Poezi nga Bajame Hoxha ( Çeliku)

Posted on March 28, 2017

0


Poezi nga Bajame Hoxha ( Çeliku)
 
 
SA E SA ËNDRRA
 
Brenda meje mbete syvalë kujtimesh,
që ngacmojnë dhe shtyjnë në ethe,
Ngasin, thërrasin me zë gjëmimesh:
na nxirr përjashta mos na merr me vete.
 
Sado të mundohesh me lot e shend
Ikjen s’mund ta mohosh o trup hyjneshe!
Ndaj jemi produkti i zemrës tënde
Na lërë mbi tokë mos na merr me vete,
 
Plot fjalë e fraza lëndinë e shkruar
Manushaqe, kaçe dhe lule dele,
kurora ngjyrash,
ashtu si ëndrra e një nate vere.
 
Një lot i hidhur pikoi përbrenda
aty mbi zemër bëri fole,
kujtime te bukura, sa e sa ëndrra
vetëm për ty unë do t’i lë.
 
Flet valë e turrshme në zemrën time,
sa pak fjalë, sa shumë dashuri,
A ishim ne, o ëndrra ime
Një amanet, një dashuri?!
 
 
 
MOS E SHKRUAJ
 
Mos e shkruaj emrin mbi rërë,
se unë s’ jam më aty,
U këput ylli që mbrëmë
Dallgët e detit s’t a sjellin më.
.
Mos e shkruaj emrin tim mbi rërë,
se vjen dallga dhe e fshin,
Ajo dallgë, që të përfshiu dikur
e fshin ashtu, si u fshi një dashuri.
 
 
 
LUTJE
 
O Zot!
S’do më japësh
Fuqinë,
që ta prek
dhe vetëm një herë
ta prek
Dashurinë?!
Posted in: POEZI