THELLËSIVE TË PËRJETIMIT POETIK : Zamira Hysenaj (Agalliu) “Mall i arratisur”, poezi, SHB “Educafer” Ferizaj, 2017 / Nga: Rrahim Sadiku

THELLËSIVE TË PËRJETIMIT POETIK

Zamira Hysenaj (Agalliu) “Mall i arratisur”, poezi, SHB “Educafer” Ferizaj, 2017

 

Nga: Rrahim Sadiku

Përmbledhja “Mall i arratisur” e poetës Zamira Hysenaj (Agalliu) është e rrallë përnga thellësia e përjetimit poetik dhe përnga pasqyrimi shpirtëror i ndjenjës. Ajo gjithnjë reflekton dashuri e kërkim, duke e pasur në horizont të paarritshmen dhe të parealizueshmen jetësore e duke jetuar e përjetuar realitetin jetësor, shpesh jo edhe aq të këndshëm. Në këtë pamundësi realizimesh e në këtë etje për të përkryerën shpërthem malli, vuajtja, shpresa. Dhe ato te poetja dalin si “legjendë a komedi brenda shpirtit” (f.24). Zamira është krijuese e kërkimit të pandalshëm, duke i stërholluar mendimin, ndjenjën dhe synimin, për të krijuar artistiken ashtu si ia duan shpirti e mendja. Ajo sikur gjendet vazhdimisht duke e kërkuar të përkryerën brenda ligjërimit poetik e në kohën e saj. Dhe, përkundë dhembjeve, vuajtjes e rutinës që shoqëron të jetuarit, ajo në vete ruan, ushqen dhe reflekton dashuri. Andaj shpesh na bëhet se gjithë jeta e poetës është krua dashurie dhe se ajo ka hyrë në poezi e përjetësohet aty:
“Unë jam ndryshe,
Jam femër!!!
Dashurohem pas fjalës
Të dua!” (f. 18)
Nga poezia në poezi, nga vargu në varg, takohemi me formën poetike dhe paformën që shoqëron njeriun në rrugën e tij plot etje, shpresa e dështime:
“Ishte diҫka si statujë e vjetër
E gjymtuar, pa krah, pa këmbë e pa kokë”. (f.19)

 

Mall i arratisur

Përfytyrimi artistik dhe shpërfytyrimi jetësor shpesh takohen në trishtim, skajeve të kundërta, ajzbergëve të shpirtit, orëve të ngrira, atje ku pret mbarimi. Aty ku “Sa zemra e djegur akullnajë mbeti.” (f.23). Megjithatë, ka edhe pikëtakime ku shpirti bëhet stoik dhe jeta sfidohet me ndjenjë lumturie:
“Vesë e pafund hyri nën lëkurë
Dhe e gjelbëroi ҫdo qelizë
Në fund të fundit quhet natyrë
Kur ndjenjën mbjell si një filizë. (f. 27).
Një nga këta filizë, i mbjellë me dashuri e përkushtim, është Kanina, vendlindja e poetes, një perlë bukurie afër Adriatikut, ku prej vetëvetiu natyra këndon me hiret e saj të përhershme dhe ajo, edhe kur nuk përmendet, është e pranishme në vargjet e Zamirës e sikur ndjell muzat frymëzuese dhe sikur sfidon botën krijuese me rrufetë e ndijimit e shpërthimit të artit të fjalës.

Poetja gjithmonë ka ndijesinë e shpërthimit krijues nga secila pore e trupit të saj, sidomos nga sytë, nëpër të cilët i lexohet fjala dhe për ato momente ajo sikur bëhet një me lulet që nuk thahen as nga stina e as nga ndryshimet tjera. Këto lule që nuk vyshken e mbulojnë edhe personazhin lirik të Zamirës dhe e largojnë atë personazhin që vret ëndërrën e që ngjall pikëllimin. Njihemi kështu me atë që na del vargjeve si një frymëzues, nganjëherë platonik e mandej shumë real, po disi gjithnjë i veshur me petkun e adhurimit, mirësisë dhe mirëkuptimit. Ky personazh del shpesh në duel me të ligun dhe e mund atë dhe ajo pyet:
“A mos është tepër vonë o jeta ime
Për këtë shtegëtim tejet të bukur” (f. 63)

 

Zamira Agalliu

Frymëzimi i Zamirës sikur nuk largohet dot nga malli. Malli për ditët e ikura, për synimet e mbetura prapa dhe për kohën që nuk do të dijë për fate të tjera. Rrjedhat e mallit sikur e bëjnë atë më të përkushtuar për jetën, për vargun dhe për dashurinë. Edhe në momente trishtimi, edhe në pikime lotësh, ajo nuk e mërgon mallin dhe etjen nga vetja, duke mos lejuar të mbetet e trishtuar dhe e pangushëlluar:
“Dua t’i mbjell kësaj toke tani
Pak dashuri që ҫelë nga një fjal’” (f.72)
Me mallin janë edhe kujtimet, ato fije që poteen e lidhin me më të afërtit e më të dashurit, kur poetika sikur gjen një shtrat të ri dhe një gurgullimë ndryshe ndodh e dëgjohet në brendi e në jashtësi. Kjo gurgullimë mundëson të hidhet tej trishtimi e të ushqehen ëndërrat e bardha:
“Të linda biri im, në një vend të bekuar
Aty natyra ka bërë të tetën mrekulli” (f. 83)
Ky vend i bekuar bëhet sinonim me Vlorën:
“Ëndrrat në Vlorë
Ikin me zbaticën
Duke marrë me vete edhe bregun
Drejt perëndimit
Unë pres baticën
Me shpirtin e mbushur me vargje
Të nis drejt deteve
Këngën e detarëve
Këngën e ikjeve
Këngën e ardhjeve” f. 105)
Këtë vështrim të shkurtër për librin mbushur magji poetike të Zamira Hysenajt (Agalliut) do e kisha përfunduar me konstatimin se muza poetike e kësaj ka shpalosur një talente të veҫantë, një krijuese të përkushtuar, e cila duhet përkrahur dhe poezitë e saj duhet përhapur dhe vlerësuar.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s