Një ëndërr e zgjatur / Tregim nga Teuta Keli

Posted on March 21, 2017

0


Një ëndërr e zgjatur
 
 
Tregim nga Teuta Keli
 
-Mbylli sytë shpirt dhe shih ëndrra të bukura, këtë ma premto!
-Po, nuk mundem më babi, nuk më flihet më! U lodha duke fjetur, s’mundem, besomë….!
-Tani, po bëhesh vajzë e keqe, të thashë shih ëndrra të bukura!
Ai e mbuloi vajzën dhe doli nxitimthi prej dhomës së errët. Nuk donte të dëgjonte më kundërshtimet e saj, këto s’ishin as të drejta. E kuptonte që vajza gjithmonë e më shumë po e kundërshtonte dhe kjo nuk ishte gjë e mirë.
“Po i thashë të flinte, i thashë të shihte ëndrra të bukura, eh ç’i thashë që duhet të më kundërshtonte kështu?!…”.
Ai mendonte dhe zgjaste nga pak kokën drejt dhomës së të bijës, si për t’i kërkuar falje.
“Po ora, sa është? pyeti më tej veten”.
Ai e shihte orën dhe gjithmonë ajo tregonte të njëjtën kohë. Tani kishte blerë një orë të re. Atë e kishte blerë tek tregu i ri, tek ai ngjitur me varrezat. Në të vërtetë s’donte të blinte orë të re, mirë e kishte atë të mëparshmen, por kjo e reja, duhej, sepse ato të vjetra kishin dalë jashtë funksionit.
Ai pa orën, ishte e bukur dhe e thjeshtë edhe në përdorim. Ajo kishte vetëm dy ndarje: një pjesë e madhe e fushës së orës ishte e zezë dhe kjo afërmendsh tregonte natën, kurse pjesa tjetër, ajo pjesë e vogël, një rrip i hollë i fushës së orës ishte me ngjyrë të bardhë dhe kjo tregonte ditën.
“Ja, tani sipas orës sime është natë, jemi në pjesën e errët të fushës”. Ai hodhi sytë jashtë dhe pa Diellin përtac që shkëlqente mbi tjegullat e zymta të shtëpive fqinje.
“Vetëm Dielli nuk ka blerë një orë të tillë, ai është i pabindur, si vajza ime. Është thënë që edhe Diellit do i mbushin mendjen të blejë një orë të tillë dhe më pas çdo gjë do jetë një mrekulli… Të gjithë në gjumë, të gjithë me ëndrra të bukura…”
Ai e mbante mirë mend, ditën kur ishte marrë një vendim për këtë mënyrë të re jetese. Pasi ishin provuar shumë mundësi dhe asnjëra nuk kishte dhënë rezultat, erdhi zgjidhja e përsosur. Gjithë njerëzimi do të flinte njëzet e një orë, njëzet e një orë ëndrra të bukura dhe vetëm tre orë do të jetonin dhe gjatë këtyre tre orëve ata do t’u tregonin ëndrrat e tyre njëri-tjetrit dhe kjo bëhej vetëm për qellim frymëzimi dhe për të vazhduar sërish një ëndërrim të gjatë.
“Do edhe një orë që të kalojmë tek fusha e bardhë. I kushtova vetes një orë gjumë më pak dhe sa e sa ëndrra të bukura. Fajin e ka ajo, e pabindura ime. E ku ka më mirë se të jetosh me ëndrra. Në ëndrra të gënjejnë, por ti hap sytë dhe je si më parë, në ëndrra të masakrojnë, por trupi yt nuk ka shenjë…
Tani edhe pak e gdhin, të gjithë do mblidhemi këtu e do tregojmë ëndrrat tona. Këtë herë do përpiqem t’i shoh të gjithë në sy dhe të mendoj edhe për ëndrrat e tyre, se u bë ca kohë që kur ata flasin, unë vetëm meditoj, ëndërroj me sy hapur për ëndrrat e mia, u bë ca kohë…”
Sa shumë i ishte dashur për t’ia shpjeguar gruas së tij këtë gjë. Ajo me vështirësi të madhe e kishte kuptuar, aq sa ai me të drejtë kishte dyshuar në aftësitë e saj perceptuese.
E trembur e shoqja e kishte pyetur:
-Po mirë, ne kur do shihemi?”
-Ne do shihemi vetëm tri orë në ditë, i ishte përgjigjur ai. Këtë shikoje si diçka të bukur, i ishte lutur ai më tej, sepse për më tepër nuk kemi as kohë të zihemi, gjatë tre orëve duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit vetëm ëndrrat tona të bukura.
Ndërsa ai mendonte, i vinte keq per veten, i kishte dalë gjumi një orë përpara dhe ndihej i pafat për këtë.
Ai pa orën, tani ishte ora fiks per të aguar, ishte koha për të treguar ëndrrat e bukura. Nga dhomat e gjumit u dëgjuan disa zhurma të lehta, kuptohej që tani të gjithë u zgjuan, ata do të mblidheshin bashkë dhe do tregonin ëndrrat e bukura.
Ai ngriti sytë dhe pa para vetes një plakë të shëmtuar që i foli me zë të ëmbël:
-Si e bërë gjumin shpirt? dhe menjëherë pas këtij zëri dëgjoi zërin e pabindur të së bijës.
-Babi s’mundem të fle më, s’mundem, s’dua…!
Ai ktheu kokën për ta kundërshtuar të bijën, por çuditërisht para tij ishte një grua e re, e bukur që i kishte folur me zë fëmijë…
“O Zot, mendoi, sa kohë ka kaluar, por një kohë e qetë dhe plot ëndrra të bukura…”
Posted in: PROZE