Shtëpia Botuese “ Muzgu” publikon vëllimin poetik “ Rrugëtoj mbi varg” të autorit Veron Hoxhaj

Shtëpia Botuese “ Muzgu” publikon vëllimin poetik “ Rrugëtoj mbi varg” të autorit Veron Hoxhaj
 
Titulli librit: Rrugëtoj mbi varg
Autor: Veron Hoxhaj
Redaktor: Agron Shele
Shtëpia Botuese “ MUZGU”
Ideja grafike dhe kopertina: Botuesi Mark Simoni
 
Sikur valët gjithëfarë lloji që kalojnë nëpër trupin e një antene, ashtu më duket se në tërë qenien poetike të Veron Hoxhajt, kalojnë herë brenga e dhimbje të mëdha, e herë të tjera lirika delikate, herë shqetësime e halle të thekshme, e në raste të tjera jehona të folkut.
Ky poet e vë veten e tij artistike bash në syrin e ciklonit, atje ku sukullohen, mbështillen, trazohen, kapërthehen turbullitë e jetëve të hallexhinjeve. Ky “Un’ “ poetik mban shumë dhimbjen e të tjerëve, tamam si bartët japonez në legjendat e tyre, që e merrnin vuajtjen e të tjerëve, si dhimbje shpirtërore të veten. Veron Hoxhaj i ka hipur kalit të artit poetik, dhe si një kalorës nget kudo që e thërret shqetësimi për të shkruar vobegtësitë e njerëzve. Duket se poezitë e tij janë melhemi i xherahut, që shërojne pareshtur.
Lirizmi, i përzier me shije të veçanta, (që vijnë nga shtegu i formave folklorike), është një dimension interesant i këtij libri. Veron Hoxhaj zotëron skeptrin e modulit popullor. Madje ky modul është pjesë substanciale e letërsisë së tij, si dhe një mjet e argument artistik i fortë, që ia bën letërsinë Hoxhajt të lexueshme dhe të këndeshme.
Dashuritë dhe dhimbjet, fabulat dhe folku, lirizmi dhe ndjesitë fine e bëjnë të dashur e të këndshem librin “Rrugëtoj mbi varg”. Libri është shoqëruar nga një parathënie shumë analitike e shkrimtarit Agron Shele. Kjo vepër e Veron Hoxhajt, e botuar nga Shtëpia Botuese “Muzgu”, doli sot nga shtypi dhe u nis tek lexuesit e shumtë të Veron Hoxhajt.
 
 
Fjala e Botuesit: Mark Simoni
 
 
 
Në vend të parathënies
 
Duke lexuar librin e Veron Hoxhaj, thjeshtësinë e vargjeve të tij, por me aq dashuri dhe pathos për vendlindjen, për njerëzit më të afërt, për nënën dhe babain, për familjen, për vujtjen dhe mjerimin e kaluar, për fatin e jetimit, për mallin dhe nostalgjinë e emigrantit, kupton se në këtë vëllim poetik kemi të bëjmë me një prurje që është sa pranë folklorit popullor po kaq dhe traditës e virtytit më të mirë njerëzor. I endur në këtë oaz dhe shpirti të përmalluar, por dhe dhembshuruar ai derdh vargje njëlloj si në romantizmin e letërsisë shqiptare, ku i këndon kodrave dhe brigjeve, shtëpisë së braktisur dhe fshatit të humbur mes ferrishteve, thëllëzës dhe bilbilit, qengjit manar dhe cjapit me zile, maleve të larta dhe pyjeve me ujë të gurgulluar. Zemra e tij zjen për varfërinë dhe mjerimin migjenian që ka pllakosur vendin, për politikat e këqija që kanë krijuar prapambetje shoqërore dhe në këtë këndvështrim herë mes paralelizmave e herë simbolikës autori jo vetëm që paraqet realitetin grishës sikurse është, por bën thirrje për më shumë mirëkuptim dhe programe sociale, vetëm e vetëm që ky hendek i krijuar, ky fenomenin negativ të zbutet dhe të bëhet sa më human. Që në fillim ndeshesh me formën klasikë të vargjeve në strofa të rregullta dhe muzikalitet fjalësh, stil ky që ndjek rrjedhshmërinë fjalë të gurrës e tabanit që e ka lindur dhe kështu herë përmes formave të tilla e herë leksikut krahonizëm ngre ato tablo të bukura, të cilat të shëtisin në vise të bukura, por dhe të trishtojnë për fatalitetin e jetës që zhvillohet atje, larg mundësive jetike e minimale.
 
Veron Hoxhaj
 
Autori si penë e ndërgjegjëshme qendërzon atdheun, e ngre atë në kult, e përshkron me gjithë fuqinë e shpirtit dhe mbetet përmes krijimeve tek kjo atdhedashuri e flaktë, por pa anashkaluar dhe problematikën që e shoqëron, plagët shoqërore, të cilat i pasqyron plot shqetësim e dhimbje. Familja zë vend të rëndësishëm dhe kap tjetër tematikë, qoftë në planin etik si qeliza bazë e një shoqërie të shëndoshë, por dhe si ndërtim harmonik e traditacional të vetë proçesit jetë. Fati i jetimit është një tjetër temë e mprehtë shoqërore, e cila herë e vendos atë në mëshirë të fatit duke lypur për të siguruar mbijetesën, por dhe herë të përdorur e keqtrajtuar rrugëve në shërbim të tutorëve, të cilët kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore dhe e shikojnë këtë kontigjent si mundësi shfrytëzimi për interesa të ngushta e meskine. Në këtë kontekst autori këmbëngul fort dhe dënon vesin, por hap dhe debatin institucional që vetë shoqëria të shikojë mundësitë dhe të krijojë shanse të barabrta për rritjen dhe edukimin e tyre. Tradita e shkuar zë sërish një vend të rëndësishëm dhe kjo jo në kuptimin konservator, por të nxjerrjes në pah të asaj gjurme, që na ka përfaqësuar dhe na bën të ndihemi krenarë. Edhe gjuha e fabulave vjen shumë natyrshëm, sinkronizuar nëpërmjet gjuhës së kafshëve duke përshfaqur kështu karakteret njerëzore, karaktere që i ironizon për fallsitetin dhe lakminë gjithmonë e në rritje. Së fundi autori i këndon dashurisë njerëzore, si vlerë dhe virtyt, si pastërti shpirti dhe ndjenjë që e lartëson qenësinë dhe zbardh të tjera ngjyra në jetën e tij.
 
Autori Veron Hoxhaj përmes librit “ Rrugëtoj mbi varg” vjen me modesti, por me shumë dritëthënie në shpirt dhe si i tillë ai mbetet portret i thjeshtësisë fjalë, mallit të patreguar, dashurisë për vendin ku u rrit dhe dhimbjes njerëzore.
 
Fjala e readaktorit: Agron Shele

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s