Vizitorët e gushtit
Nga Bardhyl Selimi
Vera sjell edhe në Shqipëri shumë vizitorë të huaj. Ndër ata edhe esperantistë, dmth njerëz që e flasin gjuhën ndihmëse ndërkombëtare Esperanto.
Sllovaku
Para 10 ditësh, më thirri në telefon z. Jan Vajs, sllovak. Po mbaronte periudhën e pushimeve me familjen në plazhin e Durrësit, prandaj dëshironte të takonte ndonjë nga esperantistët në Tiranë. Erdhi të dielën dhe kaluam bashkërisht disa orë. Në biseda, përveç temës për mbarëvajtjen e gjuhës Esperanto në të dy vendet, kryesisht, ne shkëmbyem informacion për turizmin. Ai vetë ishte edhe çiklist amator, kishte përshkuar vjet jugun e Shqipërisë nga Bregu në Gjirokastër, por edhe ishte edhe bjeshkatar. Kishte esploruar zonën e Pejës dhe të Gucisë. I fola për Alpet tona, Valbonën e Thethin, që frekuemtohen edhe nga bashkëatdhetarë të tij. Shkëmbyem edhe libra. Më tej kaluam në problemet ekonomike. -Haveli- tha Vajs konsiderohet hero për çekët, por në Sllovaki atë e urrejnë. Përse? Sepse mbylli fabrikat ushtarake duke nxjerrë pa punë 50 000 punëtorë. E njëjta ka ndodhur edhe te ne, vërejta unë. Madje i asgjësuam edhe armët në mënyrë të përshfaqur. Po, pranoi Vajs, që të blejmë armë te shtetet më të forta, sepse edhe ne kemi nevojë për armë. Hapësirën tonë ajrore nuk e kontrollojmë dot vetë, shtova unë, por italianët, më duket. Edhe ne vetëm dy aeroplanë ushtarakë kemi, përforcoi Vajs…Megjithatë, pas ndarjes me Ҫekinë, ekonomia sllovake ka marrë hov. Të paktën 200 mijë vetë janë të punësuar në fabrikat e automobilave! Sllovakia zë vendin e parë për prodhim automobilash për çdo 1000 banorë! Ka gjithashtu përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë. Nuk është më ajo Bratislava që kam parë unë fëmijë në vitin e largët 1959, kur kalova atje më shumë se një muaj pushime verore si pionjer i dalluar..
Nga Bar-i rrotullues te Sky Tower në Tiranë.
E ngacmova pak për praninë e pakicës hungareze në vendin e tij dhe doja t’i kujtoja që Sllovakia nuk e ka njohur ende Kosovën, mbase për këtë arsye. Por ai tha se hungarezët përbëjnë vetëm rreth 7 % të popullsisë atje, gjë që më bën të dyshoj. Sepse vetë emri Bratislavë shqiptohet ndryshe nga hungarezët.
Shëtitëm nëpër Tiranë, te Sheshi i Namazgjasë, te katedralja e Shën Palit, në bul. “Dëshmorët e Kombit”, në Bllok. Pastaj ai u kthye në Durrës me një makinë të marrë me qira.
Koreanët
Që në maj, kisha marrë njoftim nga miqtë koreanojugorë se ata do ndërmerrnin një tur tre mujor nëpër Azi- Evropë. Përfshihej në këtë udhëtim të gjatë edhe Shqipëria e Kosova. M’u bë qejfi dhe u tregova i gatshëm të ndihmoja në vizitat e tyre në shtetet shqiptare. Ata ishin tetë pjesëtarë, me mosha nga 12-72 vjeç. Në krye ishte profesori i Historisë Ekonomike z. So Gilsu, që kishte vizituar rreth 80 vende të botës. Ai vinte bashkë me të shoqen. Po ashtu ishte edhe zoti Daebong Jeon, informaticien me të shoqen Cho Myung Ja, njëkohësisht sekretare e shoqatës koreane të Esperantos. Një zonjë kishte ardhë me të birin ndërsa një zonjë tjetër bashkë me të bijën, studenten 2o vjeçare Choi Youn Ji.
Ata mbërritën në Tiranë me 12 gusht, pas mesdite. Në sallonin e hotel “Nobel”, pranë qendrës, erdhën për t’i takuar edhe z. Bedri Alimehmeti, autor i vëllimit poetik në dy gjuhë, shqip dhe esperanto, “Kjo këngë për ju”, i cili i dhuroi një kopje grupit. Erdhi edhe gazetari i Radio Tiranës, z. Andi Bica, i cila na ftoi në studio për një intervistë. Kështu, i tërë grupi nisi shëtitjen nëpër bulevardin e madh deri të ndërtesa e Radio – Tiranës. Rrugës vijuam bisedën. Pyetjes së z. Bedri mbi zhvillimin ekonomik të Koresë së Jugut, zoti So iu përgjigj se të ardhurat për frymë atje janë 30 mijë USD dhe vendi i tij konkuron sot me sukses Japoninë, Gjermaninë dhe SHBA! Të ardhurat në jug janë 80 herë më të larta se në veri, ku sigurisht pjesa më e madhe e parave shkon për industrinë e luftës duke varfëruar në skajshmëri popullin koreanoverior.
Përveç prof. So Gilsu, në studio u intervistua edhe z. Skënder Hushi, autor i një libri interesant vëllimor mbi prejardhjen ilire- pellazgo-atlantide të shumë emrave, deri tani të quajtura jo shqiptare.
Nga e majta: Gazetari Andi Bica, z. Skënder Hushi, unë dhe z. So Gilsu.
Në studio e jashtë saj përjetuam një atmosferë shumë miqësore.
Pati një diskutim interesant midis dy studiuesve. Zoti So Glisu vërejti, për mua, me të drejtë, se shumë zbulime, po ashtu dhe fjalëkrijime, kanë ndodhur njëkohësisht në vende të ndryshme të globit. Prandaj nuk është e rastit që ne gjejmë përralla, proverba, anekdota të ngjashme që nga Japonia gjer në Amerikë. Madje edhe zbulimet shkencore!
- Skënder, ashtu sikurse miku im z. Ali Eltari, ishte i mendimit që njerëzimi duhet të kthehet te gjuha e të parëve, te pellazgjishtja, që ka lidhje të forta me shqipen e sotme. Natyrisht, kjo është diçka utopike. Doja të thoja, përse të bëhet kjo gjë, kur dihet se gjuhët kombëtare janë relativisht të vështira për masat popullore, ndërsa tani kemi esperanton, asnjanëse, të lehtë, fonetike, funksionale..
- Skënder Hushi këmbëngulte në lidhjen e fortë ndërmjet atlantidëve parahistorikë dhe paraardhësve të shqiptarëve të sotëm.
- Gilsu shpjegoi se dy ishin qëllimet e turneut nga Seuli në Berlin, të ndërmarrë nga grupi i tij: të shihnin vendin ku dikur ka qenë Muri i Berlinit që ndante dy Gjermanitë, sikurse është Korea e ndarë sot dhe, së dyti, të merrte pjesë në Kongresin 101 të esperantistëve në Nitra të Sllovakisë. Vitin e ardhëshëm kongresi i 102 do mbahet pikërisht në Seul.
Në fund u bënë disa foto të përbashkëta.
Në mjediset e katit të tretë të Radio- Tiranës
Pasoi një darkë e shijshme në një nga restorantet e mira pranë Radios, duke vijuar bisedat dhe duke ndjekur Olimpiadën në Brazil përmes TV.
Të nesërmen, bashkë me grupin, ne shkuam në Durrës me linjën e autobuzave. Ecëm më këmbë, si një shëtitje e gjatë, deri te hyrja e Portit, ku ngrihet një ndërtesë 15 katëshe me një taracë me Bar, nga ku duket i tërë qyteti. Bëmë disa foto pranë statujave të bronzëta të Tina Tërnërit, Bob Dilanit e shokëve të tij të Beatles-ave dhe një bisedë interesante me z. Ylber Osmanagaj, udhëheqës grupesh turistikë, ish drejtor i Muzeut arkeologjik. Mandej një vizitë në Muzeun Arkeologjik dhe në amfiteatrin e madh romak, për të cilën në Vikipedia shkruhet:
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
Për prof. So Gilsu ishte me interes të qëmtone fakte mbi ekzistencën, edhe në tokat tona, të simbolit të Svastikës, (të futur në flamurin e Gjermanisë Nacional- Socialiste) që dikur ka paraqitë diellin.
Diçka kishte në këtë muze por ciceronja Esmeralda Shtjefni nuk qe në gjendje të sqaronte, se kur objektet përkatëse, që rrinin ende të paketuara në katin e dytë të pa vizitueshëm ende, do bëhen të njohshme për vizitorët. Mbase diçka do gjendej në muzeun historik kombëtar në Tiranë, në mozaikun e famshëm të Durrësit.
Më tërhoqi vëmëndjen çmimi i biletës në muze: 400 L. Nuk ka favorizime për pensionistë, studentë etj. Kjo në fakt te ne ndodh edhe në shumë shërbime të tjera, si në transport, psh.
Pasi u kthyem në Tiranë, një pjesë e grupit shfaqi dëshirën të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa pjesa tjetër Parkun Kombëtar të Dajtit. Unë iu bashkova grupit të dytë…Përmes teleferikut, arritëm në Fushën e Dajtit e që andej te Kulla e Perrisë, një restorant karakteristik, ku kanë ndërtuar disa basene uji të pastër në nivele të ndryshme, njëri mbi tjetrin dhe ku rritet trofta. Qetësia, freskia dhe shërbimi i mirë në atë vend të jashtëzakonshëm ta largojnë krej lodhjen që të shkaktojnë ditët e nxehta të gushtit.
Me zotin Daebon Jeon
Të dielën herët, ora 6, u nisëm për Kosovë me autobuzin e shoqërisë Tirana Metropol. Ndonëse punonjësit e hotelit kishin premtuar të përgatisnin pak ushqim për rrugë në qese të veçanta, ata nuk e bënë këtë gjë. Kur isha në hotel në orën 5-30, roja doli të blejë ca “brioshë” por u kthye pa gjë, ende nuk ishin bërë në furrë…
Vijuan bisedat gjatë rrugës si edhe në ndalesën te Lugina e Drinit në Kukës, duke shijuar panoramën e liqenit dhe të malit të Gjalicës.
Në Prishtinë na priste një mikrobus i porositur nga miku im Behadin Rexhepi, që na shpuri në hotelin luksoz “Nartel” pranë stacionit qendror të autobuzave. Programi, gjithashtu i hartuar nga Behadini, përfshinte vizitën në Shpellën e Mermerit në Gadime të Epërme, vizitën në Janjevë, në fshatin e lindjes së priftit arkeolog dhe etnograf Shtjefën Gjeçovi, në Graçanicë dhe në Prekaz, ku ndodhi sakrifica e jashtëzakonshme, pa shembull të dytë në botë, e Jasharajve.
Shpella e Mermerit, ndonëse e zbuluar në vitin 1969 dhe me investime të kufizuara, është padyshim e pakrahasim në llojin e vet. Dikur aty cicëronte z. Nazif Tasholli, tashmë i ndjerë që një vit, i cili i tërhiqte vizitorët me njohuritë dhe elokuencën e tij të veçantë. Atëhere Shpella administrohej nga Komuna e Lipjanit. Tani ajo administrohet nga Ministria e Mjedisit. Ciceroni, z. Oso Gjinovci, na tha se kish kryer studime të larta për edukim fizik, por ishte specializuar në disa shpella të ngjashme në Francë. Padyshim, ai nuk është personi i duhur për atë detyrë, që kërkon njohuri relativisht të mira në histori dhe gjeologji.
Shpella: dhoma e dashurisë, Romeo e Zhulieta. Stalaktiti do bashkohet me stalanitin pas 1500 000 vitesh!
Grupin e shoqëronin edhe dy personalitete vendore, miq të mij, nënkryetari i Komunës së Lipjanit Ing. Sefer Tasholli dhe profesori i historisë z. Adem Tasholli.
Para hyrjes së shpellës, me ciceronin z. Oso Gjinovci, i dyti nga e majta
Drekën miqtë e hëngrën në restorantin pranë, ndërkohë unë pata rast të zhvilloj një bisedë interesante edhe me zotërinjtë Avni Bikliqi, Hyzri Salihu, Agim Gashi, që na u bashkuan aty.
Të gjithë shfaqnin mendime për problemet politike dhe sociale që kalon Kosova. U shprehën edhe pikëpamje pesimiste për ardhmëninë e brezave të rinj, por nuk munguan edhe parashikimet optimiste. U trajtua edhe situata e re në Turqi dhe ndikimi i saj në Shqipëri e Kosovë.
Nga e majta: Z. Sefer Tasholli, z. Agim Gashi, z. Avni Bikliqi, unë, z. Hyzri Salihu, z. Adem Tasholli dhe një specialist i informatikës nga Ferizaj.
Zoti Avni Bikliqi na shoqëroi me veturën e vet deri në Janjevë, në fshatin e vet. Atë ditë, rrugës, hasëm disa dasma, po kështu edhe në këtë fshat ku banojnë bashkësi etnokulturore të ndryshme: shqiptare, kroate, boshnjake, rome. Pranë fshatit me natyrë, arkitekturë dhe larmi të madhe, prej disa vitesh është ndërtuar një kompleks argëtues dhe pushues “Ania” ku pamë më dhjetëra automjete dhe qindra njerëz, që drekonin aty.
Pranë bustit të luftëtarit nacionalist Ruzhdi Janjeva (Bikliqi), na u afrua një burrë shtatlartë, i parruar, me sa duket pak i çekuilibruar mendërisht, që fliste me zë të lartë: Shqipëria është 104 vjet e pavarur, Kosova nuk është pranuar në OKB!
Majtas z. Avni Bikliqi
Ai vijoi me shumë shprehje pesimiste të ngjashme, madje edhe fyerje. Mbase kujtonte se këta të huaj duhet ta dinin këtë fakt, që është sidoqoftë i vërtetë.. Një ditë më vonë, duke ndjekur lajmet mësova që pas 12 orësh bisedimesh të lodhshme midis përfaqësuesve serbë në Bruksel dhe znj. Edita Tahiri, nuk u ra në ujdi ende për prefiksin e ri të telefonisë fikse të shtetit të Kosovës. Mendo se çfarë mund të presësh nga serbët për fondin e grabitur të pensioneve, për dokumentacionin e bllokuar kadastral etj, për njohjen e shtetit, për krijimin e Ushtrisë Kombëtare etj etj.
Nga Janjeva morëm udhën për në Skënderaj, që na u duk bukur larg. Do kalonim nëpër Graçanicë. Mysafirët e huaj patën rastin të shohin se serbët këtu jetojnë të qetë dhe me të drejta të respektuara në Kosovë. Madje ata nuk dalluan ndonjë ndryshim edhe në arkitekturën e shtëpive të tyre dhe të shqiptarëve, pranë e pranë. Miku So Gilsu po më thosh se i vinë mesazhe nga Ministria e Jashtëme Koreane që të kenë kujdes pasi “Kosova është ndër vendet më të rrezikshme në kontinent”. Unë i thashë që Kosova është më e sigurt se vetë Beogradi, apo Nju Jorku. Mendo se këtu ndodhen edhe trupat e Natos! Për këtë edhe ai nuk kishte më dyshime.
Me mikrobusin e kompanisë “Arbeni Tours”, shoferi Alban Fazlliu
Kompleksi muzeal përkujtimor në Prekaz u lë menjëherë përshtypje të fuqishme vizitorëve. Në një mjedis kodrinor me livadhe e pyje të bukur, ndërtesa në formë piramidë kushtuar aktit heroik të Jasharajve, varrezat në faqen e kodrës, lokalet e ngritura për rreth, shtëpia e shkatërruar e Jasharajve, plot vrima nga predhat, por edhe grupi i shtëpive të reja luksoze pas saj, të ngritura nga familjarët, ish mërgimtarë, të kthyer aty pas 2002, plotësojnë tablonë e përgjithshme të një fshati apo lagjeje, që hyri në historinë botërore në 1998.
Në oborrin e shtëpive të reja të Jasharëve
Koreanëve u ra në sy flamuri kombëtar me shqiponjën e zezë dykrenare dhe mungesa e flamurit shtetëror të Kosovës. Unë u shpjegova që Jasharajt dhe UҪK ka luftuar për liri dhe bashkim kombëtar. Flamuri shtetëror vendoset në institucionet shtetërore apo psh bartet nga ekipi olimpik i Kosovës tani në Brazil. Nuk është Shqipëria që ndikon në këtë vendim të shqiptarëve të Kosovës. Shqipëria ka dhënë ndihmën e përkrahjen e saj morale, por gjithçka tjetër bëhet sipas vullnetit të vetë shqiptarëve të Kosovës.
Dikush kishte dëgjuar se nga pylli i kodrës përballë, ku kanë qenë vendosur repartet e UҪK, asnjë plumb nuk është lëshuar në drejtim të forcave serbe që kishin ardhë në krahun tjetër të bombardonin shtëpinë e Jasharajve. Cila është e vërteta, nuk mund ta dij. Por dij se sakrifica e Jasharajve, prej 57 anëtarësh, e kalon edhe atë të një familje kineze gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u shuan rreth 42 pjesëtarë, pra zë vendin e parë në botë!
Por në oborrin e shtëpive të reja, shumë të bukura, të brezit të ri të Jasharajve takuam një djalë 12 vjeç Besimin dhe një vajzë 13 vjeç, që u treguan shumë të dashur me ne, pranuan edhe të fotografohen me ne.
Me stërnipat e Jasharëve
Pak më larg, i ati i vajzës një burrë rreth 40 vjeç, po ujiste me zorë një rrethore me lule të bukura, por nuk na u afrua për të na përshëndetur. Mbase është “lodhur” duke pritur mysafirë, megjithëse ata që ishin me mua kishin ardhë nga rreth 12 mijë km larg!
Hymë në nje shtëpi përballë, gjithashtu me mbiemër Jashari dhe biseduam me zonjën e saj. Mysafirëve u bëri përshtypje oborri i bukur me shumë shpendë shtëpiake dhe rregulli në përgjithësi. Por pyetjes sonë se si ajo zonjë i përjetoi ato ditë tragjike të luftës, ajo me mirësjellje na kërkoi që të mos i kujtojë, pasi i shkaktojnë ende shumë dhimbje.
U kthyem në Prishtinë për të shetitur në këmbë, që nga fillimi i bulevardit “Bill Klinton” ku pozuam para statujës së këtij burrë shteti të shquar, deri në sheshin Skënderbej dhe shetitoren “Nënë Tereza” ku koreanët u mrekulluan nga prania e kaq shumë qytetarëve që bisedonin dhe shetisnin individualisht dhe në grupe familjare. Në një nga byrektoret morëm vaktin e darkës, me byrek dhe ajron, para se të ktheheshim sigurisht shumë të lodhur në hotel.
Në shëtitoren “Nënë Tereza”
Aty në, pothuaj çdo 50 metra, kishte patrulla policie për të siguruar qetësinë. Kjo u la një përshtypje të mirë edhe miqve koreanë.
Një foto më punonjës të shërbimit policor të Kosovës
Të nesërmen, rreth orës 10, grupi i koreanëve u nis me dy taksi për në Shkup, ndërsa unë, pasi kalova edhe dy orë në qendër të qytetit, u ktheva në Tiranë me njërin nga mikrobuset e”‘Arbeni Tours”.
16 gusht 2016










































Leave a Reply