POETJA JULJANA MEHMETI DREJT NJË VARGËZIMI MJESHTËRISHT DINJITOZ, ESTETIK DHE ARTISTIK ( Referim rreth poezisë “Telat e ngrirë” të autores Juljana Mehmeti) / Nga: Qemal Guri

Posted on March 30, 2017

0


POETJA JULJANA MEHMETI DREJT NJË VARGËZIMI MJESHTËRISHT DINJITOZ, ESTETIK DHE ARTISTIK

( Referim rreth poezisë “Telat e ngrirë” të autores Juljana Mehmeti) 

 

Nga: Qemal Guri

Tri herë në kryet e çdo strofe nxjerrë ripërsëritshëm krye vargu: “Telat e ngrirë të një violine” sikur të jetë anaforuar dhe si një lokomotive e një lajtmotivi të pashoq, me një shoqërizim të tërë metaforash si një vagonim pa fund, e zbukuron në mënyrën më boreale strofen e tërë të përbërë nga vargje me një teknikë mjeshtërore vargnimi. Këtu nuk kemi më atë hermeticitet që e dallon shquajtushëm poeten Juljana Mehmeti. Në këtë poezi është një still tjetër dhe një mënyrë tjetër e organizimit të fjalëve edhe pse vargjet organizohen në të njëjtën mënyrë për të qene sa më mendimtare, pra në formën e poezprozës së përkryer.
Telat e ngrirë, të shurdhët, me nota të mekura, heshtin, flakur o ndoshta përplasur, dhimshëm zhgënjimit më të madh të pritjeve, që nuk trokitën kurrë, që nuk e prekën me dorë, që nuk e morën në krahët fluturim shkrirë partiturave, në të ëmblën muzikë.
Ata, (telat e ngrirë) vuajnë ankthin depërtuar akordeve të thyera, vallëzimit të ndërprerë në mes të pistës së krisur nga loti rrëzuar i balerinës gjymtuar melodisë psherëtimë, fëshërimave të pemëve të çveshura, cicërimave tretur shtegëtim valëve, kthyer në furtunë, shformësuar ngjyrave të shpirtit.
Ata, (pikërisht ata – Telat e ngrirë) presin tjetër shkëlqim të bjerë në dritare, dhe tjetër pasion të prekë dejeve…deri te balerina e rikthyer.
Çfarë ka dashur të thotë poetja? E çna duhet ne se çka dashur të thotë ajo. Ajo është puna e saj dhe puna jonë është ta këndvështrojmë se ç’ngjizje poetiko-estetike ka realizuar.
Një violine, simbol i harmonisë së harruar i botës na është vënë përpara. Dhe tip i kësaj harmonie, edhe pse të bërë kaos, në një qendrueshmëri të njëfarësojshme na është dhënë nëpërmjet anaforizimit parastrofor të vargut “Telat e ngrirë të një violine”. Se ky simboloizëm është gjetur aq adekuatësisht dhe intuitivish saktë, këtë e dëshmon natyraliteti i zgjeruar i këtyre telave, që shoqërizon jo vetëm një vegël muzikore të harruar, por të gjithë natyrën me larminë e saj dhe me shumëllojshmërinë e shfaqjes.
Po, çështë kjo poete që nuk i shpëton asgjë? Mos është një qenie përtej qenies. Mos vallë edhe si njeri edhe si krijuese është ekzemplar Oshian, e kalon çdo paranormale e psikike dhe arrinë në aerodromin e panjohur të pertejpsikes?! Këtë mund ta themi me siguri edhe për faktin se tek poezitë e saj gërshetohet realja me jo realen, e këtueshmja dhe e përtejjetshmja, mistikja e magjikja brenda tharmit të realitetit ekzistues, sikur të jenë normalitete të natyrshme të kësaj jete. Vargu i saj, jo e pohon, por e argumenton këtë si diçka që nuk mund të vihet në dyshim.
Unë dyshoj se poetja e kerkon vargun e saj. Ajo, më shumë se kërkim e gjenë atë diku brenda vetësisë dhe na e plasë ne përpara si një material të pathyeshëm universi, sikur ajo të jetë antimaterja vetë.
Poetet si Juljane Mehmeti na madhështojnë me vargnimin tipik të tyre në formën e poezprozës së shkëlqyer dhe tejet të arrirë si pak-kush shoq i tyre. Është kënaqësi të lexosh vargje të tilla që nuk dalin aq kollaj por që janë të rralla e të shtrenjta si ngjizjet dhe lindjet e fëmijëve. I uroj suksese kësaj mjeshtreje të vargnimit, të organizimit stilistik të fjalës dhe mjeshtres kompetente të përzgjedhjes së leksikut të duhur dhe mjaft shprehës në plazmimin poetik.

Telat e ngrirë

Telat e ngrirë të një violine
kanë ngeleur të shurdhët,
me nota të mekura
heshtin,
diku në një kthinë të errët, flakur
ndoshta përplasur,
ashtu dhimbshëm zhgënjimit më të madh
të pritjeve, që nuk trokitën kurrë,
që nuk e prekën me dorë,
që nuk e morën në krahët fluturim
shkrirë partiturave,
në të ëmblën muzikë.

Telat e ngrirë të një violine
vuajnë ankthin,
depërtuar akordesh të thyera
vallëzimit të ndërprerë në mes
pistës së krisur nga loti rrëzuar
i balerinës gjymtuar,
melodisë psherëtimë,
fëshfërimës, së pemëve të zhveshura
cicërimave, tretur shtegëtim,
valëve, kthyer në furtunë
shformësuar ngjyrave të shpirtit!

Telat e ngrirë të një viloline
presin,
tjetër shkëlqim të bjerë në dritare
tjetër pasion të prekë dejeve,
ta ngrejë nga pluhuri dikurshëm
dhe të luajë ,
valsin e viteve të shkuara,
në një breg, a valë të përthyer,
ose pistën e munguar vallëzimit
vetëm ajo, me drithmat ajër
dhe balerina e rikthyer.

Julja

 

Juljana Mehmeti

 

Posted in: ESSE DHE KRITIKA