Shtëpia Botuese “ ADA” publikon vëllimin poetik “Me erën e vjeshtës” të autorit Angjelin Lazri dhe parathënie të autores Vjollca Shurdha.
Titulli – Me erën e vjeshtës
Autor – Angjelin Lazri
Korrektor – Ndue Shabaku
Kopertina – Alba Lazri
– Andrea Lazri
Botimi i parë, 2016
ISBN: 978-9928-223-06-7
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm
Roland Lushi
Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, gusht 2016
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Lazri, Angjelin
Me erën e vjeshtës : poezi / Angjelin Lazri. – Tiranë : Ada, 2016
124 f. ; 20 cm.
ISBN 978-99228-223-06-7
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
Parathënie
Thjeshtësia instiktive e emocioneve përbën forcën krijuese të autorit Angjelin Lazri, e cila na paraqitet në librin e radhës me titull “Me erën e vjeshtës”.
Dhënia zë erës dhe formave të saj është baza primare mbi të cilën ndërton teorinë e tij poetike në këtë vëllim. Domosdoshmëria për të komunikuar çon dorën e autorit në valë të lirë.
“Tretet vargu im tek bie mbi fletë,/ me erën e vjeshtës/ udhëve të fatit/… Dhe unë me të/ në heshtje,/ tretem mallit”.
Poeti sjell tek lexuesit një buqetë krijimesh plot aromë mirësie e njerëzie. Përcjell nëpërmjet tyre paqen, rrezet diellore që depërtojnë kudo, erërat që fryjnë e me freskinë e tyre ngarkohen me energji, e cila kthehet në energji krijuese. Vargjet na i sjell të shkruara qetësisht, të ardhura butësisht e lehtësisht të perceptueshme:
“… Sa do të doja, të buzëqeshur t’i kisha,/ të tejdukshëm,/ ku shpirti u buron si uj./ Sa do të doja të mos ua shihja/ gëzimin mbi hidhërimin e tjetërkujt./ Sa do të doja të mos i kisha njohur në jetë!/ Ndoshta, vetë dhimbja do të ishte më e lehtë…
Lexuesit i mbërrin në dorë një përmbledhje poezish ku autori shpreh emocione, gëzim, ekzaltim, dëshpërim, tronditje të pranuara me forcën burrërore.
Kohëve të vështira gjeti forcën si zgalem e fluturoi drejt së panjohurës, pa iu trembur syri, pa u gjunjëzuar para askujt, ku ndershmëria i shndrin në djersën e ballit. Me po këtë forcë shkruan vargjet dhe për ne vijnë si impulse optimizmi:
“Nuk lash’ mal pa shkelur, edhe zbathur./ Gomone e netë rrugësh pa strehë kalova./ Gjer më sot, me djersë e pa asgjë të falur,/ s’u ankova kurrë, veç jetës iu gëzova”.
Gjurma stilistike e poetit njihet menjëherë, sepse i është drejtuar e drejtohet gjithmonë publikut me tendencën e qartë edukuese të të qenët njeri, ku e ndërthur e përshtat më së miri ndërmjet fantazisë dhe realitetit:
“U zunë retë atë natë të ftohtë,/ me vetëtima e bubullima sa deshën./ Sa ulët qiellit kishin rënë, sa poshtë!/ Doemos, t’ma prishnin buzëqeshjen./ Sa më mori malli për ato ditë të rralla,/ kur qiellit të kaltër treteshin retë e bardha!”
Nëse poesia është pasqyrë shpirtërore, autori Angjelin Lazri është sigurisht një poet ku poetika e poeti bëhen kori i kulturës së vendlindjes së tij Dragusha. Vlerat e saj të forta që janë zbehur në mënyrë të heshtur, autori i sjell si një lojë pasqyrash ku reflekton të vërtetën e turbullt, duke parashikuar shtjellat e ardhshme, duke i bashkëngjitur bashkëkohores moralitetin e thellë filozofik. Pas banalitetit të përditshëm qëndrojnë veprime që në këtë vepër bëhen material:
“Është veshur në mermer/ kodra e Frashnjetit,/ lapidarë mbi lapidarë./ Histori e paparë!/ Dikush po ngre kalanë me gurë,/ ndërtesë me kate./ Për së gjalli në shpellë/ e së vdekuri në pallate./
Besimi dhe dashuria janë dy binarë që kanë udhëtuar paralelisht në jetën e tij. Besimi është domosdoshmëri për të përballuar dhimbjet e thella e tragjeditë që lënë shenjë të pashlyeshme në shpirt e dridhet dora burrërore e poetit:
“Mora të shkruaj për ty, o engjëll,/ por fleta e bardhë m’u ngjye me lotë./ Nga dhimbja, s’e mbajta dot veten …/ Fjalët për ty s’i shkruajta dot …/
Tërë libri është i përfshirë nga nuanca ngjyrash poetike ku në çdo faqe gjejmë rrahje zemre, gjejmë jetën që ushqehet me ëndrra e shpresa. Çdo fletë është e mbështjellë me pelerinën e dashurisë, ku dallohen ajo për fëmijët, për familjen, dashuria vëllazërore e miqësore, memoria e të shtrenjtëve, dashuria për tokën e tij, për historinë, për natyrën
***
Ndjenja e pastër përshkon çdo varg e çdo gjë merr kuptim. Shpalos kështu poeti një hartë poetike duke na marrë përdore për të vizituar vende që adhuron, duke na ftuar gjatë leximit të zbulojmë ndjenja të painfektuara nga materializmi.
Ironik e i ëmbël, me vetëdije të plotë, autori ndërron regjistër duke i dhënë jetë, shpirt, histori, domethënie edhe diçkaje që duket e parëndësishme. Asgjë nuk ka rëndësi, nëse nuk mendojmë t’ia japim atë. Në poezinë e tij autori i drejtohet shpesh erës e, në fëshfërimën e saj, gjen prehje mendimesh: “Fëshfërimat e erës/ ç’më japin një ndjesi …/ Fjalët, pëshpëritjet,/ më mirë kurrë të mos i di.
Vargjet origjinale bëjnë që çdo poezi të jetë jo vetëm fantazi e imagjinacion, por që përputhet me realitetin. Poetika me bukuri rrëmbyese ngjyrash, melodicitet, tonalitet, realizëm, bën të reflektojë autorin Angjelin Lazri poet bashkëkohor që projekton me largpamësi e me identifikim në vlera.
Përmbledhja poetike është shkruar me një metrikë të saktë e me elemente të harmonizuar. Rimat e njëpasnjëshme, të kombinuara a të alternura,
figuracioni i zgjedhur e i goditur në vargun e ngjeshur, i japin ritmin e gjallë dhe intensitetin e mendimit. Disponimet e ndryshme në të cilat janë ekspozuar mendimet, krijojnë një marrëdhënie ndërpersonale me lexuesit në kujtimet e tyre të njëjta, në natyrën, në ndjenjat personale të ngjashme, në lirizmin origjinal, të cilat nxjerrin në pah qëllimin e poetit që të ndërtojë ura shkëmbimi në raportet humane. Vargjet poetike të autorit Angjelin Lazri qëndrojnë jashtë çdo deforme njerëzore. Ato sjellin kristalinën e vesës së mëngjesit e puhizën aromëmirë. Vallëzojnë këndshëm me erën, me erën e ngrohtë njerëzore, fluturojnë me të duke u shpërndarë në duart e publikut artdashës, ku do të dëgjojnë pëshpërimën e lehtë e do të ndiejnë fëshfërimën që vjen ngrohtësisht “Me erën e vjeshtës”
Vjollca Shurdha,
Poete, shkrimtare, përkthyese, Itali.
DEDIKIM
Më e bukura e një ëndrre është se e sheh ose e pretendon vetëm vetë. Është diçka tepër personale që, edhe ta tregosh, shpreh mungesë besimi apo, sadopak, shenjë frike.
Të mosreshturit kurrë së ndjekuri ëndrrat e tua, nuk do të thotë të jetosh në ëndrra apo jerm. Absolutisht, jo! Sepse edhe vetë, një ditë, arrin të kuptosh se asgjë nga ky shtegtim s’ka qenë për vete, por për të tjerë. Për ata që lindën përmes ëndrrave të tua!
Dhe vjen një ditë që ndihesh krenar, se ke guxuar të ëndërrosh …
(Ia dedikoj këtë libër me poezi ëndrrës sime më të bukur, fëmijëve të mi, Alba dhe Andrea.)
( Autori)






























Leave a Reply