UNIVERSI POETIK I NJË FEMRE ME KËNDVËSHTRIM UNIVERSAL (Me poezinë e poetes Juljana Mehmeti ) / Nga: Qemal Guri

UNIVERSI POETIK I NJË FEMRE ME KËNDVËSHTRIM UNIVERSAL

(Me poezinë e poetes Juljana Mehmeti )

 

qemal-guri

Nga: Qemal Guri

Një pyetje mjaft e lehtë që pasohet nga një përgjigje mjaft e vështirë: “Ku fillon dhe ku mbaron ilustrimi figurativ i poetes Juljana Mehmeti? Apo poezia e saj është e tëra figuracion i gjallë?” Çështja e ilustrimit figurativ, të një krijimi, gjithnjë ka qenë problemi më kryesor i një krujuesi. Dikush karakterizohet nga masa e figuracionit, ndonjë e tejkalon bukurisht në mënyrë mjeshtërore këtë dhe dikush tjetër tallazitë krijimin e vet në një detë figuracioni duke e ruajtur sensin estetik dhe artistik të krijimit.

Kjo aspektësi krijuese e fundit është më pazakonta dhe poetët janë mjeshtërisht më të evidentueshëm, pasi edhe procesi i tyre krijues është më i komplikuar. Avantazhi i tyre për të mos patur rrisk është fakti se ata janë të dhënë shumë pas talentit të tyre në ushtrimësinë aktive, kërkuese e synuese, por edhe realizuese, për të arritur atë çka duan me çdo mënyrë dhe mjet. Avantazhi i dytë është se ata i janë shmangur krijimit klasik, i cili nuk e bart dot një figuracion të tej fryrë sepse e cenon dhe rëndon vlerën estetike dhe artistike të tyre.

Poezia me rimë ka njohur artistë të mëdhenj dhe duke patur në shtyllën kurrizore të vet ekuilibrin mjeshtëror ai edhe është bërë i tillë. Ai kurrë nuk ka lejuar dhe ende nuk lejon një mbingarkesë figurative, por dominohet nga ekuilibrat brendakrijues dhe jashtëkrijues.

Ndërsa poezia e thyer, që unë e quaj poezprozë, edhe pse është bërë një art masiv për krijuesit e krijimit poetik, edhe pse ka arritur stade të larta të përfaqësimit të artit, serisht ka krijuar edhe aneksitë e saj, të shkallëzuar, qysh nga poetët e zakonshëm e deri në krijuesit klas.

Mirëpo, Juljana Mehmeti, duket se është një krijuese e veçantë, krijimi i së cilës, krejt spontanisht e bën atë një poeteshë klas. Shikojeni një poezi, këtu poshtë dhe mundohuni të më thoni se ku fillon dhe ku mbaron figura dhe figuracioni? Poezia e saj është një dukuri dhe jo vetëm një krijim. Ndoshta, kjo është edhe aspektësia që ia vështirëson lexuesve afeksionin poetik dhe artistik ndaj saj dhe, ajo shihet si një grua apo krijuese e pakonceptueshme dhe e çuditshme. Në poezinë e saj ngjizet dhe ç’ngjizet universi me fenomenet e tij, ajo është një materie dhe dritësi e pashoqe ashtu si në realitet është universi, veçse ky universim është ngritur më lart me anën e figuarcionit të gjallë e të bollektë. Ja një shembull:

Zgjohem…

Lidhur në fije merimange
relikes  harresë
në hapësira boshe …, mbushur mjergull
Me shikimet mbuluar flokësh
trazuar kujtimesh të venitura
që zgjohen kalimthi …

në ndjekje të një vegimi

I hershëm përjetim…, ngjyrash e imazhesh
që kapërcejnë distanca kohërash
me hapa të rëndë gjigantësh…

Fundosur ndjesish
ndër rrënjë – metastazë lidhur në vrazhda shpirti.
që kërkon shpëtim atje …,përtej imagjinatës

Në një feksje të dridhur
aurorash shprese

ti shfaqesh dritë
E lehtësisht në qiej ngrihem
yjesh ndizem,
dëshirën prek…

Menjëherë të krijohet përshtypja se nuk ke të bësh me një poete të thjeshtë, por në rrallë të parë me një këndvështruese pozitiviste, që e njeh thellë materializmin e botës dhe botësisë. Pavarësisht figuracionit, ajo nuk harron se çka na lidhë dhe si na lidhë me harresën, kjo hapësirë boshe që zgjohet dhe plotërohet herëpashere dhe si ndikon ajo në jetën tonë, sidomos krijuese, kur bëhet udhë eksplorimesh dhe evokimesh. Gjithçka është kapërcim i distancave të matshme, por që edhe të pamatshmet i bën thellësisht të prekshme. Gjithkund, është shpirti, i kudovendosuri, njerëzor apo hynjor qoftë, këtë as që merr përsipër të na e shpjegojë poetja, sepse ajo presupozon një lexues perfekt i natyrshëm dhe i tejnatyrshëm siç është edhe vetë një specie e rrallë në sillojin e vet human.

juljana

Juljana Mehmeti

Ajo nuk i largohet për asnjë çast botësisë së pafundë të materies. Aty ajo ka folenë dhe shtëpinë e saj. Aty është akomoduar më së miri dhe ndjehet mirë duke eksploruar universin dhe duke kërkuar një shpirt binjak në këtë bashkëbisedim universal të gjithësisë.

Aq e thellë dhe e lidhur me materien pafundësore e të gjallë, është autorja, sa na deklaron troç dhe shkoçur se “nuk rend pas fjalëve/ për të të jetuar…”, por “Thjesht humba…/ ndjesish…”. (Poezia Ëndrra ime…) Kështu, ajo na ka deklaruar ndjesia, intuita, para dhe përtejpsikja, janë shumë më tepër se çkado tjetër për një shpirt të gjallë; ndjesia nuk gënjenë kurrë edhe kur fjala mashtron. Edhe pse autorja nuk na i thotë këto, dhe, nuk është detyrim i saj t’i bëjë të ditura kësi gjërash kaq të rëndomta, ajo nuk resh nga roli i një filozofimi të hollë ndaj jetës në përçase dhe përputhje me botësinë e madhe nga jeta ka dalë. Këtë ajo e ilustron në mjaft poezi dhe në format nga më të larmishmet: “Në pasqyrë universi projektohet shpirti/ përthyer rrathëve të padukshëm/ yjesh reflektim./ Përshfaqur në sekuenca vazhdimësie…/ Dashurive rilindur/ dhe dëshirash mëkatim/ … në  tejkalim të vetvetes/ nëpër natë/ me të vetmin kujtim./ Endemi,/ mes asgjësë dhe pafundësisë / gjuhë gjurmësh të shkuara / grimca  në përjetësi/  … gjithmonë e më larg/ për të kuptuar kufijtë…”(Tejkalimi).

Kur them se Juljana Mehmeti është edhe një vëzhguese pozitiviste krahas një mjeshreje e krijimit poetik, kam parasyshë edhe se sa bukur dhe thjeshtë, përveç anës ndjesore dhe estetike, na i jep fenomenet e natyrës që na rrethon dhe pa të cilën nuk kemi “derman” dhe që ndikon në çdo çast e dekik te ne. Këtë e shohim ndërmjet të tjerave edhe te “Pëqafim hyjnor“: “Kur drita zbehet…/ përgjunjet përqafimit hyjnor/ pemët e stërgjatura mbështjell,/ tylit të mëndafshtë / në tokën lëshuar / pëshpërima dashurie,/ ndër dege të zhveshura përcjell…/ dhe gjethet ,/ tashmë të pëhumbura,/ me këpucë të arta ëndrrash/ stolave vetmuar / valsit të harruar …” këtu ne e puthim çastin jo vetëm estetikisht, por edhe materialisht, si një fenomen i gjallë natyror. Dikush mund ta citojë si diçka çmendurore, por këtu fillon edhe poetikja dhe poezia e Juljanës. Këtu fillon çmenduria e çdo poeti a poeteshe të madhe.

Nuk ke sesi t’i shmangesh kësaj çmendurie të ëmbël, përpirëse të një [poeteje të vërtetë, që mundohet të na ndjellë ne si zogj shtegëtar, duke mbajtur në duart e saj universin me bëmat e tij e duke na i servirur, si i thonë me dorë në zemër: “Merrini!”: Shikojini dhe shjojini mrekullitë e saj: “Është koha e nimfave!/ …që fshehur në lakuriqësi ndjenjash,/ nën shkëlqimin e verbër të diellit,/ copëzohet/ e ujvarave të shpirtit tretet…/ e unë , / Apollo i dashuruar / në shtrat gjethesh të zbehta,/ ndjesish fundosur../ në të timen Dafne- vjeshte,/ magjepsur ngjyrash mbetem…” (Pëqafim hyjnor).

Ndjenjat përbëjnë tharmin e objektivësisë së kësaj poeteje. Ajo e ka kristalizuar mendimin se estetika e kësaj botësie është shpirtësia dhe produkti i përkryer i saj, ndjenja. Ajo i drejtohet ndjenjës, sepse vetëm ajo flet dhe reagon, vetëm ajo mund të na dëshmojë humanitetin si faza më e lartë e tërësisë së botësisë që ajo këndvështro dhe plazmon poetikisht. Duke e njohur në thellësi ndjenjën ajo na dëshmon se njeh mjaft mirë edhe bartësit e saj dhe prandaj nuk bëhet zarar nëse arrijnë ta shijojnë poetikën e saj apo jo. Në rrallë të parë, krijimtaria e saj na thotë fare shqeto: “Arrihem vetëm nëse je qenie prej ndjenjash”. Por, ajo kërkon edhe një ndjesi mjaftë të kultivuar. Ndjenjat nuk duhet të jenë mashtruese dhe të stisura, por ekzigjente vetvetësore dhe të përkryera në vetvetsoritetin e tyre. Këtu, Juljane Mehmeti na dëshmohet edhe si një psikologe e thellë e shpirtit njerëzor: “Fluturojmë në orbita qiellore/ në kërkime të tjera emocionesh / ku çdo ndjenje lidh me spektrin ngjyrë … / … dhe vjen një çast kur gjithçka vijëzohet/ në një vallëzim harmonik ndjesish,/ ku hapat kapërcejnë rrathë /  krahësh fluturim ,/ pafajësi e harqeve kryqëzim.
E ti ndalesh ../ në vëzhgim,/ pikash të ndriçuara vese, / që oqeanin e përjetësisë mbërrijnë.” (Fluturim..).

Le ta shphim këtë dimension të pjekurisë poetike dhe profesionale të poetes edhe në ngjizjet e saj në disa poezi të tjera: “Format në mjegull/ Shkrihen papritur…/ Deformohen rrugëtimit../ rishfaqen e zhduken…/ Përhumbje e ëmbël../ në hapësira boshe të pavetëdijes …,/ Misterit/ dhe të pathënës / kufirit të fundit,/ ku dihatja drithëruar/ shpirtin  shtegëtar mbështjell… / Imazhi tjetërsuar,/ vegim i zbehtë drite në shuarje / zëra të largët, / pasthirrmë e harruar.” (Tejkalim…).

Universi dhe dashuria kanë një lidhje organike për poeten. Ajo është thellësisht e vetëdijshme se dashuria e ka lindur materien dhe kulmimin e saj qenien humane. Kur bëhet fjalë për dashurinë dhe kur ajo lëvrinë plot vitalitet dhe gjallësi, universi i përulet; mos vallë ajo bën një lidhje të trefishtë duke e bashkuar pazgjidhshëm edhe me biblikë? Mbase. Nga një poete e tillë shumëdimensionëshe pret gjithfarë befasishë: “… qiejt hapen/ errësira zbardh…/ në vezullime hëne/ takuar oqeanit mall,/ ku.. ti yll ulesh/ etjen shuan buzësh/ dhe unë ngrihem valë…/ detit rrëkëllyer në kupa dëshire/ dehur perëndimit të zjarrtë/ Brigjeve të shpirtit mbeten gjurmët tona./ …do kthehemi prapë.” (Ne të dy…).

Dhe kur mendon se tashmë je në vetvetësinë humane, menjëherë dhe krejt papritur gjendesh në mes të universit, atje ku është edhe gjeneza e qenies humane dhe jo vetëm kaq, këtë universim e gjejmë të amalgamuar edhe me amshimin, një pozitivitet estetik i kësaj poeteje si karakter krijues: “Je yll/ galaksive thithur,/ ndër psherëtima universi frymim,/ …deri në amshim.”

Juljana Mehmeti është poetja e jodimensionit. Pikërisht këtu ajo operon me një botë të madhe të njeriut: ” Në botën e vogël të egzistencës,/ ku segmentet kryqëzojnë si harqe/ rrathët e pakuptimësisë kohë/ në përballjen e paevitueshme/ të Unit dhe mendimit/ nuk ekzistojnë dyer e kyçe/ jasht kufijve të botës mbyllur,/ ku çdo gjë zhduket/ në universin e pafund të vetëdijes,
përtej vizionit të së padukshmes…/ Arsyeja shkon e vjen si retë/ dhe ti je qielli,/ ku ndjesitë rrjedhin kurmit/ dhe çdo dimension i përshfaqur/ humbet në boshllëkun tënd,/ që gjithçka rrëfen…”(Dimension).

Edhe pse universalizmi i saj është dominues, serish ajo i afrohet dhe përshkruan edhe hapat përditësor të njerit, siqenies së saj. Ajo e mrekullon qenien me pendën dhe mendimin etstik të saj, që e hedh si polem lulesh mbi vargjet e plazmuara aq mjeshtërisht; në to e përditshmja preket dhe shihet, ndijohet dhe shijohet: “Një çast… dhe ngjyrat fiken/ Ajri mbetet varur ndër kapakë sysh/ Akujt ftohtësi depërtojnë kurmit./ Errësira shtrin krahët ngadalë/ në një tis të hollë …,/ ku gjithçka tretet ../ …në pafundësinë e qenies./”( Tejkalim…). Gjithashtu këtë përditshmëri të ngritur në at na e jep edhe në poezi të tjera a shkaktuar askund përsëritje të besdisshme: ” Ne të dy,/ dy harqe të një ure/ …, dy ngjyra ylberi/ një poezi./ Sa herë horizontet kapërcejmë/ me sy pulëbardhash vështruar/ fluturuar larg/ dashurisë, / me heshtjen tënde i fola/ thellë në shpirt,/ zemrës time/ në një varg,” (Ne të dy…).

E përditshmja është aq madhështore në thjeshtësinë e vet sa nuk mund të qëndrojë pa universalen edhe pse ne e shijojmë edhe në këtë thjeshtësi embrionale, si te “Rrugë të tejdukshme“, ku të gjitha botësitë bëhen bashkë, e përdithshmja, rruzulli i këtij planeti dhe universi, por edhe pafundësia e Diku(së) dhe Diku(rës): “Drita e thyer në një gri shtjellimi/ Kohët ngatërron hapësirës …/ zhytur enigmës/ hyrje sensore ndjesish,/ në oqeane sysh/ të panjohur, / që zbulojnë imazhe/ të një ekzistence të përbashkët/ jetuar diku.., dikur/ perëndimit të largët,/ mbështjelle në pëlhurën e dikurshme, / harruar/ në krahë pulëbardhash./ Ulur mbi buzë…,/ që vizatojnë në heshtje/ rrugë të tejdukshme…/ përshkuar larg,/ në një të kaluar dëshirash / e puthjesh…/ krahështrirë emblema epokash/ dorëzuar përjetimit/ në kërkim,/ të qiellit të padukshëm/ që ruan kujtimin.”(Rrugë të tejdukshme).

ajo çka të bën më tepër përshtypje është se si autorja i gërsheton të tëra motivimet e saj në një fill aq të brisht krijues dhe tundues për një shpirt të hollë ndjesor. Duke kaluar dimensionet e botësisë ajo na shpalosë edhe atë që është e pamundshme por e imagjinueshme, panjohursinë e të amshueshmes. Duket shpesh se ajo është edhe deviza e saj dhe e vetë qenies edhe pse ajo nuk ndjek një udhë morali ngjizës. Ja pasazhe poetike të këtij konceptimi: ” Ndjek një dritë të verbër në përëndim/ ngatërruar muzgje resh,/ diku / mes imagjinatës dhe së vërtetës / në kufirin e padukshëm…, / të vdekjes, / në jetën pranguar dhimbjesh/ përjetim/ i realiteteve të fshehta …
/ Kërkoj të ndal akrepat/ fillin e botës të mbaj/ enigmë pa krahë kjo kohë, / që me mua fluturon/ qiejve të padukshëm…/ Iluzion / zhytur misterit oqean.” (Ngjyrosje ndjenje…).

Mirpo edhe operimet e saj janë të pashterrshme si vetë jeta. Poetja është xheloze që t’ia kalojë jeta dhe ajo duke depërtuar përtej mundësive që na lejon ajota vërë me shpatulla për muri të kryqëzuar e të sfiduar, sidomos si femër, të mos arrijë shpesh edhe ta sfidojë atë, apo, të paktën të matet me të, duke i dëshmiuar se ajo që ëndërron dhe imagjinon është e pandalshme dhe operuese në jetë: “zgjaten ëndrrat,/ Imagjinata zbret kratereve të fshehta’ në hapësira të panjohura…/ Në kërkim / të syve…” (Përtej mjegullës).

Karakteristikë dalluese e kësaj poeteje është figura e ngjeshur letrare në tërë vargnimin e saj, të gjitha poezitë janë të ngjeshura me një figuracion elegant dhe mjaft ëmbëlsor. Ata janë aq të larmishme sa nuk mund të thuash se cilat janë dominuese:

Litotat: Cepa reshnë pika shiu, rrjedh pika-lot, të fundit kuptime, Të vetmen pikë shprese,

Metafora dhe shprehje të bukura metaforike: gërvishtin qiellin dhe trishtimin, diellin fsheh…, përpjekje fluturake pa krahë, kujtimet/ mbrapsht thithin/ në këtë aktrim nate…, Në rrugën e hënës,/ që detin shkëlqen ,/ lehtas me sy rrëshqas …, Fustani i bardhë , tis i mjegullt nate/ kacavirrem/ e ngjitem lart/ në shtrate yjesh,/ ku trishtimin lëshoj,/ në vello të zezë universesh rrethuar,/ në një pikë të vetme horizontesh ndriçon, Mistere të largëta ekzistence,/ zbardh…, rrëshqasin mendimet…/ varur në një fije shprese…, të humbur nëpër natë…/ ndjekim hijet e njëri-tjetrit, Lidhur në fije merimange,

Personifikime: shuajnë etjen, qielli qan, agimi i kohërave/ të të dhurojë një ngjyrë/ nga ylberi jetë, errsirën fshin/ e retë ngjyros,/ për të vizatuar sytë, Fustani i bardhë , tis i mjegullt nate,/ pas me ndjek
/ në të fundit kufij të valëve…, Hëna në pëlhure universi yjet mbështolli/ zbehur vizionesh të largëta,/ shikimit tretur/ në heshtje shkoi, kujtimesh të venitura/ që zgjohen kalimthi …/ në ndjekje të një vegimi,

Epitete të thjeshtë dhe epitete metaforike: lëndinash të virgjëra shpirti, ritëm çastesh të fjetura, zbrazëti zemre, qerpikëve të fshehtë, afshin e nxehur, psherëtima të klithura, erosit qiellor, trotuare vetmie…, simfoni melankonike, valsit gri të pambaruar…, nën tinguj vjeshte ngjyrash…, drithërimash stine, rrugicave të heshtura…, në hapësira ndjenjash, re të pangjyrta, teatër- spektakël gjestesh … (fjalësh), përpjekje fluturake, erës leshragjatë, stuhive pafund .., Qiejve të rremë.., hapësierave gri, Fustani i bardhë, tis i mjegullt nate, misterit dritë të bardhë, një siluetë të zbehtë shprese, Përhumbur shpirtit dallgë…, rrezesh të përthyera, shtrate yjesh, Mistere të largëta ekzistence, dritëhije ankthi, hënë zemre, fije shprese…, vel i braktisur, oqeane të errëta/ mendimesh, akullnaja të lashta, llavën e përgjumur të qenies, ndjenjave të pashprehura, flalëve të pathëna, udhëtimit të përbrendshëm, forma fluide të ekzistencës,  hapësira ndjesish, relikes  harresë, kujtimesh të venitura, I hershëm përjetim,
Antiteza: kërkim iluzionesh të vetëdijshme/ në realitetin e një ëndrre,
Krahasime: si flakë e zbehtë qiriri, si në të fundit kuptime .
Metonimitë: E mbetëm vel i braktisur ne / në oqeane të errëta mendimesh/ hiperbolash: I hershëm përjetim…, ngjyrash e imazhesh/ që kapërcejnë distanca kohërash/ me hapa të rëndë gjigantësh, ti shfaqesh dritë,

Kërkohet shumë punë për të pasqyruar pasurinë e ilustrimit figurativ që përdor poetja Juljana Mehmeti, por edhe kaq mjafton për të krijuar një përshtypje të kësaj larmie dhe mënyrës se si është ngjizur ajo. Në fillim e kisha të sikletshme t’i futesha një pune ku nuk isha në kontakt me krijimtarinë e saj, por me të marrë në dorë disa nga thesaret e saj krijova atë përshtypje që e përcolla edhe këtu. Për të dhënë një mendim përfundimtar e të plotë duhet lexuar e tërë krijimtaria e derisotme e saj dhe vetëm pas një shoshitjeje të thellë mund të pasqyrosh plotësinë hapësinore të tharmimit poetiko-estetik të saj. Megjithatë, edhe me kaq pak mjafton të kuptojmë se kemi të bëjmë me një poete mjaft të zonjën në tharmimin e varngimit dhe me një këndvështrim shumëdimensional.

Shëngjin , më 28 2017.

Studiuesi: Qemal Guri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s