TË FITOSH PËRBALLË SFIDAVE QË TË VË JETA – Intervistë me sportisten dhe poeten Marjana Sulejmani / Bisedoi: Eltona Lakuriqi

16924184_408038629551164_1237568958_n

TË FITOSH PËRBALLË SFIDAVE QË TË VË JETA

-Intervistë me sportisten dhe poeten Marjana Sulejmani

 

Pyetje: – Në cilën moshë keni filluar të jeni pjesë e pandashme e aktiviteteve sportive?Si arritët të jeni një ndër lojtaret më të mira të vendit?

Përgjigje: Sportin e kam dhuratë në jetë nga nëna ime. Për herë të parë kam dalë në skenë, sëbashku me të, në Shkodër, si akrobate. Isha vetëm 4 vjeçe. Mandej u transferuam prej aty dhe ndoqëm babin ndër vepra të ndryshme, sepse ai ishte montator. Dhe montatorët shkonin në veprat e mëdha e të reja që ndërtoheshin në ato kohë. Më vonë artin e akrobates e ushtrova duke marrë pjesë në trupën e estradës së qytetit të Laçit. Kjo gjë vazhdoi deri në moshën 10-vjeçare.
Një sëmundje e papritur e mamasë u duk se i ndërpreu përfundismisht ëndrrat e mia për t’u marrë me sport apo me akrobaci. Por për fat të mirë kisha një mësuese fizkulture shumë të mirë e të pasionuar, e cila ishte edhe trajnere e atletikës. Ajo arriti të zbulojë talentin dhe pasionin tim në fushën e sportit dhe më aktivizoi në garat e gjata të vrapimit nga 1500 deri në 5000 metra. Punonim të dyja me pasion e përkushtim dhe unë arrita të bëhem kampione në këto gara vrapimi. Titujt e mi janë në arkivin e klubit sportiv “Kastrioti” në Krujë.
Por unë kisha prirje edhe në sportin e basketbollit. Kam luajtur për 8 vjet në ekipin e “Kastriotit”, derisa u martova në qytetin e Shkodrës.

Pyetje: – Po në artin e të shkruarit, ç’rrethanë apo ndonjë krijues u nxiti që ta ktheni poezinë në pasion? Shkruani vetëm poezi apo brenda vetes ndjeni se keni talent edhe për zhanre të tjera të artit?

Përgjigje:- Do të thoja që dëshira për të shkruar lind vetvetiu tek njeriu, ose mbase lind bashkë me njeriun. Mënyra e të folurit, e të shprehurit, mbase është shenja e parë e talentit. Pastaj ndikojnë shumë ambienti, leximi i shumë librave, njohja e veprës së autorëve të shumtë. Më pëlqente letërsia dhe në shkollë isha nxënëse e shkëlqyer në gjuhë e letërsi. Një premisë e mirë kjo. Brenda meje ndjeva frymëzimet e para dhe fillova të shkruaja vargjet e poezitë e para. Por ndjeja se edhe në prozë kisha nxitje dhe shkruaja mirë. Për shembull në vitin e dytë të shkollës së mesme, mësuesja na dha një temë të lirë hartimi. Unë shkruajta mbi figurën e gruas dhe si e ndjeja unë atë. Ai hartim u vlerësua jo vetëm nga mësuesit dhe ambienti në shkollë, por u publikua edhe në gazetën e kohës, “Zëri i rinisë”.
Pra, mund të them që kam nxitje sin në fushën e poezisë, ashtu edhe në atë të prozës.

Pyetje: – Ju sapo keni botuar librin tuaj të parë me poezi, titulluar “E fshehta e shpirtit tim”. Zakonisht pjesa më e madhe e njerëzve i ruajnë brenda vetes të fshehtat e shpirtit, ose ia besojnë ndonjë miku apo mikeje tepër tëp afërt. Ju përse zgjodhët lexuesit? Mendoni se do i kuptojnë drejt “të fshehtat” tuaja?

Përgjigje:- Titulli i librit “E fshehta e shpirtit tim”…ndoshta si e fshehtë mbetet në brendësinë time…Por, nga ana tjetër, nëpërmjet poezive prezantoj deri diku veten time, karakterin tim, i cili u forcua edhe më tepër në rrugën e jetës, e cila më vuri në prova jashtëzakonisht të vështira. U tregua e egër me mua e më egërsoi disi. Por unë nuk u mposhta, hyra në “ring” me të dhe arrita të fitoj, duke e hedhur “nokaut” egërsinë e saj, gjë për të cilën mbase duhet t’i kërkoj “falje”. Nuk po flas më gjatë, pasi dua ta lë që lexuesi ta zbulojë vetë nëpërmjet leximit të librit.

Pyetje:- Si u prit promovimi i librit tuaj dhe a kishte pjesëmarrje të gjerë? Qenë të pranishëm njerëz të kritikës letrare? A mund të na i përshkruash emocionet e asaj dite?

Përgjigje:- Në jetën e secilit ka momente që japin lumturi. Edhe unë kam përjetuar plot momente të tilla në fushën e sportit etj. Promovimin e librit e rendis si një lumturi surprizë, lumturi që ma dhuruan pjesëmarrësit e shumtë. Atyre ju shkon një falenderim i madh nga thellësia e zemrës. Ishin të pranishëm gazetari dhe poeti Agim Xheka, gazetari Ahmet Zani, reçenzenti i librit, Sazan Goliku, botuesi Roland Lushi, redaktori Aleksandër Ilia e shumë të tjerë.Nje falenderim po ashtu edhe Kristaq Janushit me punën e pandalshme te tij si organizator.Entuziazëm e emocion më dhanë banorët dhe tifozat e mi personalë nga qyteti i Laçit, ndër të cilët mund të përmend Gjon Leshi, Fatos Vaci, Marjana Nazari, Hike Cani, Luli Osmani dhe Lola Gjeçi. E di? Kur shikon që ata qytetarë e tifozë personalë që të kanë ndjekur fushave të sportit për rezultatet që ke dhënë, tani të ndjekin edhe për arritjet në fushën e artit, kjo të jep shumë emocion. E unë këtë e quaj dashuri e respekt njerëzor. Ndaj dua t’u shpreh mirënjohjen time të thellë.

Pyetje:- A i ndiqni promovimet e librave të miqve tuaj që shkruajnë apo të autorëve të tjerë?

Përgjigje:-Më shumë i ndjek nëpërmjet fb, meqenëse jam në emigracion, në Greqi. Mundohem ta ndjek krijimtarinë e tyre, kur promovojnë libra mundohem të gëzoj bashkë me ta dhe i uroj për suksesin e arritur e për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen. Më pëlqen të lexoj krijimet e tyre për dashurinë, për patriotizmin, për atdheun etj. Mundohem të jem e pranishme me komentet dhe mendimet e mia, sidoqë në emigracion koha është mjaft e kufizuar.

Pyetje:- A bëni pjesë në ndonjë organizatë? Nëse po, cili është roli juaj në atë organizatë dhe çfarë aktivitetesh keni?

Përgjigje:- Siç thashë, unë jetoj në Greqi. Bëj pjesë në organizatën e gruas dhe në atë të bamirësisë. Organizojmë aktivitete të ndryshme, ku spikasin ato që kanë të bëjnë me shëndetin e grave e fëmijëve, ku trajtojmë tema të rëndësishme si tumoret e gjirit në femrat, sëmundja e leuçemisë tek fëmijët, u gjendemi familjeve me vështirësi ekonomike etj.Si ish-sportiste ndihmoj fëmijët që kanë probleme duke i stërvitur në palestër etj. Për këto veprimtari jam dekoruar nga shoqata ku bëj pjesë. Aktivitetin tim e kanë vënë në dukje edhe gazeta si “Ballkan” dhe “Panorama” në Shqipëri, si dhe gazetat lokale greke “Proini” dhe “New Pellas”.

Pyetje:- Më parë, kur ju shkonit në panaire, a e ëndërronit që një ditë të merrnit pjesë edhe me librin tuaj me poezi?

Përgjigje:- Zakonisht ndjek panairin e librit në Selanik.I kushtoj mbi 5 orë kohë,duke marrë një shije të përgjithshme, blej ndonjë libër dhe në fund lë përshtypjet e mia. Natyrisht që secili autor aspiron edhe të marrë pjesë në panaire me veprat e tij, se kështu bëhet njohja e krijohen lidhje me autorë të tjerë. Por distanca e qytetit ku jetoj unë, me Selanikun, është e madhe, gjë e cila ma vështirëson mundësinë të marr pjesë në panaire, seminare e aktivitete të tjera që organizohen.
Besoj dhe pres të më ndihmojnë organizime të tilla në atdhe. Por pres nga poetë që kanë përvojë.Kam nevojë për ndihmën e tyre…

Pyetje:- Në librin “E fshehta e shpirtit tim” shumë poezi i kushtohen dashurisë njerëzore. A mendon se kjo ndjenjë po venitet në ditët e sotme dhe mbase për këtë shumë autorë shkruajnë, që të mos e humbasin domethënien e vërtetë të kësaj ndjenje të bukur?

Përgjigje:- Besoj që të shkruash për dashurinë do të thotë që ndjen për të ose e ndjen mungesën e saj. Zemra hedh vetë vargje kur të ka munguar dashuria e nënës, e të afërmve, e të dashurit etj. Siç thotë një fjalë shkodrane “atje ku dhemb dhami shkon gjuha”. Përgjithësisht këto dalin poezi të trishta apo melankolike. Por ka edhe poezi që shkruhen kur njeriu ka pasion dhe është i mbushur me dashuri, e provon dhe e ndjen thellë atë. Dhe unë e kam pasion e shkruaj me pasion për dashurinë.

Pyetje:- Pasi lexova librin tënd,u binda se poezia “Për herë të parë i kërkoj falje jetës…” është poezia më e goditur.Si ka mundësi që një femër si ju,një qënie kaq e pafajshme, që vetëm i ka dhënë jetës e jeta veç i ka marrë, i kërkon falje asaj? Është ky kërkim faljeje e fshehta e shpirtit tuaj, apo është dashuria me të cilin veproni në çdo kohë?

Përgjigje:- Pikërisht, është kjo, e kundërta. Jeta më mori ëndrrat fëmijërore. Kur për shokët e moshatarët e mi unë isha Gavroshi i Viktor Hygoit, ajo më ktheu në Kozetën e mjerë. Pra, nëqoftëse ndokush më ka borxh, është vetë jeta ajo. Por unë dola fitimtare mbi të e mbi sfidat që më vuri përpara. Bëhem shqiponjë e fluturoj, me zogj të tjerë që më shoqërojnë në rrugën e jetës.

 

eltona

Bisedoi: Eltona Lakuriqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s