OLIVIA SHËTISTE ME NJË TË PANJOHUR

 

Nga: Astrit Bllaca

E thirra nga fëmijëria e largët këtë emër. Një lajtmotiv i pareshtur dashurie nuk ka qënë?
Fiona ishte një alternativë. Por Shreku … hemmm gjyshet na kanë shqetësuar gjumin përherë me gogolin. E mbaj mend fare mirë kur ndizje dritën e korridorit, pastaj të dhomës me sy të shqyer nga frika. Kështu që i hoqa vizën Fionës. Bukuroshja e fjetur më regëtiu vetëm një sekondë për t’u zhdukur në harresë. Fajin ja ka mbiemri. E fjetur! Ç’mund të presë një … e fjetur?
Pra Olivia. Më ka pëlqyer silueta e saj e hajthme gjithmonë, sikur të thërriste me kokën e përkulur si një shelg lotues që t’i gjendeshe pranë me çdo kusht!
Olivia mëngjeseve vishej thjesht, me një fustan ngjyrë mjegulle dhe shëtiste aq e heshtur, përhumbur në shpirtin e saj, sa dy pulëbardha e harruan grindjen mëngjesore dhe e vështruan habitshëm. Në trotuarin e ngushtë buzë ujit, mëngjeseve të dëlirta, kur dielli akoma është duke u zënë me retë, ajo nuk lëshonte hije. Sikur s’ishte e kësaj bote. Njerëzit ishin të paktë mëngjeseve dhe një bukuri si ajo, patjetër u tërhiqte vëmendjen. Aq më tepër që nuk ishte vetëm! Po, ka qënë dikur, por tani, jo më!
E mbante kokën të kthyer djathtas në atë shëtitje pambarim. Në fakt ishin vetëm 2 km vajtje deri në atë kashtoren e vockël ku shërbente ajo plaka kokëbardhë me atë mirësinë që i buronte pareshtur nga sytë dhe i shërbente pa i folur. Se, nuk mund t’i flasësh një bukurie si ajo! Për më tepër një pjesëze mjegulle! Ke frikë se në fjalën e parë do të shkrijë e do të tretet si në ëndërr dhe do të gjendesh duke folur me veten. Askush nuk do që ta shikojnë duke folur me veten, apo jo?
Por ajo fliste, ose të paktën buzët i pëshpërisnin diçka. Njerëzit s’mund të ishin të sigurt (të pyetur më vonë, ata betoheshin e stërbetoheshin që kishin vërejtur një siluetë në krah të saj. Bënin edhe kryqin!) sepse buzëve të mjegullta nuk u zë dot besë.
Kur ulej në tavolinë porosiste edhe një raki. Dopio, nga ajo e zonës. Sa raki të mirë që mbanin këtu! Me famë! Por nuk e pinte, e vendoste me kujdes në krah të djathtë. Plaka vinte dorën në zjarr që ato buzë të bukura nuk e kishin puthur kurrë gotën. Po sakaq gota boshatisej. Dora-dorës. Veshët e saj pipëz, të stërvitur nga koha e gjatë në atë kashtore, tregoheshin krejt të pafuqishëm për të kapur copëza bisede.
Kur kthehej ecte pak më ngadalë, me kokën majtas. Në ishte bashkudhëtari imagjinar, apo sipërfaqja e pamatë e ujit që e tërhiqte, zor se mund të thuhej. Po mbase ishte ajo, varka e braktisur buzë bregut. Me pak punë, por bëhej. Sa larg mund të iknin me atë varkë?
Çdo çap në kthim bëhej gjithmonë e më i ngadaltë. Derisa … derisa ndalonte krejt. Sikur një dëshirë e marrë ia prangoste këmbët. Por … nuk mundej. Aty, diçka më pak se 100 hapa ndahej nga bashkudhëtari i saj. Asnjë puthje. Asnjë përqafim. Vetëm një shkulm mjegulle që tretej në ajër, të jepte përshtypjen e një përshëndetjeje. Mirupafshim a lamtumirë, nuk shquhej.
Plaka (e marrë në pyetje nga të afërmit e shqetësuar për shëndetin e saj mendor) u betua se 15 min më vonë, në të njëjtën tavolinë, u ul një djalë. Porositi një dopio raki dhe një turke të ëmbël, po filxhanin e vendosi me kujdes në të majtë, ndërsa dopion e rrëkëlleu, a thua se donte të mbyste një trishtim thellë në gji. Pastaj iku pa parë mbrapa.

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,304,656 hits

December 2017
M T W T F S S
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List