Poezi nga Sokrat Habilaj

Posted on March 21, 2017

0


Poezi nga Sokrat Habilaj

 

DUKE NDJEKUR TY

Duhet të di gjithçka, në detaj,
Për avionët, lartësitë e frikën.
Sa kohë që atje, diku në skaj,
Është një grua që si mall ikën.

Për trenat që harbohen si kuaj,
E malin e shqyejnë me dalldi.
Sa kohë që pas xhamit, e huaj,
Është një grua, ikur në arrati.

Dhe të njomë cepin e shamisë,
Në ëndrra që e mundin burrin.
Sa kohë në trenin që u gremisë,
Është një grua që ma heqë trurin.

Të di për sëmundjet, gjithçka,
Kur vijnë papritur, nëpër natë.
Sa kohë që pranë teje, në krah,
Është një grua që thua s’dihat.

Për qelizat dhe për indet e butë,
E që duhet me frymë të preken.
Sa kohë duke u lutur:-Më puth!
Është një grua që rivretë veten.

Pastaj të gjej ku shfaqen plagët,
Në pore, në gjinj. Ah jo në gjinj!
Sa kohë që, ndërsa si ule armët,
Është një grua që s’fle në brinjë.

Dhe kur frikën ta kem lënë pas,
A ankthet që i kisha në mendje.
Të flak tej çarçafët, të të rivras,
Të prish gjumin se më çmende!

 

GRIMCAT TONA

Po, ne jemi mijëra grimca të ndara,
Dhe kur në pluhur bëhemi harresë.
Sërish e nisim ndarjen nga e para,
Grimcat që mbeten ndajmë në mes.

Ca grimca s’dihet ku ikën si malle.
Në dashuri, zënë peng nga të tjerë.
Ca grimca me kohë janë në varre,
Po emri ynë nuk është në mermer.

Ca grimca të tjera i ka lodhë udha,
Qafën thefshin, si duam në portë.
Se janë imazhe grash që si putha,
A imazhe burrash! Për ty flas kot!

Ulemi të dy përball si pas një lufte,
Të shohim sa gjëra i kemi mangët.
Po s’të pyes për grimcat që humbe,
E ty në gulçe loti, të kthehen fjalët.

Pastaj zgjat dorën tek ty, si fshehur,
Ti shikimin fshehur, mbi mua tretë.
Unë jam grimca që të kam mbetur,
E ti e vetmja grimcë, në një skelet.

 

Posted in: POEZI