Të korrat e Krishtlindjeve / Entela S. KASI

Të korrat e Krishtlindjeve

 

Entela S. KASI

Më vjen të qaj, kur thonë se njerëzit e zakonshëm, mijërat në planet nuk janë të rëndësishëm. Ata janë një zbulim shpirtëror i lartësuar. Ata të bëjnë të ndalosh dhe të kuptosh, vlerat e gremisura dhe të kthyera përmbys, nga ata që mendojnë se kanë në dorë, drejtimin dhe vullnetin e njerëzimit.
Sikur dikush ta njihte njeriun që unë e emërtova ‘Njeriu që dua’! Ai është një njeri që rrëshqet nëpër rrugë me makinë apo në këmbë, që bën atë që bëjnë të gjithë, është i gjallë, që e ngroh po ai diell që ngroh tërë planetin. Ai gjendet kudo, në rrugë a në sallone klasike, në kafene a në dhomën time të gjumit, në studio, a përmes zërit në telefon, në bregdet a në mal, në qiell dhe në tokë. Ai nuk është krejt i leckosur siç thotë për veten, sepse jetojmë në shekullin XXI. Ka një makinë çfarëdo, mjet udhëtimi.
Edipi, ishte pikërisht ai, që më drejtoi kah e vërteta që nuk kisha dëshiruar kurrë ta pranoja, kah dija se jeta është një çast, krejt një moment kalimi nga toka nën tokë përmes një gjurme të përjetshme.
Isha kthyer në qytetin B. Unë shkoja rrallë atje, në atë ngrehinë bote të mundimshme, ngaqë nuk mundesha qoftë edhe shpirtërisht të përballoja jetën e një qyteti në një turmëzim aq të mjeruar, pa asnjë bosht, pa asnjë lidhje, pa asnjë ardhmëri. Atje ekzistonte i vetmi mjet mbijetese, lukunia e refugjatëve, që iknin e vinin në shtetin fqinj përmes kalimit doganor, maleve, apo krejt vijës kufitare me Shqipërinë. Kudo qytetit i cili dukej sikur të kishte dalë prej lufte, nëpër rrugët e tij plot pluhur prej betoni e pllakash trotuaresh të thyera, madje edhe në ato lulishte të dikurshme e të pakta, ku ishin tharë e prerë edhe gështenjat e egra edhe blirët, gjendeshin përditë kapica njerëzish të grumbulluar si dengje pranë njëri-tjetrit në pritje për të kaluar në tokën e huaj. E kisha dëgjuar shpesh frazën; njerëz pemë-thyer, e cila ushtonte në kokën time e më kthehej ngultas në kujtesë, e sa herë më kujtohej, po aq herë më shpërfaqej kasta e atyre që ishin vërtetë njerëzit pemë-thyes. Pemë-thyesit ishin dhe mbeteshin pjesa e asaj hierarkie të kastës politike që kishte shkaktuar krimin dhe mjerimin jo vetëm të qytetit B, por të krejt turmës së lodhur të ikanakëve të vendit tim.

Të korrat e Krishtlindjeve

Midis atyre grumbujve prej njerëzish të varfër gjeje gra me fëmijë të vegjël që i nënat e trembura i shtrëngonin fort për dore, vajza të reja të çmeritura dhe prostituta, të cilat prisnin e endeshin nëpër hotelin e vetëm, pranë së vetmes kinema të dikurshme, për të ikur në shtetin fqinj kur binte nata, në një ritual të përditshëm, të frikshëm.
Asnjëherë, askush nuk shqetësohej për fatin e atyre njerëzve që nuk dihej ç’i priste më tutje, aq sa të krijohej bindja se për piramidën këta ishin persona që nuk ekzistonin, madje të privuar edhe prej skedimit numerik nëpër karta identiteti.
Tek ‘Santa Luçia, kafeneja më e re e qytetit B, u ndesha ballë për ballë me Edin. Sytë e tij u përplasën me vështrimin tim. Nuk mund të shtiresha sikur nuk e njihja, kishim pirë kafe një kohë të shkuar në prani të disa miqve të mi dhe kujtoja se ai kishte qenë njeriu më i veçantë.
-Edip, si jeni? – i fola e para pa ditur çfarë shprehja në ato çaste, dëshirë për ta përshëndetur apo habi që e shihja pas kaq kohësh rastësisht. Ai rrotulloi vështrimin dhe gati harroi të fliste.
-Nuk më mbani mend? Jam Klea.
-Ky është vend për arinj, jo fort i përshtatshëm për krijesa delikate, sidoqoftë nëse ju duhem më gjeni këtu gjithmonë në orën nëntë të mëngjesit.
-Punoni diku? – Pyeta unë.
-Po, – tha ai. – Bëj mbijetesën. Fjalinë e fundit e shqiptoi me aq nxitim, sa mua më duhej të gjeja një arsye për ta ndaluar.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s