Poezi nga Dije LOHAJ
NEKROLOG PËR POETIN A(BDU)LLAH
Poetēt nuk kanë përvjetor, ata janë të pavdekshëm….
Sot gjethet e pemëve,
Të zbehta valëviten,
Me Zot e Allah,
Me pendën e fundvjeshtës,
Në të fundmen muzë,
Me fjalët plot lirikë,
Me zemrën plot lot.
Sot po shpupuris vargjet nëpër vegim,
Të të gjej këngët e panjohura,
Unë e pashpresë,
E ti vegim i madhërishëm,
Si diell nëpër shkronjat e tua,
Që i jep krah njerëzores
Kuptim bukurisë nëpër kroje,
Me trastën plot vdekje.
Ti po bridhje duke mbjellë vargje,
Me shkronja prej gjaku,
Me fytyrë të mermertë,
Rraskapitur në vargun tim,
Pushon në lirikën e fundvjeshtës,
Pushon poshtë kopshtit
Me muzën prej smeraldi.
Si gjethi,
I këputur nga gjethi im
Në të gjitha stinët
Por, asnjë rrugë nuk është e gjatë
Nëse në fund të saj të pret diçka e dashur,
Si kënga ime,
Me kollën e Migjenit.
ÇDO DITË
Na shajnë gjuhën e shkrimin,
Na mallkojnë kulturën e historinë,
Çdo ditë
Na i shkelin këngët e vallet,
Jetës na i hipin në qafë,
Çdo ditë,
Në pikë të ditës
Na bëjnë të bukur marrëzisht
Deri në vërbim
Deri në shfrenim.
Çdo ditë
Mezi merr frymë jeta.
Duke ia gërryer të kaluarën,
Të tashmes po i prishet zemra.
Pastaj fillon një e qeshur.
Duke duartrokitur përvajshëm,
Na zë në gjumë zgërdhija ,
Pa përfunduar loja
Në spektaklin e dhunës.
Djallëzisht dihet se nuk ka fajtorë
Marrëzisht bukur na i mësojnë
Mëkatet.
NEKROLOG NË PLLAKË ZEMRE
Ka qenë e çuditshme
Dashuria ime për atdheun,
Ka lindur para atdheut,
Para qenieve të gjalla të tij.
Aty u linda,
Aty gjeta të gjitha anët e tij,
Aty zemra më pikonte helm
Dhe lashë gjurmët e mia të para,
Atdheu, këngëtari im!
Një mal,
Një lis i tharë
Nga zinxhirët e tradhtisë.
Një gjeth i thurur kurorë,
Rrotull lisit kërkon rrënjët,
Po ashtu rrotull,
Qajnë shpendët për foletë e dheut.
Lotët ujitin barin mbi varre,
Dallëndyshet nuk shtegtojnë më,
Me zë kukuvajkash qajnë dashurinë,
Thonë dheu i spërkat me rikthim,
Thonë qielli i ka zili,
Thonë foleja që loton,
Thur vargje e histori.
Atdhe,
Sa ka qenë e çuditshme
Dashuria ime për ty,
Me tërë miklothesarin kolosal,
Që kishe e ke.
Atdhe!
Pashë kokën tënde, atdhe!
Më mbulo rëndë
Sa me ujë,
Sa me dhe!








![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply