmenduri?
Ka miku im, ka,
Foli një ze me tingullin e natës,
Madje pa datë skadimi,
Nuk di kush e pagëzoi i pari,
Me emrin magjik Dashuri…..
PA TITULL
S’ të pëlqenin ngjyrat e vagëta të muzgut;
Dritë e bënin natën sytë e tu,
Kur puthjet mbi buzë nxirrnin flakë,
E trupi fërgellonte si degë lofate,
S’ e shuanin zjarrin e pasjonit,
As valët e freskëta të detit blu……




























Leave a Reply