Dritërimi i Dritëroit / Esse nga Raimonda MOISIU

Dritërimi i Dritëroit

 

raimonda

Esse nga Raimonda MOISIU

Një shkrimtar i madh i integritetit mendor, mençurisë, qytetarisë dhe intelektual, Dritero Agolli është nga shkrimtarët e parë dhe të shquar, tradicional dhe fisnik. Ai ishte ndër ata shkrimtarë dhe poetë, që dëshmuan shumë më herët rotacionin në letërsinë shqiptare, që në vitin 1961-ë. Besnik i idealeve të tij, si një shkrimtar që u përket dy epokave të letërsisë shqipe, ai kurrë nuk e mohoj veprën e tij, duke ruajtur vitalitetin e tyre, për thellësinë e maturuar të mendimit artistik e filozofik, në varësi të rrethanave social-ekonomike-politike, ndaj thelbit të individualizmit i hapur e i sinqertë, duke mbetur kështu një autor i shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë ballkanike dhe unike europiane.

I lindur në Menkulas në një familje të thjeshtë devollite, pikërisht aty ku zënë fill vargjet etyd për baltën e Fushës së Devollit, imazhi i dritërimit të tij, që shndriste me ngjyrat e mishërimit të vjeshtës së artë të pikturave të David Selenicës dhe artistit impresionist, Vangjush Mios, e frymëzuan poetin e ardhshëm, burrin devolli të mëncur dhe plot urtësi, njeriu i virtyteve njerëzore, qytetare e intelektuale, artdashës i çmuar, mahnitës dhe popullor në stilin e tij poetik dhe rrëfimtar terrifik, i cili ligjëroi dhe shkroi aq ndjeshëm e bukur, në prozë, poezi, dhe publicistikë, për tabanin popullor, tokën dhe baltën devollite të vendlindjes, që e lindi dhe rriti, tokën e shenjtë të atdheut, të cilat mbetën frymëzim, muzë e jetë, deri në ashtin e frymës së fundit. Në adoleshencën e hershme, largohet nga vendlindja dhe djaloshi devolli me një laps, fletore dhe trastën në krah, duke shëtitur rrugëve të atdheut, përpiqej me të gjitha mënyrat të balanconte mallin e madh për prindërit, dashurinë e fuqishme për vendlindjen dhe ndarjet emocionale nga shtëpitë, rrugët e fshatit dhe shokët e tij, madje një mall e dashuri aq e fuqishme sa i duhej të kontrollonte ndjesinë e braktisjes së ëndrrave studimore dhe dëshirën për t’u bërë dikushi në jetë, vetëm për të qenë pranë dashurive të jetës. Duke eksploruar bukuritë e fshatit dhe të fushës së Devollit, të cilat e nxitën Driteroin të hidhte vargjet e para poetike, me dashurinë për natyrën, për fshatin, për njerëzit e dashur, për lumin që gurgullonte dhe shelgjet që varin degët, livadhet, lulet, zogjtë dhe bilbilat që këndonin pranë buqëve të ndershëm, punëtorë e  të dashur.

Dritero Agolli portrete, Tirane Albania

Dritëro Agolli

 

Vëllimi i parë me poezi titullohet “Në rrugë dolla”, dhe më pas do të botonte; “Hapat e parë në asfalt”, “Mesditë”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, dhe poemën e famshme, “Nënë Shqipëri”, e vlerësuar nga kritika letrare e kohës, si “Bagëti e Bujqësi” e kohëve moderne. Devolli është Itaka e Dritero Agollit! Madhështia e poemës, “Nënë Shqipëri”, është meditacioni i stilit poetik të poetit Agolli, i cili demonstroi fuqishëm në të talentin, mëncurinë, dashurinë, dhimbjen  dhe urtësinë, e konceptit mistik e besnik, idilikes dhe heroikes, peisazhit dhe figuracionit poetik, duke fituar epërsinë harmonike dhe metafiziken e natyrës dhe njerëzores në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, të përjetuar mes vargje, që u këndon detajeve me vizionin meditativ, baladës, filozofikes, artistik e njerëzor, dhe duke krijuar kështu negotacionin delikat në kufijtë e ëndrrës, riëndrrës e shpresës.

Dritëro Agolli është shkrimtari i shquar dhe Bardi i poezisë shqipe, Mjeshtër i Penës dhe i Rrëfenjës, i cili me talentin e forcën letrare artistike e filozofike, solli karaktere realistikë me një sens të mprehtë të jetës e mbijetesës, depërtonte brenda së bukurës e njerëzores, dhimbjes e dashurisë, jetës e vdekjes, duke i transformuar ato, në një subjekt drite e shprese, mes artistikes e filozofisë së jetës e për jetën. Kontributi më i rëndësishëm letrar në gjininë e prozës është “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Elementët statikë dhe të stilizuar të jetës social-ekonomike e politike, janë zëvendësuar me portrete energjikë e të gjallë të personazheve komplekse, plotë satirë dhe humor i dritëruar, ironi e sarkazëm dhe patosi dramatik, të cilat dominojnë vëmendjen e lexuesit, jo për paraqitjen e personazheve në bashkëfajësi apo veprat e tyre, por për njerëzoren, me artin e humorit nga rrëfimtari terrifik dhe mjeshtër i rrëfenjës, Dritëro Agolli.

Gjithashtu si poet, Agolli pati sukses në krijimin e një standardi të ri në poezi, në fillim të viteve ‘90-ë, që ripërcaktoi subjektin, studimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe.

Dritërimi i ndjenjave nëpërmjet një lirizmi më mediatik, më të ndjeshëm dhe melankiolik të njeriut dhe individëve të zakonshëm, duke e zgjeruar gamën me trajtim të plotë, lirik, artistik, metaforik dhe filozofik, duke përfshirë të gjitha aspektet e evolucionit të jetës dhe përvojës së saj, që nga rinia dhe deri në pleqëri, që nga embrioni i jetës dhe dritërimi i errësirës së vdekjes, ndonëse nuk mungojnë cilësitë komplekse me nota humori e ironike, për përshkrimin verbal të problematikave jetësore ekzistenciale. Aty ku ka jetë ka edhe vdekje!

Edhe pse një sentencë e njohur kjo, për Patriarkun devolli të letrave shqipe, ai përsëri gjente forcë e dashuri, të ngushëllonte veten, ne, njerëzit që e donin dhe e rrethonin, duke mendur gjithmonë se jeta dhe drita e trashëgimisë që shpirti krijues lë pas, vazhdojnë përjetësisht pas vdekjes. Ai ishte dhe mbetet Bardi i Poezisë, dhe Mjeshtër i Rrëfimit, i vlerësuar nga koha e historia, teksa ne ende vazhdojmë dhe i dëgjojmë poezitë, gjithnjë do të kemi pranë zërin e POETIT, rrëfenjat, tregimet e shkrimet e tij, sepse vepra e Dritëroit të Madh, vazhdon të jetojë përmes atyre rrëfimeve dhe vargjeve poetike, tabanit popullor, artit e ideve. Ai është i pavdekshëm, si është magjia e ndjesisë dhe thellësia e mendimit, i sigurtë e guximtar për vlerën e tij, ai vazhdon të jetë dhe do të mbetet pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës shqiptare.

Shkrimtari i Madh Dritero Agolli, modest përtej modestisë, popullor dhe i dashur për këdo, sa ishte gjallë kurrë nuk rendi pas famës, por ai e arriti atë parakohe me veprat e tij, ndikimin e thellë të atyre veprave në shoqëri, art kulturë dhe historinë e një kombi.

Kombi e Atdheu, komuniteti i letrave shqipe këtej e përtej Atlantikut, të gjithë së bashku, humbëm një shkrimtar të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, të dhimbjes e dashurisë, i cili edhe vdekjen e dritëroi në bukuri, duke lënë mesazhin më madhështor e fisnik, të dashurisë njerëzore përtej errësirës. Dritërimi i Driteroit të Madh, kujtimi i ndritur i veprës së tij, do të mbeten përgjithmonë në zemrën, mendjen dhe historinë e kombit shqiptar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s