Poezi nga Ferit Rama

Poezi nga Ferit Rama

 

NË PYLL

Hyra me kravatë e me kapelë
në pyllin e madh e hijerëndë,
po kravatën ma çorri në ferrë
e kapelën ma rrëzoi me pëllëmbë.

Ndaj pyllin, i fyer, e pashë,
gjë pa sharë s’i lashë gjëkundi;
më pas, në të thella, kur rashë,
peshë e fajit vetiu më mundi.

E jeta m’u shfaq, sa kam rrojtur,
fëmijë, i ri edhe plak…
Dashuria për të s’më qe zhvoshkur
e malli për të nuk m’u mpak.

Sa herë në gji i vajta pyllit
e si gjyshit në prehër i rashë,
për mua në vjeshtë i ra fyellit,
në verë bëri fresk me erashkë.

Më dehu me tërfil, trëndelinë
e mëndafsh më shtroi nën këmbë,
e më zgjoi një botë me bilbilë,
e ma mbushi shpirtin me këngë.

Sot erdhi, më nguci shejtani,
siç ndodh me njeriun shpeshherë;
kur vetë bën proçka virani,
s’i qas e i hedh mbi të tjerë.

Gjyshi pyll i ditka të gjitha,
nuk mbajtka inat si njeriu;
pendimin në sy po ma shihka,
ndaj më prek me gishta veriu.

Gjinar- Shëmhill, 22 ; 27. 05. 2004

 

KTHIMI I MËRGIMTARIT

Gur i rrugës nuk më dashka,
kur u çikka, ikka, shkaska,
qen i portës nuk më qaska,
po më lë të pres përjashta.

Po veç nëna, oh, veç nëna,
ma njeh zërin që nga brenda,
qan e qesh si mendjelëna,
një mijë gaze, një mijë brenga.

Gur, o gur, dhe ty të desha,
ta kam ndjerë mallin në eshtra,
shtyva vera e shtyva vjeshta,
mbajta veten me gënjeshtra.

Qen, o qen, të rëntë tërboja!
Ç’besë ke? Si më harrove?
Pse po leh, t’u thaftë goja!
Që këlysh m’u qepe rrodhe.

Qeni nis më prek me këmbë,
fërgëllon si shpirt njeriu,
guri gurit i çon zënë,
porta qeshi a trokëlliu?

Po del nëna, oh, del nëna…
Ç’dritë mbi krye m’i ka rënë!
Përmbi ballë i ulet hëna.
Thotë fjalë a këndon këngë?

Nënë, moj, sa herë të thirra,
pranë t’i ndjeva sy e dorë,
në të liga e në të mira,
zëri yt më ndezi horë.

Nënë, moj!

( Nga libri ” Harlisje” )

 

KAM FOLUR ME ZOTIN

Me buzën vesitur me lëng trëndafili,
me faqen e shndritur me brymë e me vesë,
fundvjeshtës së mardhur m’i ndez zjarre prilli,
me dorën – puhizë më mban të mos vdes.

Ti frikë mos ki, jam fjalosur me Zotin,
që vdekjen ma shtyn me më të lartin kusht.
“Të dija,- më tha,- për burrë të devotshëm…
Ç’dreq pune na qenka, edhe plak, edhe pusht?!”

Dhe gishtat m’i nguli në fyt si çengel,
u ndez e u nxi, edhe buzët përveshi.
“Hajt, jetën ta zgjat,- tha,- plak teveqel,
në fund, do të vuash më keq se sa Krishti…”

Dhe ika sandejmi, dhe erdha këtu,
dhe tmerret e Krishtit më frikë s’i kam,
se dritë do marr, moj, prej syve të tu
dhe buzët e tua m’u bëfshin balsam !

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s