EMOCION POETIK ( Parathënia e librit më të ri poetik” Shpirti i mërgimtarit” të autorit Nehat Jahiu ) / Nga: Vilotea Allmuça

Posted on March 28, 2017

0


EMOCION POETIK

( Parathënia e librit më të ri poetik” Shpirti i mërgimtarit” të autorit Nehat Jahiu )

 

Nga: Vilotea Allmuça

         Libri më i ri me poezi shkruar nga poeti Nehat Jahiu “SHPIRTI I MËRGIMTARIT” vjen me motive nga mërgimi, një realitet i hershëm në jetën shqiptare, i ndërlidhur si dukuri shpirtërore, pra i njeriut me një atdhe tjetër, të cilin e thërret shpresa me vetëdije të përbotëshme. Mesazhet e tij jepen nëpërmjet fjalës artistike, ku filli i jetës lidhet jo vetëm me lirinë, por gjithashtu edhe me kuptimin e pragut të mëmëdheut që për autorin mbetet pesha e madhe e vendlindjes. Emocionet dhe dashuria për atdheun e tyre sipas mërgimtarëve, ndjehen edhe larg në gjithësinë e botës. Kjo ndjenjë ndoshta për analogji nuk është e njëjtë me imagjinatën, si një kod njerëzor historik. Ndaj për poetin është mënyra që ta kthejë poezinë në një fuqi e cila mund ta ruajë këtë fenomen në kujtesë. Si përkujtim shpirtëror vetë njeriu ka mbjellë përveç vendlindjes, dhembjen e mallin. Askush nuk mund të jetojë pa atdheun e tij. Evokimi i vargjeve vjen si një virtyt i identitetit të tyre duke mbajtur gjallë universin autokton dhe trashëgiminë historike. Vargjet ruajnë rimën thuajse në të gjitha poezitë e këtij libri. Zëri i poetit përcjell vargje sa emocionuese po aq edhe impulsive për lexuesin e fjalës poetike si thirrje ndaj mërgimtarëve. Të qënit në dy botë, aty ku ndahet shpirti dhe hapësira njerëzore, lind një ndjeshmëri poetike, ku zë vend krahasimi, metafora, simboli etj. Ja çfarë shkruan autori në poezinë: “Ku po shkojmë” – E ku po e lemë fushën e malin/ Dashurinë e mallin/ E ku, ku jemi nisë/ ku po shkojmë/ Qysh të rrojmë?/…

SHPIRTI I MËRGIMTARIT

Iluzioni magjik i mërgimit kthehet në një mundësi reale ku mërgimtari mendon se do ta bëjë më të bukur jetën e tij. Mirëpo ky mbetet vetëm një hamendësim me dashurinë e vendlindjes. Le të ndjekim vargjet e poezisë: “Më ndërrohet nata me ditën”

Buza më dridhet, zemra shumë më djeg/ Kur e shqiptoj këtë fjalën “kurbet”/ Jam lodhur e aq shumë jam mërzitur/ Sa më ndërrohet nata me ditën/.

Dhembja e malli e ndjek ditën dhe natën mërgimtarin atje larg. Ndaj ai e krahason terrin në mërgim vetëm me dritën e vendlindjes. Pasqyrimi bardhë e zi është diku një kufi ose kufiri i atdheut. Sigurisht e ndjek pas hija e tokës së tij.

A është ky një trill i vetë mërgimtarve apo një realitet i tejdukshëm? Ikja në një vend tjetër e shenjon mërgimin si një orientim simbolik, në vijë paralele me pasurinë, ndërkohë që poetët kanë metoda të tjera për të matur realitetin, shkrimin letrar poetik.

Kujtimi i tokës së të parëve, i varreve të paraardhësve, mbetet një refleks orientimi për të mos e harruar kurrë atdheun mëmë. Vargjet rrjedhin gjithashtu si krojet e vendlindjes. Ja një emocion tjetër poetik: “Mos harro”– Gjuhën tënde mos e harro, kudo që je/ Se më të ëmbël se ajo, ti nuk ke/ Vetëm ajo të jep nder e vlerë/ Në parajsë qofsh apo në skëterrë/.

Ndoshta kurbeti është edhe një sfidë e lirisë ose përndryshe ideja e sotme e globalizmit! Ndoshta! Por vëmendja e përditshmërisë e çon poetin në këtë libër me poezi midis të tjerash edhe në mendimin e vërtetë, si një dëshmi tjetër mjaft e veçantë e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve. E bukur për poetin mbetet kthimi në atdheun e tij, ku frymon, vendlindja, toka, fjala shqip, bilbili, dheu, kujtesa, jeta.

Nehat Jahiu

Lexojmë poezinë tjetër: “Të kërkoj” – Të kërkoj/ Në djepin e ëndrrave të mia/ Në ninullat e nënës/ Në këngën e lashtë të gjyshit/ Në zemrën e kësaj toke të shtrenjtë/. Ngjyrimi artistik i vargjeve sjell lirshëm emocione e tërheqje për lexuesin e thjeshtë.

Gjuha letrare e poetit buron e kthjellët duke rrugëtuar në një vepër poetike e cila ruan formën e komunikimit me fjalën që po ashtu e vesh me jetë vargun. E bukura pasqyrohet edhe në përmbajtje. Poeti shprehet modest duke hedhur vargjet poetike si një domethënie e jetës shqiptare, pikërisht atje larg ku buron dashuria e mërgimtarit për jetën, në vendlindjen e tij. Motivi i mërgimit me një dinamikë malli e dhembje mund të reflektojë edhe në kohën e sotme, në poezitë që i dedikohen një pjese të shoqërisë, ku ngjyrat e jetës duhet t’i shohin, aty, në lindjen e diellit të mëmëdheut të tyre. Thelbi i poezive përmban, thelbin e identitetit dhe stil të rrjedhshëm, i cili i kujton autorit se këto dëshmi të gjalla mbajnë në vetëvete edhe plagën e kohës tek shpirtrat e njerëzve. Ai beson se vetë jeta i pranon fenomenet e civilizimit dhe vetëdijësimit, brengosjes apo kulturës! E bukura shpirtërore që poeti e quan vendlindje ose dhembje, mbajnë në vetëvete edhe shpresën, pra jeta ka forcë ndriçuese edhe në lotin e pikëllimit. Dashuria ka lindur jetën dhe fjala poetike është një zë që i dhuron buzëqeshje. Le të lexojmë edhe poezinë: “Lart në qiej”– Të bie e të përplasem i gjithi pas teje/ Si një kandër që bie për tokë/ E të mos ndiej dhimbje/ Por veç mall, mall, edhe prush, edhe lotë/.

Arti i bukurisë së vargjeve ka ekzistuar dhe do të ekzistojë tek njeriu. Pikërisht këtu poeti i ka mbetur besnik poezisë së mërgimit, duke menduar se afirmimi poetik i tyre i këndon shpirtit të mërgimtarit.

Violeta ALLMUÇA, poete 

Posted in: ESSE DHE KRITIKA