Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti

 

 Hyjnesha e Tokës

Dita ka nevojë për përkëdhelje,
Njësoj sikur se bebet.
Nata lodhjen e vë në gjumë.
Burri është i rrëmbyer pas dëshmisë
E egoja me ndërgjegjen s’bëjnë lum!

Nuk ka çfarë të thuhet për Damën.
Të gjithë në rresht!
Ajo parakalon skaj jush;
Ndero me përulje!
Ajo është shenjtërimi që mbin në prush!

Toka s’e ka më Zeusin suprem.
Ai mbeti sundimtar për mitologjinë.
I la vetëtimat amanet në malet Akrokeraune,
Kujtimin për gruan e lartësoi në Hyjneshë tokësore;
Si dhuratë që Rea e shpëtoi nga vdekja;
Personifikimi i shpirtit të etur njerëzor
U shndërrua në tempull për dashurinë!

Burri u bë me mision kuptimplotë.
Është roja i përvuajtur i Damës;
E mban në duar brishtësinë e saj,
E ndjen i dridhur me frymëzim,
Me vrazhdësi të epshit shtazarak
Ia pin ata lot.
Dhe gjallërohet Hyjnesha,
Shndrit,
Lind
Për ta përcjellë jetën në tokë!

 

Më saluto me puthjen e fundit!

Me merr për një kohë me vete
Fshehtas;
Asgjë nuk ka kuptim në përjetësi.
Gjithësia rron nga rifillimet e veta!

Me merr në rrugëtimin tënd.
Zotat të mos kenë ide nga ikën ti;
Më fshih midis gjoksit e kofshëve
Dhe në shpirt më kafsho
Kur të jesh lodhur duke më bartur mua,
Të mos të të shpërthej britma!

Ke kohë ta hapësh portën e pasme,
Atë shteg që nuk ka prapakthim;
Kur të më hedhësh prej supeve
Tutje në humnerë,
Më premto
Ta dëgjosh rënkimën e fundit të dritës;
Më pas lëshoi perdet e fatit tim!

Hyjnesha ime,
Dëshira e fundit:
Me puthjen e vdekjes,
Më saluto!

 

Dëbora dietale!

Bota po ikën mbi shtatë pikë pesë miliardë njerëz,
Ata dy që puthën lasgushianqe
Nëpër dëborën e imtë që bie sot,
I njoh prej kohësh,
Atyre u mjafton e vërteta!

Të dashuruar në dashuri, siç thuhet,
E kanë njeri-tjetrin pa çka se hidhërimi i mbulon
Si napëlungë në mjedis të sheshit;
Jo rrallë mbetën me pak gjëra nga jeta;
Lumturia nuk u mbaron as atëherë
Kur lypsarët i ngatërrojnë me sojet e veta!

Mbase askush nuk e mori vesh,
Përse dëbora bie sot e thërrmuar nga dieta?
Mos për t’i konkurruar ata të dy?!
Bën mirë të mos hyjë në garë bukuria e kristaltë,
Përse nuk bie siç ka rënë gjithmonë,
Me shtëllungat e veta?!

Vajzat me sa mall e kanë pritur këtë ditë,
Të përkëdhelen te sheshi «Skënderbe»,
E të puthën me afsh te sheshi «Nënë Tereza».

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s