Poezi nga Marjeta Shatro

marjeta-1

Poezi nga Marjeta Shatro

 

Agim i bardhë

Kur agimi krahët e bardhë ka shtrirë
e unë përhumbem vegimit të tij
mendime të reja rilindin mëngjesit
me shikimin hedhur në kaltërsi,
mbi valët e detit dhe zogjtë e qiellit,
këndoj me vete himnin e triumfit.

Sfiduese e kohës që gjurmët lë pas
dehur në përflakje mirazhesh,
jetoj mes dritash dhe ngjyrimesh ylber,
prekur nga kthjelltësia e mendimit,
e puthur prej ëndrrash magjike!

 

***

Papritur, përnjëherësh
çelën manushaqet.
Në zemrën time erdhi pranvera!
Parfumuar jam me aromë lulesh,
Mirësevjen stinë e bukur!

 

Dashuroj…!

Dashuroj vërtet…
buzë detit përqafuar me erën
dhe ëndrrat e valëve trazim
rërës lagur shkumëzimesh të bardha
bregut ngritur lartësish .
Një zemër vizatoj shkujdesur,
Fjalë të thjeshta krijoj
Melodi e zemrës sime
Këngë e lindur e simfonisë së dashurisë.

 

Një flutur

S’ di pse në mendime një flutur m’u shfaq
e bardhë, krahëlehtë qiellit fluturon
si ëngjëll, a dëshirë e fshehtë e imja
të ndritshmet rreze, shpirtin më përshkojnë.

Pranverën ëndje pranë më solli
zymbyla,narcizë e tulipanë
kjo ditë, e përflaktë nga sytë shkëlqim
në të tjera ëndërrime, më çon shumë larg.

 

Një yll…

I bukuri yll shkëlqen në dritare,
e hëna xheloze e shikon përbri!
Drita e zbehtë përhapet ngadalë
e ëndrrat i mbush me të verdhin shkëlqim
Zgjat duart ta kap,më largohet ai
Më fshihet, sa troket agimi i ri!
E unë e pres të vijë sërisht…,
ndoshta mbrëmjes tjetër, qiellit vezullim.

 

Përhumbje

Dynden pa reshtur kujtimet e mia,
ndërsa drejt bregut afrohen pulëbardhat
tremben prej dallgëve plot zhurmë
e lagen nga të bardhat stërkala.

Ndjek me sy çdo lëvizje të tyre,
notoj e gëzuar në ngjyrat e ndritura
Dëgjoj këngën e valëve të njelmëta
dhe kufijt e detit , përhumbur largësive.

 

Të dy

Flasim, qeshim,
Mendojmë, heshtim.
Grindemi, por nuk rrimë dot
pa njëri-tjetrin!
Jeta ikën pa kthim,
pas mbeten hijet kujtim
shkruar rrugëve të jetës
kthyer pjesë e mozaikut antik!

 

***

Ti flet aq bukur,
për tempuj, sfinksa e piramida…
Unë dëgjoj e mahnitur,
për botën e shkuar, për botën e vjetër,
me pallate, faltore e arena…
Ty të tërheq madhështia e botës tjetër.
Unë përpiqem të të tregoj
sa e bukur është bota jonë!
Bukuri të njëjta në epoka të ndryshme,
Toka, Zjarri, Ajri dhe Uji!

 

***

Ti m’i njeh dëshirat e flakta,
ëndrrat ylber,vuajtjet e heshtura,
gëzimet e bardha…
Ti ke gjakun tim,
Ti më njeh më mirë se kushdo tjetër.
Jam gjysma jote,ti gjysma ime!

 

***

Mendoj…, veç për ne
mendime të bukura ushqen kjo dashuri!
Ti je qielli për mua, unë jam deti për ty!
Shihemi te njëri-tjetri…
Kaltërsia jote hedhur në shpirtin tim
e valët e mia trazim i detit blu.

 

***

Sa herë të thërras…
Ti gjendesh gjithmonë e më pranë
M’i zbon tutje trishtimet e mia
me vizionin tënd!
Pas fjalëve të tua meditoj e qetë
dhe kujtimet e shkuara largohen si era…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s