Tri dashuri që bëjnë një shpirt poeti / Nga: Safet Hyseni

Tri dashuri që bëjnë një shpirt poeti


Nga: Safet Hyseni

Poeti i vërtetë ecën nëpër shkrepat, shtigjet dhe le gjurmë me fjalë që burojnë nga shpirti, kaliten nga zemra e rrjedhin nga drita e syve. Këtë në mënyrën më të bukur me art dhe me shumë shpirt na e sjell poeti Agron Shele. Poetët janë emancipimi i shpirtit, janë vetëdija, janë vetë dashuria, janë përjetësia. Poeti i vërtetë shpirtin e provon me tri dashuri.
Fjala bënë çudira. Fjala ka peshë, ka fuqi, ka bukuri… Poetët ia dinë vlerën, duke e peshuar i japin forcë të rritet mendimi, ideja… të jetojë, madje dhe të përjetësohet. Poeti ka atdhe, lavdëruar qoftë ai që ka atdhe. Atdheu është dashuri. Është thënë qëkur se “nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu” (Odiseja). Fjala ka gjuhën, gjuhën ku lindi, nëpër frymën e së cilës rrodhën tingujt, ninullat, aty ku lindi përjetoj dashurinë, aty kërkon të jetojë. Në qiellin e saj të fluturoj, nëpër pyjet të tingëllojë e lumenjve të vallëzoj e në ndjenjën e shpirtit të depërtoj. Ketë e bëjnë poetet si Agron Shele… Filozofi antik Lukiani thotë: “Çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, i rrit dhe i edukon”. Poeti e vendos veten në sprovë duke mat dy dashuri e treta është urtësia.
Poeti Agron Shele udhëton bukur në dashurin e parë. Ai i përmbahet ëndrrës fëmijërore kur ka shëtit meridianëve herë si zogë në fluturim e herë si përshkrues i bukurisë së natyrës. Në poezinë ë tij “Gjuhë nga gjuha e nënës sime” pas shumë udhëtimesh ku ëndrra e bart nëpër bukurit e panumërta ai sërish zgjedhe vendin e vet. Lukiani thotë: “Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por për të dashur të gjithë duan atdheun. Poeti i formuar ngjan më vargun e Agronit “…s’ harroja të ndiqja trajektore avionësh/ lundruar përmes /thellësisë blu / dhe unë, /një grimcë e vetme hapësire/ të zgjodha ty o vendi im!” Atdheu është dashuri e parë. Ende pa puthur ne dashurohemi në lulet, gjethet, malet, tek gurgullima e një burimi apo shushurima e një përroi. Këtë dashuri me fjalën e bukur na e sjell në shpirt vargu: “ndërsa unë, si në kryqëzimet e mëdha/ nuk kërkoj më shumë se një copë qiell/ një përrua të vogël, /një pyll që ndjell fëshfërimën e largët, /një cicërimë të munguar harabeli, /pak maja malesh përqafuar nga bora/ dhe gjuhë nga gjuha e nënës sime!” Arti dhe fjala e bukur nuk ka fund por vargu “dhe gjuhë nga gjuha e nënës sime”, është gjetja më e bukur që ndjenjës i jep dashuri për të përjetuar kujtimet e për të ruajt e kultivuar gjuhën e nënës, se vetëm aty malet, gjethet, përroska sikur flasin gjuhën e nënës se aty është dëgjuar tingulli i parë.

 

Agron Shele si me qëllim dhe pse jo na e sjell dhe dashurinë ë dytë që është “grua”. Poezia “Dijeni, se aty është një grua”. Ai që nuk di të dashuroj një grua, apo nuk e njehë se gruaja është dashuria e dytë vështirë e ka të ketë dashuri të parë se të tretën dashuri as që do e provojë. Është një poezi e bukur ku çdo fjalë ka peshë, çdo varg ka fuqi, se aty është një grua. “Kur dielli shkëlqen në zenit të tij/ e toka prarohet rrezeve pa fund,/ ku aromat përhapen gjithkund/ e dita çel me të bukurin shkëlqim/ dijeni, se aty është një grua.” Po aty është gjallëria, aty është një grua. “Kur mbrëmja përflak të bukurin qiell/ e muzgjet digjen një e nga një, /ku hëna zgjat të zbehtën ngjyrë/ e në krahë valësh shkrihet e fle/ dijeni, se aty është një grua.” Si të thuhet më bukur, aty është një grua, aty është gëzimi, hareja… aty është jeta. “Kur zjarri ndizet kurmit yje/ e terret djegin dhimbjen shpirt,/ ku nata sheh me sytë e ëndrrës/ e derdhet valë përmbi çdo frymë/ dijeni, se aty është një grua.” Aty ku është një grua, aty është një nënë, aty është dashuria, aty dhemb e djeg, aty është fryma. Në këtë vargje matet sa e fuqishme është fjala kur ia gjen vendin, kur ia di tingullin, kur ia shpalos gëzimin e dhimbjen, krenarinë e dashurinë. E bukura s’ka fund, e bukura është grua e Agroni na e sjell jo më pak se engjëll. Gruaja si dashuri e dytë e së bashku me të parën bëjnë të tretën. Edhe dashurin e tretë poeti na e sjell në mënyrën më të bukur filozofike. Me vargjet e poezisë “Kur heshtja flet” poeti sikur donë të na e masë urtësinë. Urtësia nuk është asgjë tjetër përveç që të kesh ecur me zjarr zemre e bardhësi shpirti përmes dy dashurive të para. E para atdheu që bënë lirin e të dashuruarit të një gruaje ku jeta vallëzon bukur dhe hareshëm ndërsa e treta le gjurmë të pashlyera që arrin ta përvetësojnë shumë pak. E pakta është se dashuria e tretë është përjetësia. Përjetësia është vepra që matet me urtësinë. Metafora “Kur heshtja flet”, është urtësia, se vetëm i arriri me heshtjen e ti flet. Autori thotë se “heshtja flet në njëmijë mënyra” që është më se e vërtetë, por i duhen vesh për ta dëgjuar, ata që nuk dinë ta dëgjojnë nuk do arrin të kenë asnjë dashuri. Poezia fillon bukur por përfundon dhe me bukur; “Flet heshtja,/ po, po,/ flet me klithma të egra shpirti/çjerr netët e ftohta të dimrit/ e gris perdet e tista të ditës!” Poeti Agron Shele me këto tre poezi na dëshmon për një stil tejet të lart ku fjala po t’ia gjesh vendin e duhur bënë art të përkryer, po t’ia japish ngjyrat të bënë të shohësh dhe në errësirë, po t’ia japish ndjenjën të shndrit shpirtin e dashurinë ta bënë të lezetshme, po ti japish fuqinë e idesë do kërkosh përjetësinë. Tri dashuri e bëjnë përjetësinë, atdheu gruaja dhe urtësia.

Gjuhë nga gjuha e nënës sime

Shumë ëndrra ndjekin pas rininë time
botën, kur para sysh e afroja
shikoja meridianët si ndanin kontinente
dhe paralelet vijëzuar ndër oqeane
s’ harroja të ndiqja trajektore avionësh
lundruar përmes thellësisë blu
dhe unë,
një grimcë e vetme hapësire
të zgjodha ty o vendi im!

Aty në vendin ku jetoj,
qyteti përhumb para madhështisë
mes statujash e ngjyrimeve të pafundme dritash
autostradave me lumenj makinash që gjarpërojnë
vragave të krisura të tokës,
ndërsa unë, si në kryqëzimet e mëdha
nuk kërkoj më shumë se një copë qiell
një përrua të vogël,
një pyll që ndjell fëshëfërimën e largët,
një cicërimë të munguar harabeli,
pak maja malesh përqafuar nga bora
dhe gjuhë nga gjuha e nënës sime!

 


Dijeni, se aty është një grua

Kur dielli shkëlqen në zenit të tij
e toka prarohet rrezeve pa fund,
ku aromat përhapen gjithkund
e dita çel me të bukurin shkëlqim
dijeni, se aty është një grua.

Kur mbrëmja përflak të bukurin qiell
e muzgjet digjen një e nga një,
ku hëna zgjat të zbehtën ngjyrë
e në krahë valësh shkrihet e fle
dijeni, se aty është një grua.

Kur zjarri ndizet kurmit yje
e terret djegin dhimbjen shpirt,
ku nata sheh me sytë e ëndrrës
e derdhet valë përmbi çdo frymë
dijeni, se aty është një grua.

Kur bora zbardh lëndinën e drerëve
e era shtrin leshrat e gjatë,
ku pylli zhveshur nga blerimi
dergjet trishtit të pafat
dijeni, se aty është një grua.

Kur flatrat zgjat i bukuri engjëll
e turret larg në fluturim,
ku retë mbledh e nis vajtimin
në lotë qielli të pafund
dijeni, se aty është një grua.

 

Kur heshtja flet

Flet heshtja
me njëmijë e një mënyra
fshehur pas vetëtimash të frikshme
vrundujve të mjegullave hije,
në pritje të shpërthimeve të mëdha
shkarkuar në një pemë të vetme
e djegur përvuajtjes së saj.

Flet heshtja
përbrenda zërave të shuar
dëgjuar veç nga era
e shpërndarë ajrit të thatë
pa akorda,
as tinguj,
pa zhurmë
në të vetmen botë të errët
të një qielli të ngrirë
grimcave të kozmosit shpërndarë
reflektim i ngjyrës në retinë.

Flet heshtja,
po, po,
flet me klithma të egra shpirti
çjerr netët e ftohta të dimrit
e gris perdet e tista të ditës!

 


 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s