E RINGRITUR MBI NJË DHIMBJE / Tregim nga Rudina Mërkuri

E RINGRITUR MBI NJË DHIMBJE

 

15319320_107650676393671_7561707000960909178_n

Tregim nga Rudina Mërkuri

Poshtë dritares shikoja gjithmonë kopshtin tim.Vendi ku gjendesha më ngrohtë, midis pemëve që si kurorë rreth e qark më krijonin një imagjinatë të veçantë. Aty kujtoja çdo gjë të bukur, dhe hidhërimet që në atë mjedis vinin përqark pa arritur të depërtonin në ato mori lulesh plot jetë. Afër tyre gjendej porta e madhe e shtëpisë, e cila kishte ngelur pa rregulluar prej kohësh.Vrima të thella plumbi kishin lënë gjurmë dhe tek muri përballë. Një pjesë e grepit ishte akoma pa rregulluar…, si atëherë!

Sapo kisha mbaruar studimet për inxhinjeri elektrike. Po akoma studjoja..shfletoja literaturë të huaj duke përkthyer pjesët që më duheshin. Pranë shtëpisë sonë banonte një familje që asokohe quhej e deklasuar për shkak të tradhëtisë së vëllait të familjes, që kishte qenë antar i byrosë politike. Shtëpia ku i kishin futur ishte e vogël, pothuajse e shkatërruar, por sa hyje brenda gjeje vetëm libra, të vetmet që kishin shpëtuar nga egërsia komuniste. Njerëzit e kësaj familje kishin intelekt të veçantë, lexonin si të donin të ngrohnin sadopak ftohtësinë e mureve, tu tregonin njerëzve se ata ishin krejt normalë, jo qenie pa vlerë. U njoha më djalin e kësaj familje, Ilirin, një djalë i arsimuar në Fakultetin e mjekësisë. Po që s’ arriti dot të bëhej një mjek i zoti.E gjithë familja e tyre punonte në ndërtim. Mbasditeve shkoja në shtëpinë e tyre, merrja libra, ose studjoja gjuhë të huaj më ndihmën e Ilirit. Miqësia ime më Ilirin erdhi duke u forcuar. Një ditë kur u ktheva në shtëpi pashë operativin e zonës, që diç i thoshte babait tim. Pastaj ai më vështroi me egërsi dhe më një ngërdheshje në fytyrën e tij të zbrazët tha:

-Ti vajzë po shoqërohesh më një njeri të rrezikshëm për shoqërinë tonë.

Fytyra e babait u zverdh. Në atë shikim të dashur pashë një përzjerje frikë e dhembshurie. Kur u largua operativi i zonës babai më pa gjatë në sy, po nuk foli. Më hodhi dorën tek supi im dhe më ledhatoi. Akoma nuk po arrija të kuptoja përse nuk duhej të rrija me atë familje?! Pse mos të shoqërohesha më Ilirin?

Një ditë Iliri u mundua të më shpjegonte, se përse nuk duhej të shkoja tek ata, sepse lufta e klasave kishte hedhur rrënjë të helmuara në mendjet e njerëzve. Çdo familje që kundërshtonte quhej armik i klasës. Urrejtja ishte futur si moral në psiqikën e njerëzve dhe armiku shikohej si vemje e shoqërisë. Kisha dalë një mbasdite me Ilirin nga liqeni, befas pashë se po na ndiqnin dy persona veshur më pardesy të bardhë. Në kokë mbanin kapele si të ushtarëve. U kthyem më të shpejtë në shtëpi. Çdo herë që dilja vija  re se kisha një njeri që më ndiqte. Mendova se nuk duhet të shqetësohesha, pasi nuk kisha bërë asgjë. E përse duhet të kisha frikë? Kur organizuam mbrëmjen e fundit të fakultetit mendova të ftoja dhe Ilirin. Atë mbrëmje s’do t’a harroj kurrë. Atë ditë çdo çast, çdo qelizë u helmua. Pa filluar mirë muzika dera u hap më forcë dhe katër policë na rrethuan mua dhe Ilirin, që po bëheshim gati të vallëzonim. Na vunë prangat duke na quajtur armiq të popullit. Mu duk sikur gjithçka ngriu, bile dhe sytë e shoqeve u stampuan në qenien time. Na futën me zor në një makinë me dritare të hekurta.. Iliri dhe unë u përpoqem të shpëtonim, por grushtet dhe goditjet e policëve na lanë pa ndjenja. Kur u përmenda e gjeta veten të lidhur duar e këmbë. Atë çast m’u duk sikur mijëra cefla mu futën në sy duke më krijuar një pështjellim pa vetëdije. Iliri nuk ishte aty. Dhoma ishte plot me njolla gjaku nën një çimento të pisët. Përballë meje qëndronte një oficer që qeshte dhe diç bisedonte më ushtarin afër tij. Pastaj ashtu i ngrysur më kërkoi që të flisja kundër Ilirit, në të kundërt unë dhe gjithë familja ime do burgoseshim. Më dhanë dhe një letër ku duhet të firmosja për ngjarjet e pa ndodhura kurrë. Afër meje në çimenton plot lagështirë ndodhej një trup lakuriq i gjakosur, i një tjetër të burgosuri. Oficeri e qëllonte pa mëshirë trupin e tij, që më sa dukej kish humbur ndjenjat. Në fytyrën e oficerit kishte vetëm egërsi, a thua kishte urrejtje patologjike për njerëzit. Pastaj ai filloi torturat ndaj meje derisa humba ndjenjat. Dhoma ku më futën ishte një tmerr, dy metër me një metër e pak, krejt beton, e ftohtë më një dritare të vogël, sa të merrje pak ajër. E vetmuar mendoja lloj lloj gjërash për familjen time, të cilët për fajin tim të pakuptimtë po vuanin. Kishte ditë që rrija pa bukë e ujë. Kur i kisha humbur shpresat dhe po prisja vdekjen time në birucë erdhën dy policë, me tërhoqën zvarrë dhe më hodhën në makinë si një leckë. Pothuajse duart dhe këmbët nuk i ndjeja fare. Kur më nxorën nga makina e pashë veten afër një spitali, të paktën kaq arrita të shquaja pasi sytë i kisha gati të mbyllur e mjegulluar nga torturat. Me futën në një dhome ku ishin dy infermjere dhe një doktor i moshuar. Oficeri ju drejtua mjekut të vjetër:

-Kjo vajzë nuk duhet të dalë më prej këtej, që sot e tutje është një e çmendur.

Kur e kuptova se çfarë më priste bërtita mesa fuqi pata, u mundova të ikja, por duart e një infermjerie më gozhduan. Me pas më çuan para një makine të çuditshme.. Po më hiqnin çdo pjesë të bukur e jetëshkurtër, po më shkulnin çdo ëndërr, shpirtin po ma shkatërronin më ato hekura të ftohtë e të drithshëm. Çdo ditë bëja elektroshok, tableta pa mbarim, gati isha kthyer në një skelet me sy të hapur, por pa jetë. Na nxirrnin në oborr dhe vetja më dukej si një fëmijë që sapo kish mësuar të hidhte hapa. Njerëz të çuditshëm loznin apo qeshnin pa kurrfarë ideje e lidhje. Isha shndërruar në një e sëmurë psikike…

Një ditë një mjek i ri më mori në dhomën e tij dhe filloi të më pyeste.U mendova të bëja lidhjen e gjërave, por ato më ngatërroheshin dhe çdo gjë përhumbej. Pashë që lexonte diagnozën. Kisha ardhur aty si armike e pullit. Më vështroi ngrohtë dhe më shpërnguli në një dhome afër zyrës së tij. Që nga ajo ditë elektroshok nuk bëra më dhe tabletat nuk i piva. Çdo ditë punonte më mua duke filluar të më rikthente  çdo gjë nga e kaluara. Fillova të rimarr veten, ndërkohë nuk flisja me asnjë dhe qëndroja vetëm në dhomë. Nje ditë mjeku vjen  shumë i gëzuar në dhomën time.

-Mirela ti je e lirë. Ky pushtet u rrëzua.!

Desha të thërrisja, por zëri im doli i ngjirrur, me pak tinguj dhe ato të paktat që kishin ngelur nga hapësirat e shpirtit nuk çanin dot as akuartitetin e dhomës ku isha. Më pas mora vesh se Iliri nuk jetonte më. E kishin pushkatuar. Të nesërmen familja ime erdhi dhe më mori nga ai ferr, që nuk do t’a harroj kurrë. Pasi e falenderova mjekun që më shëptoi jetën i  kërkova emrin,  por ai më përqafoi lehtë dhe më tha: “ ke një jetë të re përpara…, jetoje! “

Po afroheshim tek shtëpia, dhe ajo qëndronte po njëlloj si unë, e martirizuar më plumba të heshtur në çdo prag. Mbante dhimbjet, zemrën e coptuar të nënës që qante netëve, si dhe  lotët e hidhur të pikëllimit që rrëshqisnin padashur nga faqja e babait.

Por unë u gëzova më në fund, se klithmat a natës kishin ikur dhe unë do qëndroja mbi çdo ndjenjë urrejtje dhe  hakmarrje…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s