POEZIA SI GJUHË E UNIT FOLËS / Nga: Rami KAMBERI

POEZIA SI GJUHË E UNIT FOLËS

 

rami kamberi 1

Nga:  Rami KAMBERI

Se fëmijët i përjetojnë njësoj si të rriturit problemet që i rrethojnë, flasin edhe poezitë e poeteshës së re Rina Turkeshi. Këto poezi banojnë mes kopertinave të librit, apo më mirë thënë në poezitë e përmbledhjes “ A mundem të krijoj”, në të cilat poetesha e re i ballafaqon poezitë me realitetin e së përditshmes dhe me një gjuhë poetike shtron edhe dashurinë për dashuri dhe më shumë se dashuria – fati i kombit dhe Atdheut, njeriut shqiptar, i cili u plak shekujve në kërkim të lirisë.
Pra, poetesha Rrina Turkeshi, sikur u rrit me plagët e kësaj toke dhe plagët në fjalë si dhe situatat, përkatësisht gjendja e krijuar në rrethin shoqëror ku jetohet në kushte të vështira qoftë si pasojë e luftës apo edhe e krijuar nga faktorë të tjerë, sikur e detyrojnë poeteshën që të mendojë për shtigje në kërkim të lirisë që i mungon.
Ndaj, Rina është e bindur se nuk ka tema që nuk mund të trajtohen në krijimtarinë e gjuhës së poezisë.
Vargu i saj është i ëmbël, me unin folës dhe parimin krijues. Ajo nuk duron figura të errëta sosh që vështirë kapen dhe zbërthehen, ndaj është e hapur në kuptimin e vargut. Pra, poezia është e natyrës që kuptohet lehtë dhe pa mundime nga lexuesit edhe pse herë-herë vargu merr ngjyrën e figurës që të detyron të mendohesh siç bie fjala në ciklet “ Në pritje të përqafimit” dhe “ Me prushin e tokës”.
Fati tragjik që po e ndjek vazhdimisht popullin e poeteshës, sikur pa dashur duket mes fletëve të kopertinave, që librit i japin një madhështi, ngase ende pa u tharë gjaku i derdhur nëpër shekuj, Atdheu i poeteshës sërish rrezikon të përgjaket për luftërat e pakryera për pjesët e betejave të paftuara:
„ Rritesh,
me gjuhën e dhimbjeve
me peshën e kullës
……………………………………..

Rritesh,
me zërin e lahutës
me jehonën e hutës „
A nuk na detyrojnë vargjet e poezisë „ Shqiptar “ të ciklit „ Plagë e krenari „ se shqiptarët aktualisht bëjnë urdhrin e kësaj kohe, urdhrin e motit dhe se shqiptarët gjakun e kanë lëndë larëse nëpër fushat e betejave.
Shpirti i poeteshës nuk është i qetë, ndaj poezia e saj kërkon që shqiptarët duhet të flasin, të flasim duhet të gjithë, sikur na thotë poetesha në poezinë „ Diku larg „, në po të njëjtin cikël:
„ Sytë,
kapërcejnë detet pa fund
zemrat plagosen
gjuha thërret
kullat tona… „
Nën qiellin tonë jo rrallë, padrejtësia vret me egërsi. Nën prangat e huaja “drejtësia” është më e padrejta. I huaji nuk të lë kurrë të zhvillohesh e të ecësh përpara.
Shpirt, zemër, tokë, nuk bëra gabim që të desha, ai përqafim ishte i domosdoshëm, një urdhër i zemrës, sikur na detyrojnë vargjet e poezive “ Marsi “ dhe poezia e plagës “ Nënëkosovës” si dhe poezia e mërgimit “ Për vëllanë “ të ciklit “ Në pritje të përqafimit”, ku poetesha shfaq dashurinë e shqiptarit festave të Marsit si dhe plagët e Kosovës apo plagët e mërgimit që pesha e robërisë me gjuhën e dhunës i detyroi shqiptarët t’i lënë kullat dhe të marrin rrugën e ikjes:
“ Festë krenarie
Festë dije
Festë dashurie

Zemra foli
urime
urime …“
ose:
“ Lulet i ëndërroje
Plumbat
Ti jepnin dhuratë

Varret ti rreshtonin
Me lehonë i stoliseshe …”
Unë pyes, po i pyeturi s’përgjigjet, do të thoshte poetesha mes poezive që kanë gjuhën e qëndresës dhe dhimbjes e në veçanti në pritje të kthimit nga mërgimi:
“ Shpirti ka mall
zemra ka plagë

më dëgjon
i them hartës së shtruar
Mërgim

Ku banon im vëlla … “
Muret kudo në këtë nën qiell më kërcënojnë, andaj sado që e dua lirinë, unë druaj nga ata që e kanë në duar, poetesha në ecje mes poezive na fton të kuptojmë gjuhën e poezisë duke shpalosur shpirtin e saj në poezinë “ Kënga ime “ të ciklit “Në pritje të përqafimit” :

“ E rrudhur je
nga lodhja e pritjes

buzëqeshjet u shterën
agimi vonoj

Unë s’bëj pa ty …”
Urdhri i fuqive të mëdha, gjuha e tyre për historinë e re që na detyron të quhemi ndryshe në një anë dhe, asimilimin dhe zhbërjen e Atdheut, simboleve si dhe të emrit të popullit shqiptar në anën tjetër dhe, asimilimi i gjuhës shqipe mes mërgimtarëve për poeteshën këto nuk janë shqetësime të vogla, por një thirrje të mbrojmë atë që na mungon: Lirinë dhe gjeografinë e Atdheut.

17021817_823595547789346_9105277822758070193_n

A mundem të krijoj

Mësimi i jetës, dhimbjet për më të dashurin janë trungu i pikëllimit dhe gjuhës së qëndresës që e kalitën poeteshën të ec rrugëve të jetës për të qëndruar përballë sfidave dhe të duket krenare dhe e pa mundur karshi atyre që i tregojnë gjuhën e forcës apo mashtrimit. Këto janë poezi ku shihet qartë se si duket një e re, apo më mirë thënë një adoleshente kur më së shumti i duhet prindi si në kuptimin e ecjes në jetë po ashtu edhe në kuptimin e edukimit të formimit të personalitetit.
Pra, janë poezi të ciklit “ Mes engjëjve “, ku krenaria dhe dhimbja, edukata e kullës dhe amaneti marrin formën e kalasë për të treguar fuqinë dhe angazhimin e prindit prej poeti dhe letrari të pa lodhur, babait që pos edukatës se si duhet të duket njeriu, fëmijët i edukoi dhe i kaliti edhe se si duhet të duken si shqiptarë, duke hapur shtigje se për lirinë kurrë nuk mund të bëjmë sa duhet, për vlerat e saj duhet të punojmë gjithë jetën. Ky është mesazhi i babait të poeteshës që poetesha amanetin e tij e thur varg për t’u jetësuar në mbarë hapësirën që emrin e ka Shqipëri:
“ Sytë,
i flisnin
me shikimet shtruar liri

amanet fëmijët e mi

besën zemër
kokën shpatë

shtatin emër
gjuhën uratë ….”
Autorja e poezisë në fjalë është treguar mjeshtre në thurjen e vargjeve ku edhe dhimbja e ka hijen e saj në kuptim të durimit dhe qëndresës, si dhe hapave drejtë amanetit dhe dashurisë për jetë. Të tilla janë poezitë “ Meditim për ikjen tënde “ dhe “Të kërkoj ”, ku gjuha e forcës sfidon edhe vdekjen e më të dashurit:
“ ike
me gjuhën e engjëjve
me shkulin e fjalës …”
ose:
“ I derdhi shikimet
Tek dhoma e punës

Dua të të shoh
Me penë në dorë …”

Përmes figurave të zgjedhura poetesha Rina Turkeshi e ka përshkruar realitetin edhe për dashurinë ku në ciklin “ Për dashurinë “, nuk duket dashuria si e vetmja gjuhë që çdo njeri mundet ta kuptojë si dashuri, por si gjuhë ku edhe dashuria kafshohet me tradhti edhe pse dashurisë poetesha i mbetet besnike në kuptimin jetik. Poezitë “ Dashuri “ dhe “ Ik “, janë poezi ku dashuria herrë duket si dashuri e herrë si tradhti:
“ Fjalë e rem
apo ëndërr e keqe …”
ose:
“ Ti që s’ke ndjenjë
ik skajeve ik
ik…
Kërko dashuri…”
Siç u tha edhe më lartë, në poezinë e poeteshës Rina Turkeshi nuk ka objekt trajtimi që nuk është interesant dhe tërheqës për lexuesin dhe nuk ka dukuri apo ngjarje nga realiteti për të cilën nuk duhet të shkruhet.
Poezitë në fjalë, pra, na flasin edhe për të kaluarën e largët edhe për të kaluarën e afërt, edhe për të tashmen si dhe me porosi për të ardhmen. Këto poezi janë të veshura me tema dhe motive të ndryshme si: dashuri e tradhti, dhimbje dhe lumturi, qëndresë dhe krenari, robëri dhe liri, dashuri dhe me më shumë se dashuri.
Lirshëm mund të themi se duke shkruar për tema si: dashuri, urrejtje, dhimbje, plagë, etj, na duket se Rina Turkeshi ia tejkalon moshës që ka, për të mos thënë se poezia e saj bëhet e njëjtë më atë të poetëve që sot kanë emër në piramidën e letërsisë shqipe, edhe pse libri në fjalë është vepra e parë e poeteshës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s