Poezi nga Seti Vladi
UDHA E LOTIT
Eh, kjo udhë e lotit varur po na rrin,
si malit të lartë, mjegullat me shi!
Po ikën pranvera e tokës sonë rënkuar,
se ç’kope humnerash e presin, kushedi!
Pse ti moj pranverë, kokën i kthen mallit,
lotit rrjedhur krojesh nga bora mbuluar!?
Prapa po len këngët,prushin që nuk shuhet,
merr me vete fjalën e shqipes së pashuar.
Ecën dhimbja jote,udhëve me shkrepa,
nëpër copa hëne, nëpër terre pyjesh.
Ndizen telefonat flasin zemra nënash
me ty pelegrine nëpër xixa yjesh.
Nga pas po len hënën pikëlluar pas një reje,
tokën ëndërrdjegur,thëngjill ndezur brenda.
Se ku po të sos, kjo udha jonë e lotit,
ndoshta pas ylberesh,mbetur në legjenda.
SHALLI
Vështroje gjethet si u iknin degëve,
lotët e pemëve ta shtuan dhembshurinë,
furtuna e erës shallin ta mori,
vrapove pas tij përrenj e luginë.
Kërkove mjegullash, sheshe, korije,
supeve vjeshta gjethet t’i hodhi,
shallin kërkove zaje e rrepishte,
valëve të lumit që sytë t’i vodhi.
Shallin e kuq hedhur për qafe,
dhuratë dashurie ardhur së largu,
e gjete në pyllin e vargjeve të tua,
valëvitej aty, në rimën e një vargu.
NDËRRIM STINËSH
Iku dhe kjo vjeshtë
një grusht diell mbeti,
ikën zogjt’ e gjethet
i zymtë bëhet deti.
Lumenjt’ me lot’ vjeshte
zbresin të ngarkuar,
rrëmbejnë brigje tokash
si ujqër të tërbuar.
Dimri nis vrapimin
malet mbush me re,
dhjetori sjell acaret
thinjat mbjell atje.
Me dimër hëna lyer
pastele bore ndez,
bashkë me harabelët
tek porta po i pres.
AH
Ç’bën ti
me hijen time
sythuar me ëndrra ulliri,
që lëviz me hipotenuzë të gjërë
në çdo cep të shtëpisë tënde!?
Ah,
sa dua të lëshoj
një britmë jonjerëzore
në këtë ngulmim të dhunshëm
fati të rrënuar,
mbështjell
me acarin e dhimbjes
që ngjitet
me potere qiejve!
Kur një ditë të jemë si një varkë
e përmbysur në mol,
nën psherëtimat e hënës
fshehur pas barqe resh’ të zeza
të një nate të çmendur
me litar shirash dhe
vajtimin e erës
që ulërin hapsirave,
lajmëtari i amanetit
hipur mbi krahët e pikëllimit
do të çajë dyert e natës,
të thyej shpatën tënde
të mëkatit …
@seti pezaku vladi
14/11/2017








![Aleksandra Vujisić [Montenegro]](https://atunispoetry.com/wp-content/uploads/2026/11/928261973_2350572135758012_1943544403215100046_n-2.jpg)



















Leave a Reply