Poezi nga Marjeta Shatro

marjeta-1

Poezi nga Marjeta Shatro

 

Drerët e erës

Me drerët e erës shëtita mbrëmë,
erdha deri tek ti,
të gjeta me sytë përlotur
mbytur në psherëtimë.

…dhe unë do të doja
të rrethoja botën tënde
me krahët e bardhë të dritës
të zboja nga shpirti errëtinë.

 

***

Si perëndi e përgjumur,
ishte sot deti.
Dielli e kishte veshur me shkëlqim.
Valët e tij me pranverën
lodronin sot përmes syrit tim.

 

A duhet…

Shpesh them me vete:
A duhet të besoj?
Apo pasionet janë vegime
të një imazhi që shfaqet si hije,
apo një ëndrre ardhur beftas
e larguar mëngjeseve tinëz
apo krijuar iluzionesh
e përhumbur në lotë dhimbje,
apo dëshirash të fshehta
mbetur përjetë si kujtime.

 

Rend

Rend dallgëzimit vite,
duke shkruar hieroglifet jetë,
kohën dhe misteret,
por dhe të bukurat ylbere,
peizazhin e pafund,
pasionet,
netët larguar ngadalë
dhe mëngjeset trokitur tek unë.

 

Për dashurinë…

Dua të këndoj për dashurinë
Se fjala lëshon dritë mbi kohën,
Mbi njerëzit.
Se dashuria i jep kuptim botës.
Të dua fshehtësisht,por edhe lirisht
S’kam frikë.
Drithëroj si gjethet e pemëve,
Ti më bën të qesh.
Unë të thërras me vargje diellore.
Ti më bekon me dashuri të përkryer.

 

***

Prarimi i diellit shpërthen me rreze
e lodhjen kohë tutje e flak
Mbush zbrazëtinë tonë me shpresë.
e fjalët shndrit për çdo varg.

 

Kryqëzim

Ti je kryqëzim i ëndrrave të mia,
pëllumb i bardhë në fluturim
ter krahët e kthjelltësisë ditë
dhe të bardhën dritë çel në shpirtin tim.

Unë laureshë që këndoj
e sjell mëngjeset e praruara të stinës
jodizuar detit të paanë
tretur në të ëmblat vështrime.

 

Identike

E lirë ndihem sot,
ndjek retë në qiell,
era më rrëmben me vete,
e më shtyn në të tjera gëzime
më bën robinj
të shkujdesjes sime

Sot e flaka tutje të shkuarën
e ngazëllehem për të tashmen,
Mrekullisht rrugëve të qytetit
Unë, identike me vetveten.

 

***

Sytë i mbyll vetëm për një çast
e ndiej zemrën si më rreh,
shoh shkëlqimin që prek përtej mendimeve
e mbetem sërish atje…

 

Beftas…

Ti trokite ashtu beftas
zbritur nga më të thellat porta shpirti,
asnjë fjalë nuk u dëgjua,
asnjë psherëtimë më pas
veç hapa që rendnin zhurmshëm
e gërvishnin pa reshtur gjithë qënien time.
…dhe në fund
një shtëngim duarsh,
një buzëqeshje e lehtë,
një përqafim i gjatë
dhe një puthje rrëmbyer
nga më të lartat yje prushëzuar.

 

Pyes…

Pyes veten nganjëherë,
si do të jetë poezia ime pa ty…
Veç ti muza ime më mbush sytë me shkëlqim,
më lan me shi drite dhe bekon heshtjen time.
më mbush shpirtin paqe me këngë jete!
Më magjeps pas të bukurave oaze!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s