Poezi nga Marjeta Shatro
Me botën time
Shkrepi dielli mbi kreshtat e malit
E rrezet e arta i hodhi kudo,
Mbi lumin që rrjedh përmes pyllit të praruar.
Zgjoi gjethet, avujt dhe zhurmat.
Gjethnaja shkëlqen e unë sodis.
Aroma e dafinave të lulëzuara më ngacmon.
Dëgjoj gushëkuqët që cicërojnë.
dhe diellin që agimin përqafon!
Jam askete e ëndrrave të mia!
Aktore tragjike e jetës,
Formë e gjallë e vdekjes!
Robinjë që lutem për të mos u liruar!
Me ide të bukura mbush zbrazëtinë!
Jetën e kam shndërruar në qëllim!
Bijë e etërve të mi dhe nënë e bijve të mi!
Fal nga pak çdo ditë jetën time
Se jam njeri!
Me botën time!
E qetë në paqen e përkryer hyjnore!
Bekuar nga puthjet e Nënës!
Stuhi
Era e fortë përkund degët e pemëve.
dhe horizonti gri fsheh të fundit fasha drite
qielli oshëtin e retë nxitojnë udhëtim
deti dallgëzuar përplas valët oshëtimë.
Qielli i përhirtë nis vajin e stuhisë
Në mijëra lotë përshkuar faqe pemësh
dhe xhamash të qelqtë të dritares time.
Ç’pasion e zgjon sot trishtimin tim?
Pas lotëve rend e shpirti në trazim
I ngjaj lules së vesuar e plot brishtësi.
Në sy më pasqyrohet heshtja hyjnore e detit
Në të kthjelltën ditë,
ku rrezet derdhen sërish
dhe harmonia valë prek gjer në thellësi.
Sa afër…
Ne shpirtrat mendimtarë
Soditim të dy,
Perëndimin që gjithçka e shndërron në ar
dhe yjet e largët shfaqur shkëlqimtarë.
Sa afēr jemi
Sytë ndrijnë në mijëra shkrepëtima!
Zemrat rrahin fort,
E shpirtrat digjen zjarr .
Ndjejmë frymën magjike zbritur nga qielli!
E të nesërmen ditë agimesh përqafuar .
Ne duhemi
Ne duhemi dhe jetojmë.
Jetojmë dhe duhemi.
Kemi dashurinë tonë,
shkëlqimin që sytë na verbon.
E dëgjojmë njëri-tjetrin me zemër
dhe rendim pasionesh të çmendur.
Dy të dashuruar
Fate të anijes rendur nëpër det
Ditës plot stuhi, por dhe ditëve të paqta
Besojmë tek njëri-tjetri,
tek anija jonë,
që çan valët trazim
drejt mëngjeseve zgjim.




























Leave a Reply