Vladimir HOLAN
(16 shtator 1905 – 31 mars 1980)
Kalendari poetik:
Më 16 shtator është data e lindjes së poetit çek Vladimir Holan (1905-1980). Është njëri nga poetët çekë më të njohur, në vitin 1960 qe kandidat për çmimin Nobel. Përzgjodha këtë shqipërim në 112 vjetorin e lindjes së Poetit:
DO TË TË FLISJA ME SHUMË DËSHIRË, POR S’MUNDEM
Do të të flisja
për ato re të ngjyera në të kuq
si thonj të rremë që natën hiqen.
Do të të flisja
për atë mbulesë blu
që është deti, krruspull ndër mendimet e mia.
Do të të flisja
për atë hënë të çmendur
që me ëndrrat e pafajsisë shqyhet gazit.
S’mund të të flas për poetët që u shpallën të pafajshëm,
as vargjet e tyre s’mundem t’i shfajsoj.
Sepse, dhe në qoftë e vërtetë parajsa,
kjo s’do të thotë se është prej vërteti.
S’mund të të flas për pemët që prej dhimbjes gjethet rrëzojnë,
as për barin që shpresën rrit.
Sepse, edhe mashtrim në qoftë ferri,
kjo s’do të thotë se është i rremë.
Kaq po të them,
me jetë ushqehu sa është e vërtetë
edhe pse s’do të thotë se është prej vërteti.
© shqipëroi Maksim Rakipaj