Poezi nga Bajame Hoxha (Çeliku)

Poezi nga Bajame Hoxha (Çeliku)

 

ELEGJI

Këngë malli

Kushtuar dashurisë sime “GANO”

Afroj data, afroj dita
Plot një vit që ti më le,
Për çdo ditë në lot u mbyta
Malli nga vendi më ngre!

Larg nga ty unë s’mund të rroj
Larg nga buza që më puthi,
Vitet plagë s’i harroj
Dhimbja për ty më këputi!

Kishim diell në zemrat tona,
Kishim kopshte me blerim
Lule blini plot aroma
Trëndafila pa mbarim!

Vitet tona zjarr në qiell
Ditët tona mbushur flakë!
I kërkoj dhe rrotull sillem
Sepse malli më përflak.

Flas me ty me lot në vargje
Loti s’më lë në harrim,
Zoti ty të mban në paqe
Mallit tim, ç’t’i bëj tani?

Shpirt, ta dish, pa ty në jetë
ditët më kthehen në ferr!
S’e pranoj, s’është e vërtetë
Se ti s’kthehesh dhe një herë!

Shpresa është drit` e pashuar
Ti do t’kthehesh në pranverë!
Bashkë me gjethin lulëzuar
Trëndafil si asnjëherë!

Një vit plot që po robtohem
Nuk  po lë gur pa lëvizur,
Derë më derë unë kam trokitur
Nuk e di, tek unë, je nisur?

Po të pres me shpirt e mëndje
Shpresa për një kthim më mbetet,
Të shoh unë buzëqeshjen tënde
Për një kthim shpresa s’më tretet!

Oh, ti thua:- a ke kërkuar
Shpirti im, që unë të kthehem?
-Kam trokitur portë e qiell
Lutjen time kam dërguar.

Lart lutjen e kam dërguar
Lart në qiell, më beso!
Me lotët bashkë shoqëruar
Ia kam lënë Atij në duar.

I jam lutur shumë për ty
Dhe i them: vëj dorë në zemër,
O ma kthe Ganon në gji
O më kthe dhe mua ëndërr!

E madhe plagë s’gjen shërim
As me vargjet, se janë tharë
Dhe s’çoj dot as në harrim
Lotin që peng më ke marrë!

Ti ke thënë që jam poete
Dhe kam mposhtur shumë furtuna,
Ja, s’dal dot unë nga kjo gjendje
Për ty rreh zëmër e mëndje!

Lutje sa shumë kam dërguar!
Shpirti më shkon gjer në re!
Më mbyt ndjenjë e paharruar
Zot pse rroj unë përmbi dhe?

Pres po vjeshta s’ka përgjigje!
Dhjetor i shkuar s’është larg,
Lot e dhimbje për ditëlindje
Tetor i im qe lot e plagë!

Gota më ngriu te dora
Kur më thanë për rreth:gëzuar!
Përmes lotit dy fjalë nxora:
Toke Gano!-thashë-gëzuar!

Unë të pashë ulur pranë meje
Ashtu si një vit më parë,
-Ashtu zemër, gotën ngreje!-
Ti më fole zjarr e mall.

Unë të ndjeja nëpër sy,
Thellë në zemër u drithërova,
Se zëri yt qe po ai,
Po ai që dashurova!

Me forcë zemre dashuria
Si viti që lamë pas,
Në tavolinë aq sa ishim
Vetëm ti ishe plot gaz.

Natën e ditëlindjes sime
Kur unë vonë rashë në shtrat,
Ti në gji sa më shtrëngove
-Jam me ty- the- në çdo hap!

Hapa sytë nata qe pus!
Dorën zgjata të të prek!
-Zemër- the, të kam mbi buzë
Hap pas hapi ty të ndjek!

Më qetësonje mua gjatë
Kur më thoshe: shpirti im!
-Shpirti im, the: ditë e natë
Terrin ti ma bën shkëlqim.

Atë puthjen tënde ndjeva,
Ndjeva shpirtin dallgëshumë,
Eh, o Zot! Sa shumë kujtova
Se me mua qe në gjumë!

Kur vjen ti një dritë më ndez
Thellë në shpirt më bën hyjni!
Më jep forcë e më jep shpresë
Që të ec unë përsëri.

Kam një vit që un` kam heshtur
Dhe pena më  është  tharë,
S’të vjen keq sa shumë jam tretur
Loti fort që më ka ngarë?!

Po ku është kjo pena ime?
Porsi gjethe fishkur larg,
Oh, ka ngrirë si zemra ime
Shpirt im nuk ka më varg!

Do shkojnë ditë do bëhen vite
Pena ime s’do flasë më!
Aty hesht dhe jeta ime
Sepse gjysëm është pa të!

Mund  të shkruajë gjysma ime
Kur gjysma tjetër, s’është më?
Vijnë në mend veç ca kujtime
Gjysma, gjysma dhe asgjë!

Vargjet s’lidhen mungon çelësi
Mungon çelësi dashurisë
Oh, ky çelës, më kish hapur
Gjthë  dyert e poezisë.

Asnjë portë s’më kishe mbyllur
Çelësi  im i dashurisë!
Asnjë ndjenjë s’më kishe ndrydhur
Ti o dielli lumturisë!

Them: do zgjohet  pena ime
Thellë me dhimbje në lëndim,
Që të shpreh unë ndjenjën time
Gjer në lindje-perëndim?

Do të shpreh lotin e zjarrtë
Që pikoi aq fort për ty,
Do t’i shpreh unë plagët qartë
Që më dhembin pa kufi.

E shikoj që vargu s’ecën;
S’di të shkruaj si më parë!
E kuptoj, të gjitha ngecën
Aty te një vit më parë!

Thashë, i more ti me vete
Forcën, muzën, jetën time?
Sa e zbrazur paskam mbetur!
S’shoh asgjë në veten time.

Aty te një vit më parë
Shpirt e zemër m’u copëtua,
Se të desha si e marrë
Ndaj dhe shpirti s’u shërua.

Kur shoh hënën lozonjare,
Në mes yjesh të gjej ty,
Fluturojmë n’qiell e paqe
Të pushtuar gji më gji.

Ti je drita n’qiell me paqe
Ti je zemra larë në flori,
N’ hapësirat lart më lart
Gjejmë fole unë edhe ti!

Dashurinë dhe besën tënde
do ta ruaj si të vetme,
Oh, qe zgjimi i një ëndrre,
Qe zgjimi i treqind netëve!

Nga ky zgjim ndjeva shumë dhimbje
Ku je shpirt buza më thahet,
Të kërkoj në tokë e qiej
Të kërkoj shpresa s’më ndahet!

Dashuri sa shumë të dhashë!
Ndaj s’më hiqesh kurrë nga jeta,
Në sytë e tu  jetën pashë
Rruzullit është e vërteta!

Po ku ece dhe ku shkele
Gjurmë të arta ti ke lënë!
Trim mbi trimat, ndër apele
Dot s’të morën nëpërkëmbë!

Vinin vuajtjet dallgë e fortë
Nëpër kampin e mallkuar
Ti qe trim me besë të plotë
Si për shok’ edhe për mua.

Ngushëllonim njëri tjetrin
Dorë për dore në t’ gjera fusha,
Në stuhi kërkonim diellin
Për fjalë të lirë na thahej buza!

Na mungonte pikë e ujit!
Na mungonte buka thatë,
Gjer në shpirt vinte pickimi
Korb i zi bëhej agimi!

Por në shpirt ne mbollëm lule
Rininë tonë e zbukuruam!
Thellë në shpirt na vinte libri
Thellë vargjeve kënduam!

Tmerrin e kthyem në këngë.
Qemë të rinj dhe të pa thyer,
Djem e vajza anë e kënd
Aromë fushe lulëzuar!

Këngët tona kishin flakë e zjarr
Rreze shpërthimi pafund,
Tani ato këngë o shpirt, o mall
I kërkoj po s’i gjej kund!

Mbeti rinia e freskët mes flakëve
Me ngjyrat e trëndafilit rozë,
Do ta qaj dashurinë mes plagëve
Do më dhemb për jetë e mot.

Mbeta tani si statuj’e trishtuar
Gjithçka më ka ngrirë mbi buzë;
Kërkoj zjarrin, është i pashuar;
Kërkoj diellin thellë në furtunë.

E imja zemër, sa varfanjake!
Kërkon gjysmën që s’është më!
Sillet rrotull po s’di ku qahet
Hesht pastaj, e s’ndjehet më.

Mos më qeshni, më përqeshni
Kërkoj gjysmën që më shkoi,
Kërkoj netët që buzëqeshnin
Kërkoj rrezen të më ngrohë!

Eh, moj zemër sa s’pëlcet
Nga një dhimbje e vërtetë,
Nga një shpirt që u bë erë
Ah, shoh dimër, s’ka më verë!

Eh, o miq sa shumë kam mall
Kam një vit e mbyllur rri!
Nuk e di nëse jam gjallë,
Shpirt e zemër plot sfili.

Nëpër qiell, n’ato dallgë
Përmes detesh  të kërkoj,
Ti o gjysmë më mban gjallë
Se pa ty unë s’mund të rroj!

T’kërkoj ty si yll mëngjesi!
Gjysmën time porsi hënë,
Kërkoj jetën që na ndezi
vallë ku shkuan, vallë ç’u bënë?

Vjen dhe  dimri me dëborë
Gjysma ime vallë ka ftohtë?
Çdo gjeth vjeshte si kurorë
Një nga një bëjnë mburojë!

Loti vallë pse s’bëri punë ?
Që kam derdhur ditë e natë!
Ndoshta ka krijuar lumë
Në kët’ shpirt që ndihet thatë!

Dashuri, sa shumë kujtime
Aromë fushe mbete ti,
Po ç` ti bëj unë zemrës sime
Në këtë dimër plot stuhi?!

Nëpër shtrat akull e ngrirë
Ja, pres gjysmën të më vijë,
I mbyll sytë endem në ëndërr
Vjen ti shpirt dhe shtrati ndri.

Dua ta kthej jetën ëndërr
Aty zemrën kam vullkan,
Aty zemra rreh beng, beng
Aty zemrat puthen mall.

Mbrëmjen e ditëlindjes sime
Ti më erdhe fluturim,
Më dhe gaz e shumë kujtime
Më dhe forcë e përtërim!

Natën e ditëlindjes sime
Pranë më erdhe si gjithmonë,
Më dhe prush e drithërime
Më dhe dashurinë në dorë!

Ç’të vajtoj unë vallë më parë
Ëndrrat që dogjëm të dy?
Apo fushat anembanë
Që punuam unë e ti?!

Grurin kur valëviste era
Ëndrrat tona pa mbarim,
Flladin kur sillte pranvera
N`tonat  zemra  pa harrim?

Miqt` e mi, lotin po mbledh
Që rrëshqet nëpër fytyrë,
Më ka gërryer eh, sa thellë
Shpirtin, zemrën pa mëshirë!

Që të dy sa shumë kërkuam
Nëpër kopsht të dashurisë;
Gushë më gushë ëndërruam
Një ditë të bukur të lirisë!

Kjo dashuri ishte e madhe
Se thellë në shpirt kishe liri!
Nga trysnitë ti s’pyete fare
O trim më mbylle oh, në zi!

Trim mbi trimat rinia jote
Dhe pse ishim në dënim,
Ah, ta dish, më pushtonte
Hapi yt në internim!

Tundej fusha dhe tundej mali,
Kundërshtonte Gani djali!
Trim Gashjan me fletë prej ari
ti s’ ju trembe kurrë dushmanit.

Vije nga familje prijësish
S’kishte pse të trembej syri
Ti hero me rrënjë lisi
I madh mbete, Gani trimi!

Kushtuar dashurisë sime!

 

SHTEGTUAR

Si zogu shtegtar po nisem nëpër vise

Prishur ma kanë folenë në atdhe!

Kokë ulur krahë këputur e pendë rënë

Rëndë në zemër një gur të vënë.

Kaloj dhe kontinente shuar shprese

Më kot kërkoj një fole që s’më nxeh,

Me kohë një fole që e pata ndërtuar

Ndërtuar e kisha në timin Atdhe.

Eh, atdheu im, e di që je lodhur

Pranverë dua të bëhem për ty dhe në eter,

Më beso! Me ty në krah për ditë po endem

Me ty në jastëk kryet dua të vë.

Ah, atdhe, atdhe sa madhështore fjalë!

Dhe dheun, dhe gurin sa të ëmbël i ke!

Si toka pranverën në krahë do të mbaj

Që ti të rritesh, të rritesh, i imi atdhe!

Atdhe, pa çka që ma ke prishur folenë,

Dhe pse askund nuk ka një shtrat për mua!

Ta dish! Unë gjithmonë ty do të dua

Si dhe një copë plisi t’më kesh rezervuar!

 

TRONDITJE

Duke kërkuar Hygoin në raft

Ngriva kur hapa një libër,

Qe shkruar kohë më parë

Një autograf përsipër.

 

E hapa qe fletore

Dikur hedhur në raft,

Në faqen e parë

Qe mbushur

Me kujtime e mall.

 

Lexova një, lexova dy

Dhe ngriva mbi një mbishkrim,

E njoha, më gërvishti në sy

Më shtrëngoi në fyt

Më ngau në gji.

 

U futa thellë fjalëve

Që i lexova dhjetëra herë,

Vallë ke harruar

Që ke lënë një mbishkrim

kaq të thellë?

 

Dhe lexoj me dhjetëra kujtime

Të rinj e të vjetër,

Mes tyre ah sa shkrime

Por ky s’ngjan me asnjë tjetër!

 

Lexoj e rilexoj këto fjalë të nxehta

Dhe kthej kryet më një anë,

Se s’dua as vetja

T’më shoh lotin e vrarë!

 

Ti je këtu mes rreshtave

Dhe mes shkrimit më shikon mua,

Ky shkrim po mi thotë të tëra

Ato që s’ke mundur t’mi thuash.

U preka këtë mëngjes pranvere

Më ngeci mendimi në fyt

Dhe lotin gëlltis.

 

Ti ke mbërritur që dikur

Thjesht në shtëpinë time,

Pse qe fshehur kaq vite

Raftit e s’më dilje?

 

Ti je këtu me mua

Më flet në fletën e shkruar,

Zërin të dëgjoj tek thua:

Jam këtu ndër librat e tua.

 

Lexoj e lexoj mes lotit

Shkrimin e njoh, je ti!

Pse ma ke lënë kaq fshehur

E unë e gjeta tani:

 

“Me shumë dashuri Kur ta hapësh

Do t’kujtosh takimin e parë…

Besoj se jemi të lumtur

Këto çaste që u pamë!”

 

E lexova dhe ulem e goditur

Ku të të mbaj më thuaj,

Në zemër a në duar?

 

S’KA SHTRAT PËR MUA N’ATDHEUN TIM

Sa shumë të desha e të dua

Oj e bukura mëmë Shqipëri!

Ti s’më deshe asnjëherë mua

M’trete baltërave n’ internim.

Që fëmijë për ty punova

Fushat t’i mbolla me grurë,

Kanale të thella të hapa

Që ty mos të mbyste ujë!

Myzeqenë ta zbukurova

Oh,ta qëndisa me blerim,

Të tëra shërbimet t’i bëra

Tamam si një bijë e mirë!

Po ti mëmë ç’bëre për bijën?!

Në fund e flake në mërgim,

Dhe dua të vij mikeshë një natë,

S’ka shtrat për mua n’atdheun tim!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s