Gazetaria majmunore”, ose “Shqipja, kjo gjuhë e zemërimit dhe e dëshpërimit !!
(Artur Zheji, ose kur padituria dhe papërgjegjshmëria e pseudointelektualit përligj ambasadorët e kulturës shqiptare nëpër botë * emigrantët * )
Nga : Rezart Palluqi
Artur Zheji i paska quajtur majmunë, emigrantët që komunikojnë gjatë pushimeve në Shqipëri në gjuhë të huaj. Meqenëse jam edhe unë një emigrant, më duhet ta kontestoj konstatimin e zotit Zheji.
-I nderuar zoti Zheji. Ne, miliona emigrantët shqiptarë, u larguam prej Shqipërisë, pikërisht prej luftes së egër dhe të përjetshme të majmunëve shqiptarë. Ata, mbasi ne u mirëbesuam pemët e jetës sonë, u sulën midis degëve të tyre plot frute, i këputën ato të babëzitur, dhe mbasi u ngopën, filluan të godasin njëri-tjetrin me kokrra molle apo portokajsh. Ne, u përpoqëm që t’i qetësojmë majmunët me kollare dhe dhëmbë prej floriri. E bëmë këtë, jo në gjuhën angleze, franceze, greke, apo italiane. Jo. Iu lutëm në gjuhën shqipe: -Qetësohuni, o majmunë. C’bëni kështu? Përse na e grabisni pemën e jetës në mes të ditës me diell? Vërini gishtin kokës, o majmunë!
Këto, të gjitha këto lutje , zoti Zheji, ne i ulëritëm në gjuhën shqipe. Kur e pamë që majmunët nuk po na kuptonin, nuk na mbeti gjë tjetër vecse të mësojmë gjuhë të tjera dhe tia mbathim nga koka tek këmbët. U arratisëm pra, prej fushëbetejës së majmunëve kriminelë shqiptarë. Ikëm! E camë detin me not, ose malet me sandale e këpucë të shqyera. Mësuam gjuhë të huaja dhe profesione të ndryshme. E bëmë këtë në gjuhë të huaja përshkak të majmunëve shqiptarë.
Të emigrosh nuk është fundi i botës. Emigracionet në fakt, zgjasin ose duhet të zgjasin pak. Ato duhet të jenë të përkohshëm. Mirëpo atdheu ynë, është shndërruar në një makineri barbare që prodhon emigracion kronik, të përjetshëm. Dhe kjo ka ndodhur, po ndodh dhe ka për të vazhduar të ndodhë prej betejës së pafundë të majmunëve bark-elefante. Erdhi momenti zoti Zheji, që ne e pranuam se brezi ynë duhej të bëhej kurban, për hir të brezave të ardhshëm. U vetedijesuam pra, se nuk kishte rrugë kthimi për ne. Erdhi gjithashtu casti që thamë: mirë që na crrënjosët si karrota të kalbura, por të paktën na respektoni mundin dhe kontributin tonë financiar dhe profesional. Ky vlerësim nuk erdhi kurrën e kurrës prej qeverisë së majmunëve plackitës. Ndërkohë, që popujt e tjerë emigrantë ndjehen dhe përfaqësohen mjaft mirë prej qeverive të tyre. Mjafton t’ju përmend Turqinë dhe Marokun. Miliona turqit dhe marokenët në Evropë, përkrahen kudo. Qeveritë përkatëse investojnë miliarda euro me qëllim që traditat dhe kulturat e tyre të ruhen dhe zhvillohen në mërgatë.
Po qeveria e majmunëve shqiptarë cbën për mërgatën, që sipas jush u sillkërka si majmuneshë? Asgjë! Në ambasada na e nxini jetën me lloj-lloj procedurash burokratike dhe hajdutërie zyrtare. Gjuha shqipe mësohet shumë pak ose hic në shkollat evropiane. Aktivitetet kulturore janë dominuar prej këngëtarëve pseudo- nacionalistë. Sipërmarrësit emigrantë që kthehen në Shqipëri ju nuk i përkrahni për të ndërtuar jetën e tyre, ashtu sic e bëri Bullgaria dhe Rumania. Jo! I trembni dhe dëboni me lloj-lloj mënyrash. Në dogana na e nxijnë jetën në mes të ditës, ndërsa qeveria shqiptare nuk bën asgjë prej gjëje. Në trena, autobusë, salla teatri, kudo, kudo ne bote, zoti Zheji, kemi turp të prezantohemi si shqiptarë sepse do të na tallin, përbuzin, përcmojnë si pjesë e një vendi mafioz, që prodhon njëmijë e një të zezat e botës.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, vijmë në verë për të takuar të afërmit tanë. Dhe cfarë bëni ju? Dhe kur them ju, e kam fjalën për qeverinë shqiptare dhe biznesin e atjeshëm? Na vidhni dhe tallni në mes të ditës. Bukën, ujin, sheqerin, cmimin e dhomave i dyfishoni sapo shihni ndonjë emigrant. “Erdhën këta”- mërmërisni nëpër dhëmbë.
-Erdhën hamallët e euro-atlantikë. O burra, t’ua zbrazim portofolët dhe në fund t’i ripërzëmë me shklemat bythëve- ja kështu talleni me ne, mbrapa perdeve.
E përse habitesh ti, zoti Zheji, kur ne komunikojmë me njëri-tjetrin në gjuhë të huaja? Më duket e pacipë të pretendosh që ne të flasim shqip. Flasim në gjuhë të huaja, sepse në to gjetëm vetveten. Ato na përfaqësojnë me dinjitet dhe reflektojnë talentet tona profesionale. Prej gjuhëve të huaja ne bëjmë dallimin midis gjuhëve të majmunëve!
Gëzimet e jetës i shprehim në gjuhë të huaja. Hidhërimet, zemërimin dhe tërbimin na detyruat t’i shprehim në gjuhën shqipe. Kjo ndodhi prej luftës skizofrenike të majmunëve shqiptarë. Prandaj, edhe NE, sapo majmunët i ndeshim gjatë pushimeve tona të shkurtëra, tërbohemi dhe atëherë, papritur ju shajmë në shqip. Dhe e bëjmë shumë shumë mirë. Ishit ju ata që gjuhën shqipe e shndërruat në gjuhën e banalitetit, zhgënjimit, mohimit të mërgatës, e cila numerikisht është tri herë më e madhe se shqiptarët që banojnë në “Republikën e majmunëve të tërbuar”.
Por nëse ju zoti Zheji, pra kur them ju, e kam fjalën për njerëz si ti, që kanë bërë kompromise me shefat e majmunëve për leverdi personale, do t’i kishit bërë zap majmunët, ne dhe dhjetra breza të tjerë, nuk do tia mbathnim përjetësisht drejt qiejve të huaj. Rrjedhimisht nuk do të kishim ndërtuar jetën tonë dinjitoze, duke përdorur gjuhët e huaja, por do ta kishim bërë këtë duke folur shqip. Pa dyshim, që gjuha shqipe do t’ishte bërë gjuha e gëzimeve, lumturisë dhe dinjitet tonë, dhe gjuhët e huaja do të përfaqësonin anën banale të jetës. Me siguri, që atëherë, nuk do të ulërinim në shqip, “ik mër shërdhatë muti” por, go fuck you, bastard!
Sic e sheh zoti Sheji, fati i gjuhës shqipe, nvaret prej betejës së majmunëve. Nëse ata kthejnë rrugë, ne do ta përdorim gjuhën shqipe kudo në Shqipëri. Në të kundërtën, ajo do të vazhdojë të jetë për mërgatën gjuha e zemërimit, zhgënjimit dhe banalitetit!
Merru vesh, pra, një herë zoti Zheji, me shefin tënd, shefin e majmunëve agresivë e hajdutë dhe pastaj ec dhe paragjyko komunikimin e emigrantëve shqiptarë në gjuhë të huaja.
Amsterdam, 10 gusht, 2016




























Leave a Reply