Poezi nga Marjeta Shatro

marjeta-1

Poezi nga Marjeta Shatro

 

Humbas…

Shpesh humbas meditimit tim
në të bukurat imazhe që shfaqen gjer në re
e ashtu përhumbem mes pyetjesh pa fund;
për dhimbjet e kohës,
për sarkofagë kujtimesh,
që flenë në hirin e harresës
e ringjallen si Feniksi
në fluturim drejt qiellit të lirë.

 

***

Sot ndihem
Si një re e bardhë puplore,
Në kupën qiellore.
Sytë i mbyll porsi fëmijë.
Fluturoj me fantazi!
Sa e madhe gjithësia!
Sa e pafund kënaqësia!
Rend si flutur në pranverë!
Të bukurat mendime shpërthejnë,
Si lule plot ngjyra të ndezura!

 

Një degë bajame

Për mua,
një degë me lule bajame
më shumë se paralajmërim për stinën e vonuar
më shumë se njoftim për zogjtë,
që priten të vijnë nga të largëtat shtegtime
më shumë se një botë e ngjyruar me petale lulesh
dhe aroma,
që farfurijnë në të thellin shpirt.

 

***

Nata po bie ngadalë
e qyteti dremit nën të zbehtin tis
të fundit drita shuhen
e të tjera mendime vërtiten si zog i plagosur
kësaj mbrëmje pa yje
fshehur në të thellën largësi mistike.

 

Vetërrëfim

E ardhmja ime, ëndërr pa mbarim,
si një përrallë ku luajnë shtojzovallet
shpresë e dritës që çel në agim
bekuar vetë nga perënditë.
Mbushur jeta ime me yje e det,
dallgëve përplasur e ngjitur gjer në re
lindur jam, në të ëmblën farfurimë
e shpirti i etur kthyer regëtimë
rrënjëve të mia në të lashtin fis
pemë e rigritur mbi gjithë stuhitë.

 

***

Dhimbjet,fatet dhe të bardhën dashuri,
Qielli e krijoi, si lojë perëndish
të pavetëdijshëm zjarrit të saj
Ne bijtë e Prometeut, të shtyrë në mëkat
joshur nga dafinat e hyjnive lart
endur nëpër jetë , si pika në oqean!

 

Shpirt i lirë

Jam shpirt i lirë,
mbërthyer shpesh pas enigmave
në limane qiellore,
endacake në botën e përrallave,
e përkëdhelura e rrugëve të fatit,
fluturoj me flatra qiellit poetik,
dua të prek kulmet
e të mbetem
imazh i botës së pafund.

 

…kur je me mua

…kur je me mua,
ti qesh vazhdimisht,
dhe në fytyrë të lexohet gëzimi.
Zemrën e ke mbushur me dashuri,
në të katër stinët
në kthjelltësinë e pranverës
dhe rrëmbimit shi të vjeshtës
me mallin e tretur thellësive të panjohura,
tingujve muzikë
qenësisë time që shndrit!

 

Ka ditë…

Ka ditë , kur trishtimi zbret gri
dhe unë eci e heshtur
pushtuar shtjellave të pakuptimta
në pritje të largimit të mjegullës
që shfaqet qiejve të mi.

 

***

Endem padurimit tim
me zjarrin që digjet në shpirt
magjisë së shkrirë në vargje
rrugëtimit pa fund të poezisë.

 

Rrethuar nga idhuj

Bota nis tek unë dhe tek unë soset në fund
ashtu e brishtë në lindje dhe dhimbshëm në largim
rrethuar nga idhuj, pranë tempujve të lashtë
me krye përmbi qiej, si engjëjt e bardhë
që rendin e rendin, kohës fluturim
rrugëve të jetës
kryqëzimesh pa fund
fanarit të vetëm që dritën hijëzon
me mijëra ngjyra shprese të nesërmet i zgjon.

 

***

Dashuria rizgjon një botë,
Kur e vlerëson si bukuri fuqiplotë,

Në zemër zgjohet më e larta dëshirë
kumbuese e vrulleve të furishme.

Dashuria me ndjenja të ëmbla lind
Si drita e mëngjesit në të kaltrin qiell!

 

***

Dëshirat vlojnë si ëndrrat e fshehta
hedhin rrënjë në të thellin shpirt
prej saj lind veç dashuria
dritë e përjetshme që jetën e ndriçon.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s