Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara - 1

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

PËRHERË KA KOHË

 

Përherë ka kohë të fitosh e të falësh
Atë që mendon se iku në pakthim
Mjafton të zgjedhësh ca lule fjalësh
Dhe loti i syrit do shndris si agim.

Përherë shpresa do vdes e fundit,
Jemi njerëz me zemër dhe me shpirt
Dhe kush mendon se rrugën e humbi
Tek froni i qiellit ka aq shumë dritë.

Përherë ka një shteg, ka dhe një urë
Urtësia është e para që kalon
Vetëm urrejtjet godasin me gurë
Dhe s’mbërrijnë kurrë në destinacion.

Përherë duhet të pyesim zemrën,
Gjuhës i vjen radha e fundit.
Modeli pasqyrë dashuria e nënës
Ajo që mbyll dhe plagët e plumbit.

Përherë ka kohë për atë që s’dyshon
Tek udha e dritës së diellit dhe Zotit
Përherë ka kohë për atë që shpreson
Tek dallgët e shpirtit dhe vesa e lotit.

 

 

NUK ISHTE RASTËSI

 

Përse të mendohem, s’ishte rastësi,
As humbje e rrugës në një kryqëzim
Fati im i shkruar, ç’mund të ishe Ti?
Në mos është fat le të jet ndëshkim.

Kam një mal me lutje për puthjet e tua
Ndaj e dua dallgën shkumë edhe tallaz,
Rrezikoj humbjen, humbjen nuk e dua.
E do dallga bregun ndaj i shkon pas.

Le të vuaj unë në fundin e greminës
Ti përkundu në lisharëse të erës
Ia ke prerë krahët zogut të lamtumirës
Ndaj çova në qiell notat e pranverës.

Lermë të të dua, siç duhet një ëndërr
“Shpirtin e Shkruar” ta fala veç ty
Nuk jam prej guri, kam dhe një zemër
Gjithçka s’mund të jet, por jo dashuri!

Nëpër qiejt e jetës digjen meteor
Je e vetmja ëndërr që matet me ëndërr
Her’e parë që prek yll të tillë me dorë
Ti je muza ime-pronare për këngët.

Nga të gjitha plagët je më e vërteta!
Ah, ku ishte plumbi shumë mote më parë
Ndoshta do vdiste dhe vdekja nga vdekja
Ndoshta dhe unë sot s’do isha i gjallë.
***
Ndaj i falem Zotit që s’ishte rastësi,
As humbje e rrugës në një kryqëzim
Fati ynë i shkruar, ç’mund të jesh Ti?
Edhe fati i fatit ka të njëjtin çmim!

 

 

ËNDRRAT E ZHVESHURA

 

Ti mërzitesh me mua, kot,
kur diellin e shoh seriozisht,
hënën s’e zbres dot në tokë,
as zjarrin e yjeve, natyrisht.

Ti kot i mban sytë nga deti,
i dogja gjithë anijet që kam lundruar,
më ka mbetur vetëm shpirt poeti,
të tjerat, ty t’i kam dorëzuar.

Ti kot kërkon të gjesh një çelës,
të shkyçësh ëndrrat e mia të zhveshura,
ato u mbyllën portës së kujtesës,
siç dimri mbulon gjethet e zverdhura.

 

 

DASHURIA JOTE

 

Nuk e blej dot dashurinë tënde,
Edhe të dal e gjitha në treg
Ku ka çmim portert i një ëndrre
Qofsh i pasur, apo dhe kryembret!

Edhe të më falin një shekull me jetë
Përsëri do mbetem skllav i etur
Dukesh magjistare, por je e vërtetë
Je fryma ime, pëshpërima e detit!

Je drita e syve, je liqeni i lotëve
Me shpirtin tënd unë pushtoj qiej
Bëhem pronar i njëqind botëve
Mjafton të kem dy syt’e tu diej!

Besën e besës në puthjen e parë
Dhe hënën e ballit kurorëdritë
Retë ndezin shtëllunga me zjarrë
Zgjohen nga gjumi gjithë perënditë.

Ngrihen dhe ëngjëjt si në vegim
Zoti, dihet, rri përherë zgjuar
Bekon diellin, bekon dashurinë
Fatin tonë me dorë e ka shkruar!

Fatin tonë me dorë e ka shkruar,
Ndaj ulem në gjunjë përpara teje.
Vdes i etur, ngjallem i dashuruar
Zjarri yt si një zjarr prej rrufeje!

 

* * *
Nuk e blej dot dashurinë tënde,
Sikur të dal e gjitha në treg
Ku ka çmim portret i një ëndrre
Qofsh i pasur, apo dhe kryembret!

 

 

MOS U FRIKO NGA FLAKA

 

Unë të besoj në çdo fjalë që thua
Ti dyshon në ato që s’i kam menduar kurrë
Më sheh shtrembër edhe kur them “Të dua”
Me akull mosbesimi ke lartuar një mur.

Një mur-myshk që s’kalon dot shpresa
Një mur të heshtur pa gojë e pa sy,
Por s’është kjo traseja që ecën jeta
Mosbesimi nuk është për ne të dy.

Mbi këtë mur s’mbështetet dot shkalla
Që të bëhem Romeo për Zhulietën
Sepse rrugët e viteve bëhen të bardha
Kur e shikon me dy sy të vërtetën.

Unë të besoj sepse ta njoh shpirtin,
Ta kam parë sa herë jam bërë plagë
Po kush djallin ta ka zbehur dritën
Nuk më shikon se si digjem zjarr?!

Eja të digjemi, mos u friko nga flaka,
Do tretet e bëhet hi vetëm mosbesimi.
Pastaj do më pyesësh: Kur do vij nata,
Të dehemi me jetë nën dritën e qiririt?

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s