Poezi nga Miltiadh Davidhi
NËPËR RRUGICA AJRI
Nëpër rrugica ajri
Shikoj yje të largët
Si sy të ftohtë dhe një hënë
Si kosore e pabesë,
E unë eci në ërkim të diellit
Plot me zjarre dashurie
E ngrohtësi shpirti,
Që sytë e mi si vesëza nate
Të mos jenë të largët e të ftohtë
Për dashurinë, për jetën.
STACIONET
Jetoj kohën time të përkohshme,
Ku stacionet janë të përhershme
Me plot ëndrrra në lëvizje
Ndër trupa të tjerë.
Në këtë stacion malli
Sot heshtim pa njeri-tjetrin,
Unë dhe hija ime, ti dhe hija jote,
Mes hijeve të shumta që,
Na ndjekin pa na njohur.
Ah, të kishte qenë dhe koha e jonë,
E përhershme si dhe stacionet,
Sot do takoja kë doja në realitet,
E jo nëpër ëndërrime,
Dhe malli e dhimbja
S’do më rëndonin
Në zemër si një thikë që vret,
Netëve ndër ëndrra s’do qaja
Për të gjallë e të vdekur
Që s’mund t’i shikoj më,
Se do ishin të pranishëm
Me gjokset plot me ulurima ere,
Në të gjitha kohërat dhe stacionet!
Tashmë i ngjaj një pike shiu që vdes
Nëpër qerpik drite nga malli
I përkohshëm,
Ndër stacione të përhershme.
Këtu, dikur më bëhej
Lëndinë plot me dashuri,
Zemra
Që tashmë vajton’ e mjerë,
Nga dor’e kohës hedhur si gur zalli,
Në udhëtimin e dikurshëm
Që sot hesht si i pa vlerë.
Ndër stacione me drita ëndrrash ndriçuar
Rreze të tjera e zëra me fytyra
Të panjohura më shohin,
Pa as më të voglin kujtim të shkuar
Buzëqeshin,
Por s’më ngrohin, s’më njohin!
Dt.13.04.2015-14.08.2016.
Modena, Italy




























Leave a Reply