DITARI I KLEVISËS / Nga: Agron Mema

DITARI I KLEVISËS
 
Është Klevisa Sulaj, gjimnaziste e vitit të parë të gjimnazit”Haxhi Qehai” të Rrogozhinës. Bën përditë një rrugëtim paksa të gjatë për të shkuar dhe kthyer nga shkolla. Nga dritarja e makinës shikon peisazhe të zhveshura e të veshura me të mbjella e të pambjella, njerëz të papunë e me punë, pemë në lulëzim pranveror e në rrëzim të zverdhur gjethor në vjeshtë sëbashku me zhveshje dimërore por në përballim kryeneç të motit të acartë e plotë suferinë. Shikon makina luksoze, karroca që trasportojnë prodhime e zahire të ndryshme si dhe njerëz që ecin në këmbë me një vegël pune në sup apo një torbë krahëve në kërkim të një pune. Të gjitha këto panorama , herë romantike e herë të trishta, krijojnë imazhe emocionale tek Klevisa adoleshente që jeton mes ëndërrimeve, idelizmit dhe një realiteti që nuk do ta donte kështu. Të gjitha këto përjetime Klevisa ka filluar ti hedhë një ditar të sajin. Një përditshmëri jete me kolorin e sajë. Një bisedë me vetveten, një klithmë dhe britmë për ndryshim, një dëshpërim për pamundësinë e sajë të realizojë një botë siç e ndjen dhe siç duhet të jetë. Ditaret janë dyert e hapura të vetvetes, ndaj në këtë ditar, në shënimet e faqeve të tij, gjejmë Klevisën e vërtetë, ëndërrimet e një vajze në jetë. Tek e lexon ditarin, shikon të ravijëzuara konturet e një romani të dhimshëm, gjen ëndrra dhe ëndërrime vajzërore, qëndrim shoqëror, mesazh filozofik, këndvështrim kritik, aq sa themi se kemi të bëjmë me talent dhe me inteligjencë të zhvilluar të parakohëshme me moshën e sajë. Por ka edhe përjetime romantike, sepse i ka mosha që ajo ka. Këto rradhë ditari, ku Klevisa shpreh vorbullat e shpirtit, ndjesitë e zemrës, shijet e moshës, të ngjanë si shtojzovallet, sepse vetëm shtojzovallet dalin prej ëndërrimeve dhe vallëzojnë në lëndinën luleshumë të përjetimeve, dalin ato si shpërthim dëshirash dhe përfytirim imazhi për të bukurën e përsosur ku si mbretëreshë qëndron zemra e dallgëzuar e një vajze, sepse vetëm ajo zemër di të përfytirojë dhe dëshirojë të bukurën e përsosur të kësajë bote. Ajo që e bën të trishtë ditarin e Klevisës është realiteti i bashkëmoshatarve të sajë që janë hedhur në kthetrat e lypjes dhe braktisjes së shkollës duke gjymtuar të arthmen e tyre. Dhe Klevisa bën thirrje për apel shoqëror në ndryshim të këtij realiteti të dhimshëm. Po më mirë le të flasë vet Klevisa ku shkëputëm një fragment nga ditari i sajë për ta sjellë para lexuesit.
 
 
Nga: Agron Mema
 
 
***
 
“Në këtë fletë ditari duat të bëj një thirrje për shpresë, pasi e shoh si një sëmundje që ka kapluar një pjesë të madhe të shoqërisë. Një plagë e mbetur e cila në vend që të shërohet, po kthehet në një gangrenë kanceroze që gërryen shoqërinë tonë të sotme dhe me shpresa të humbura tek e nesërmja.Metastazat e kësajë gangrene kanë prekur shumë individë të shoqërisë sonë të sotme. Dhe kjo ta prish lumturinë, gëzimin dhe harmoninë, mbjell dhimbje, anemi, anoreksi, ngushtim frymëmarjeje , të gjitha këto në alegorinë shpirtërore dhe në fund ky realitet po kthehet në një vrasës ëndrrash.Kaloj në dëshpërim kur shoh këto pamje të trishtuara dhe kjo është varfëria , që për fat të keq, ka pushtuar qytetin tim dhe jo vetëm. Shoh përditë fëmijë që qëndrojnë në rrugë me dorën shtrirë në kërkim të monedhave pa e kuptuar se ato monedha të hedhura në këmbët e tyre me dorën të shtrirë, gjymton të arthmen e tyre, por edhe falja e monedhave tona ushqen shfrytëzimin e fëmijve. Ndoshta për ata që i hedhin, këto monedha nuk janë asgjë e ndodhta edhe për dikë që i merr janë diçka mbijetese , por edhe mashtrimi e shfrytëzimi. Me qindra fëmijë lypin rrugve qytetve të Shqipërisë dhe botës. Por, për ti qëndruar idesë dhe mesazhit tim, po nënvizoj se shumica e këtyre fëmijve që lypin nuk janë jetimë apo të braktisur nga prindërit. Përkundrazi, një pjesë e mirë e tyre nxiten për të lypur nga vet prindërit apo kujdestarët e tyre. Kjo është më e dhimshme dhe më bën të mendoj e të shkruaj këto rradhë me pikëllim në zemër, dhimbje në shpirt e lot në sy, se lypja e fëmijve, e bashkëmoshatarve të mi, nuk vjen vetëm si pasojë e varfërisë, por shpesh ajo konsiderohet si zgjidhje e konsiderueshme prindërore. Por kjo në miniaturë të fenomenit që ndeshem përditë dhe i hedh sot në ditarin tim. E shoh këtë realitet përditë dhe shpesh mendoj me veten time se pse qënkërka kaq e padrejtë kjo jetë? Ç’farë kanë bërë këta fëmijë ku ç’do derë për ta duket se është mbyllur pa nisur akoma rrugëtimin e tyre jetësor?! Më kujtohen skicat e Migjenit. Edhe sot e njëjta pamje. A thua të jetë ngjallur Migjeni?Edhe po të mos jesh superticioz, me realitetin e përditshëm shqiptar, beson se është ringjallur Migjeni, madje më keq. Pse më keq? Sepse Luli i vocër e gjente cakun për tu ngrohur në diell, por shkonte në shkollë. Sot këta bashkëmoshatarë të mi kanë braktisur shkollën dhe lypin rrugve. Po këta fëmijë kanë ëndrra, por këto ëndrra për ta duket se do të mbeten të pa realizuara, pasi lypja dhe braktisja e shkollës këtë sjellin dhe pa dyshim një të nesërme të mjegullt e të pashpresë që edhe fëmijët e tyre këtë fat do të kenë. Po pse duhet të ndodhij kjo? Pse kështu? Dhe këta fëmijë kanë të drejtën e shkollimit si të gjithë e të jetojnë si të gjithë. Por shpesh nxjerrja në rrugë në rolin e lypsarit, konsiderohet si zgjidhje e leverdisëshme për të rriturit sepse të ardhurat nga lypja e fëmijës janë për ta aq të larta, sa vet prindërit përfitojnë më shumë nga fëmijët kur punojnë vet apo nuk punojën fare. Ç’do ditë kur nisem për në shkollë ndihem tmerrësisht keq kur shikoj bashkëmoshatarët e mi të cilët qëndrojnë pas hekurave në kërkim të një lëmoshe dhe zgjimit të një dëshire për t’u arsimuar. Mendoj me vete sikur ato hekura janë një klon ndarës të vendosur enkas për ta për të marrë dije, sepse shkolla është”mollë e ndalume” që të gëzohen e të arsimohen sëbashku me bashkëmoshatarët e tyre. Njerzit janë në vetvete gjykues nga vet natyra, ndaj dhe kundrejt këtyre fëmijve reagojnë me ashpërsi për përmirësim situatash në politikat sociale e shoqërore. Arsyet u munduam ti paraqesim më lart se pse këta fëmijë janë në këtë gjendje, ndoshta reale apo utopike, por askush nuk i di. Janë të shumta arsyet dhe diçka përmenda më lart e nuk dua të përsërit vetveten, por mund të nënvizoj edhe një kategori që janë të detyruar ti dalin zot familjes, ndonse në moshë të vogël, por prindërit mund ti kenë të sëmurë dhe ata janë shpresa e vetme e familjes. Këtu duhet shteti.Këtu është thelbi i qëllimit tim, ndonse i brendashkruar, tagent e i jashtëshkruar në përfshirje të fenomenit. Prindi gjithmonë është i prirur për investim tek fëmija i tij, por ka edhe raste të lartpërmendura, fenomene erozioni që gryen njerëzimin jo vetëm në Shqipëri. Po mësuesat pse nuk e ngrenë zërin për braktisjen e shkollës nga këta fëmijë? Ç’vlerë kanë leksionet e përditshme kur nuk reagoni në një qëndrim konkret në sensibilizim të opinionit dhe qeverisë, këtë të paktën? Sepse për familjen dhe fëmijët tuaj, ashtu si të gjithë, përpiqeni për një jetë më të mirë dhe për t’u siguruar fëmijve tuaj ç’do gjë që u nevojitet. Shumë mirë dhe ju lumtë për këtë përgjegjshmëri prindërore, po përgjegjshmëria qytetare për këtë kontigjent fëmijësh tek ju ku është? Duhet të ketë zë më të fortë. Shikoj prindërit e mi që punojnë shumë dhe fort që neve të mos na mungojë asgjë, dhe përpiqem të mësoj që ta justifikoj mundimin e tyre. Po nëse prindërit e mi përpiqen të kemi inspirim për të ecur para të arsimuara e të edukuara, po për këta fëmijë kush do ketë inspirim? Ata në përditshëmërinë e tyre të punës së përbuzur ndeshen me bullizmin e bashkëmoshatarve në rrugë. Ndaj, si një dëgjim i një zëri të brendshëm, që gjithësecili nga neve duhet ta dëgjojë, duke menduar se shfrytëzimi i fëmijve në rrugë është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë, do të bëja thirrje, pavarsisht se këtë ditar nuk dihet kur dhe kush do ta lexojë:” “Të bëjmë diçka për ti ndihmuar këta fëmijë. Nëse jemi bashkë tek ky qëllim, asgjë nuk është e pamundur për tu realizuar, kështu na mësojnë në shkollë. Po në jetën reale që ndeshemi përditë, nuk ndodh kështu. Në shkollë mësojmë se si duhet të sillemi me të tjerët, pse indiferent ndaj kësajë kategorie fëmijësh dhe bullizmit ndaj tyre? Edhe në libra lexojmë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, po nuk ndodh kështu. Nuk dua të besoj që me këto doktrina gënjejëm veten. Po ngrihen gradaçela, po ndërtohen palllate, po mbillen pemë, natyrisht që duhen, po kaq e pamundur është që të ndërtohet një pallat për këta fëmijë? Thjeshtë të kenë një strehë? Hajdeni ta bëjmë sëbashku këtë humanizëm të paktën tu garantojmë një gjumë të rehatshëm pas ditës së lodhshme shumëorëshe dhe tu dhurojmë një buzëqeshje. Keni për ta parë se nuk do ketë buzëqeshje më të bukur e mirënjohëse në botë. Jam akoma adoleshente e nuk kam fuqi të ndreq diçka, por kam dëshirën dhe zemrën tek ata, por për këto dëshira ti realizoj , natyrisht nuk ja dal dot e vetme, por askush nuk mund të më ndalojë ti shpreh ato. Janë ndjenjat dhe mendimet e mia, le të jem e vogël, i bëj apel shoqërisë të mbledhë fonde për këta të vobekt duke u bashkuar me kontributin, dëshirën dhe vullnetin tim, pavarsisht se këto ide të miat, përjetime të dhimshme, do të mbeten në letër. Po zbraz shpirtin tim në bisedë me vetveten. As shkolla nuk bën gjë, përveçse disa stendave me citate të varura në koridoret e sajë. Deri këtu mbetëm. Ndërsa jashtë, ne mbarojmë mësimin, bashkëmoshatari ynë pret, ndoshta atë që ne e kemi arritur dhe ai nuk e ka, shkollën, ndodhta bukën e gojës. Ndihem keq përditë me këtë realitet. Këto copëza ditari i ndaj se po shkruaj ç’do lloj thirrje që më vjen e drejtëpërdrejtë nga zëmra, edhe pse është ditar. Është një zë i mendimeve të mia për të përcjellur ndihmën time tek bashkëmoshatarët e mi. Këto fjalë zemre të bukura më bëjnë të ndihem me shpresë se idenë time do ta realizoj një ditë për të ndihmuar sadopak këta bashkëmoshatarë. Është një premtim dhe përpjekje që nuk do të rreshtin kurrë nga ana ime.
Natyrisht që në përmbushje të këtij premtimi , që të jemë më shumë e motivuar tek realizimi, më duhet mbështetja e shoqërisë, e gjithkujt….
 
Klevisa Sula, e diela e parë e dhjetorit 2017
(mbyllet fleta e ditarit?
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s