Bëmat e partizanit Metkë / Tregim nga Sabina Darova

Bëmat e partizanit Metkë
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
E kush ia vinte veshin tim eti, ndërsa fillonte e tregonte bëmat e tija partizanllëkshe, sa herë që mbiledhishem darkave kur vinin nga larg kusherinjtë tanë? Për ata ishte argëtuese sepse ishte mjeshtër për të rrëfyer histori. Ndërsa për mua lodhje. I njihja përmendësh. Por, historia që kishte më shumë kërkesa, ishte historia e këpucës së partizanes. Me këtë histori, ai kreu heroizmin e pa parë të tij gjatë periudhës së Luftes Nacional Çlirimtare, ku sherbeu për rreth 9 muaj. Ngjarja, sa herë që tregohej riformohej, shtoheshin elemente të rinj, figura letrare pa mbarim, por mbi të gjitha ndryshonte gjendja emocionale e tim eti, që kish aftësi teatrale e bindëse si një aktor i vërtetë. Po si nuk lodhej kurrë?! Një herë, mendova të filloja numërimin e varianteve, por shpejt u lodha e hoqa dorë. Aq, sa fillova të mos i besoj më dhe e interpretova si një krijim të mirëfilltë të tij! Mjet për të justifikuar qëndresën e atyre muajve mbi male. Kujtoj kur mblidheshim rreth tavolines së varfër, mbi të cilën nuk mungonte pjata e pilafit me një copëz mishi sipër. Shenjë mikëpritjeje ku gëzonim më shumë ne fëmijët se sa miqtë. Shkaku ishte arësyeja e ushqimit të racionizuar që merrnim nga shteti socialist në ato kohë. Nuk mungonte sigurisht dhe gota e rakisë për burrat. Rakija sillte dollinë dhe dollia e parë ngrihej për Partinë dhe shokun Enver. Kur ngrihej kjo dolli, shoqërohej me shkelje syri midis të rriturve, e ne të vegjlit nuk arrinim kurrë ta kuptonin përsenë. Raki,dolli,shkelje syri njëra mbas tjetrës. Aty nga mesi i darkës, kur efekti i rakisë kish ndezur jo vetëm gurmazët e rreshkur të burrave, por edhe mendjet e rrudhura nga vuajtjet, im atë përgatitej të fillonte aktrimin e zakonshëm. Kërkonte gjithmonë bashkëvëmendjen në tavolinë si në një sallë teatri.
Ooooo e tani ja ku jemi, mendoja me vete, rifillojmë.
Nën driten e qiririt sepse në ato kohë më shume kishim dritën e qiririt se elektriken, skena ishte sugjestive. Edhe pse Partia mburrej që na kish siguruar dritën, nuk arrinin të mbulonin të gjithë harkun ditor, e kështu Partia, na i jepte dhe na i merrte dritat njëlloj si me ushqimin. Racionizim dhe disiplinë. Djetë të hekurt.
Drutë këcisnin në sobën e vendosur në aneks, e im atë me vështrim të përhumbur niste tregimin me bëmat e tij gjatë luftës.
Këta ( bëhej fjalë për partizanët), kishin lajme shumë të sakta, nuk e di se nga ju arrinin, por për gjatë gjithë periudhës që qëndrova në brigadë, të gjitha lajmet që vinin, ishin të vërteta.
( Mendoj se e vetmja fjali e përbashkët e tregimeve ishte kjo, dmth fillimi).
” Luftës po i vinte fundi. Koha kur gjermanët tërhiqeshin drejt Greqisë. Na lajmëruan që ditën e premte, do kalonte një autokolonë gjermane. Shtabi i brigadës mori vendimin për ti bërë pritë. Nisemi pa gdhirë për të hapur llogoret. Binte një shi i rrëmbyeshëm që na e mori shpirtin gjithë kohës. Pasi i hapëm llogoret dhe vendosim pushkët, qëndrojmë po aty në pritje të autokolonës. Sic ishte parashikuar, ashtu ndodhi. Në orën 18,00 të darkës dëgjojmë zhurmën e rrotave të kamionëve zinxhir njëra pas tjetrës, nën zhurmën e vazhdueshme të shiut. Komandanti jep urdhërin të qëllonim: -Zjarrrrr!”
 
( këtu ishte pika nevralgjike e tregimit, ku ngrija veshët për të kuptuar cilin variant kish zgjedhur im atë për rrëfim).
 
” Menjëherë, filluam të gjuajmë me pushkët tona pam pum pa ditur se c’drejtim merrnin fishekët për shkak të errësirës. Autokolona gjermane u ndal. Fikin dritat dhe për dy minuta që na u dukën një jetë, nuk pipëtiu asgjë. Mbi kryet tona već kur shohim drita shumëngjyrëshe që drejtohen me breshëri si fishekzjarret në qiell. Shyqyr që kishim hapur llogoret, ndryshe do na kishin shuar me një përplasje qerpiku. Ishim jo më shumë se 30 partizanë. Lufta jonë, gjermanëve ju dukej si një aksion lufte që improvizojnë fëmijët në oborr të shtëpisë. Pa menduar dy herë, ngrihemi nga sytë-këmbët për tu tërhequr e shpëtuar kokën. Në djall vetëmohimi, në djall Partia, e në djall kushdo qoftë! Kokat tona ishin më të shtrenjta. Rruga drejt kthimit ishte e ngarkuar me baltë dhe lëvizjet të ngadalta. Kur mbasi kishim kryer një pjesë të rrugës, dëgjoj zërin e një shoqeje partizane, e cila bërtet me të madhe:
– këpuca, këpuca! Më ka mbetur këpuca në llogore.
( nga ky çast merr flatrat fantazia e tim eti e vazhdon)
” Këpuca? Po kjo është një gjë e tmerrshme, i them. Si mund të bësh pa to?
Mendova se kish ardhur momenti im. Duhej të tregoja përpara shokëve e shoqeve partizanë guxim dhe vetemohim siç kerkonte Shtabi. Duhej të demostroja edhe besim. Ngre zërin dhe shfaq vendimin që do ja risillja unë këpucën. Ju rrah gjoksin përpara syve. Shokët më kërkojnë të hiqja dorë nga kjo ide e çmendur sipas tyre, por unë, doja tu tregoja që nuk kisha frikë dhe gjithashtu dëshiroja ti dimostroja shoqes partizane që nuk me tutej syri.
Kthehem mbrapsht për të rigjetur këpucën. Kërkoj përgjatë llogores, por ishte e kotë, nuk e gjej. Dhe jo vetëm që atë nuk e gjeta, por lashë dhe të miat, të cilat u hapën si gojë ujku dhe fusnin ujë si me pompë brënda në këmbë.
I mërzitur dhe i lodhur kthehemm nga kisha ardhur. Shokët më qeshën nën buzë. Gjatë natës, ndërsa strehoheshim në shtëpinë e një fshatari bujar, mu ngrit temperatura e cila nuk dinte të ulej. Mbas dy ditësh agonije më sjellin një doktor. Ka malarjen, diagnostikon.
“Partizani Metkë, ti duhet të kthehesh në shtëpi, këshillon.”
Kështu mbaron aventura e luftës për mua. Kthehem në qytet dhe për fatin tim të mirë kurohem me ilaçet e ardhura nga Italia, babait të mikut tim të ngushtë, Rexhepit. Por dhe kjo është një histori për një herë tjetër….
Psherëtima që ndiqte fundin e rrëfimit nuk kuptohej se ç’emer ti vije, kënaqësi apo hidhërim për dështimin e tij si hero?!
“Dajo, – i kërkonin kushërinjtë e mi tim eti, po me partizanen çu bë, e qeshnin mes tyre.”
( ehmm, e ç’nuk u bë, thuaj, mendoja unë me veten time).
” Ehhhh, vazhdonte ai. Ajo kish një tjetër vëlla partizan, të cilin e vranë rinia e ballit kombëtar në një aksion në të cilin merrte pjesë dajua tjetër i juaji, e që ju nuk e njihni sepse është akoma në burg. Heroizmi i këpucës nuk ndihmoi aspak për të rregulluar biografinë….
Ai heroizëm nuk ndihmoi as mua tani që po e tregoj, sepse nuk dita kurrë se çfarë të bëja me atë histori. Fëmijë, nuk munda ta tregoja për tu mburrur me partizanllëkun e tim eti, siç bënin shokët e tjerë ,ashtu dhe as të besoja që partizanët gjatë luftës kishin qenë luanë të vërtetë e që nuk kishin braktisur kurrë llogoret , siç na mësonin librat e historise së Partisë.
Për bëmat e partizanit Metkë, sigurisht që do vazhdoj ti rrëfej akoma dhe herë tjetër…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s