Një miku / Tregim nga Teuta Keli

Një miku

 

16900273_1713720821977411_1586692559_n

Tregim nga Teuta Keli 

-Mendoj se ne mund të jemi miq, tha ai.

-Sa mirë, iu përgjigja, nuk kam pasur kurrë më parë një mik shkrimtar. Të lutem, më mëso se si duhet të sillem, sepse nuk dua ta humbas këtë lloj miqësie.

-Nuk është e nevojshme që të sillesh në një mënyrë të caktuar, tha ai, thjesht mos më bezdis shumë. Kur ti të flasësh duhet të kesh parasysh se  unë në shumë çaste nuk e kam mendjen dhe nuk mund të të përgjigjem, ti mos e përsërit fjalinë, por vazhdo bisedën me çfarë të mundesh, se ndoshta diku mund të ndaloj mendimin dhe mund të dëgjoj.

Unë qesha pak dhe për dreq kjo qeshje më doli paksa në nënqeshje ironike dhe padashje e mërzita mikun tim.

-Po tani, ç’dreqin ke që qesh, pyeti ai?

-Më fal, i them e prekur, por më erdhi natyrshëm, sepse edhe unë vuaj nga e njëjta lloj sëmundje. Nuk i dëgjoj të gjitha bisedat, më shumë dëgjoj veten.

-Epo, paskemi për t’u marr vesh, tha ai?!

-Patjetër që po, i thashë, sepse bisedat me ty do jenë të një niveli tjetër dhe dashje padashje, unë do të jem e përqendruar tek ti, kurse ti nuk mjafton që të jesh shumë i përqendruar tek unë, sepse unë në fund të fundit nuk kam ndonjë gjë interesante për të thënë. E di ti që ndonjëherë gjerat e mia nuk ja them as vetes, sepse e ndjej që janë shumë të pavlera, ndonjëherë të shëmtura, ndonjëherë monotone, ndonjëherë edhe të turpshme.

-Ashtu, vërtetë? tha ai. Interesante më duket kjo.

Ai nxorri nga xhepi një fletore shënimesh ngjyrë blu, e cila ishte e  mbuluar nga një lëkurë e rrjepur vënde-vënde. Filloi të shkruante ato çfarë i thashë unë.

-Më fal, e pyes, nuk dua të të bezdis, por po më duket se ju shkruat ato çfarë fola?

-Po, u përgjigj, sepse më duken interesante, dhe ti gjithashtu më dukesh interesante. Kam menduar që të të kthej në një personazh, do mundohem të gjej një vend diku në një nga romanet e mi. Fillimisht do të hap një dosje për ty, do të marr të dhënat e tua dhe më pas do të kthej në një personazh.

-Si? i kthehem unë e trembur. Unë do të kem një dosje dhe më pas do të bëhem personazh?! Po ku do të jetoj, do më duhet të largohem nga ky qytet, të jetoj me ty, ku jeton ti, ku jetojnë personazhet?!

-Ti nuk kuptoke asgjë moj vajzë, tha ai, disi i zhgënjyer nga unë. Ti do të bësh jetën tënde, unë jetën time. Do më duhet të marr përshtypjen që krijova për ty dhe me disa të dhëna që do më japësh ti për veten, unë do të kthej në një personazh.

-Po sikur të mos më pëlqejë mua personazhi që do të krijosh, ti do ta ndryshosh dhe do ta bësh atë të përshtatshëm sipas shijes sime? e pyeta unë me një ton disi lutës.

-Jo, më thotë ai, personazhin e krijoj unë, ti nëse do një personazh tjetër për veten tënde, krijoje atë vetë!

Po ku dija unë të krijoja personazhe, kush mund të quhet një personazh i mirë?! Fillova të fantazoja për veten, se si mund të jetoja si personazh. Po sikur shkrimtari të më krijonte si një personazh negativ…?! Po kush dhe kë quan ai personazh pozitiv?! Dikë që mendon dhe vepron, apo dikë që vepron para se të mendojë, apo atë që vepron dhe mendon pa menduar….?! O Zot, përfytyrova veten si një personazh: të bardhë, si një skulpturë të shtrirë brenda një dosje të errët, bashkë me gjithë të dhënat e mia. M’u duk vetja si një person me dosje kriminale që pret të marrë lirimin me kusht, për sjellje të mirë.

Zbuta zërin dhe i fola më me mirësjellje mikut tim të ri:

-Dua t’ju pyes për diçka. Ndoshta është pyetje naive dhe ti nuk ke dëshirë të më përgjigjesh, por të lutem m’u përgjigj se duhet, se prej kësaj përgjigje varet edhe çfarë unë do vendos në lidhje me propozimin tuaj. Unë do jem personazhi i parë me dosje të dhënash, apo çdo personazh që ju keni krijuar ka dosjen e vet?

Ai qeshi…

-Patjetër që po, të gjithë personazhet e kanë një dosje të tillë. Unë kam një arkivë të veçantë ku ruaj me shumë fanatizëm dosjet e tyre. Janë brenda meje.  Tani më thuaj, do apo nuk do?

“Do, apo nuk do?”, përsërita me vete. Çfarë kisha për të humbur?  Më erdhi keq që brenda tij kishte edhe shumë dosje të tjera, por gjithësesi mendova se çdo dosje ka rëndësinë e vet, ndoshta kjo imja do ishte më interesantja, ashtu sikurse ai tha. Unë do të mund të flisja dhe dikush do më dëgjonte, kështu do të ishte shumë mirë, edhe pse mendimet e mia dhe shpirti im do të mbeteshin skicuar dhe murosur nëpër burgje fjalësh lyer me të zezë, brenda fushave të bardha të kuriozitetit të të tjerëve. Duhet të pranoja, kështu e mposhtja vetminë e thellë, mund të flisja dhe të bëhesha dikush me dosje, do jetoja brenda dikujt, tek dikush mbetesha një kujtim interesant, tek të tjerët e lexueshme…

-Po pranoj, i them, do të bëhem një personazh. Nuk të diktoj llojin e personazhit, edhe nëse ti nuk do më njohësh mirë, do të jap të drejtën të më krijosh ashtu si ti do.

Fillova t’i flisja për veten. Shpesh herë ndaloja dhe mendoja se çfarë duhet të thosha, për t’i dhënë mundësinë që të më skiconte si një personazh të mirë, por shpesh herë nuk doja t’ia dija se çfarë përshtypje po lija tek ai. Unë flisja dhe ai shumë herë më shihte në sy dhe pjesën tjetër të kohës shihte veten dhe mendimet e tij.

U largova prej tij e trishtë, e lumtur, sepse u bëra një personazh…

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ende shfletoj me padurim çdo libër të ri të botuar prej tij, por veten nuk e kam gjetur askund…

Vallë nuk isha unë personazhi i duhur për të, apo isha thjesht frymëzimi i rradhës për personazhet e tij të rinj…?!

 

One thought on “Një miku / Tregim nga Teuta Keli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s